Profesori Stefen Houking ka nxjerrë së fundmi një teori të re për vrimat e zeza, duke thënë se ato mund të çojnë në universe të tjera. Duke folur në një konferencë publike në Stokholm, fizikani përshkroi me detaje mendimet e tij përsa i përket mundësisë se ku shkonin informacionet e humbura, pasi thitheshin nga vrimat e zeza.
Një vrimë e zezë është një vend ku rëndesa e ngjesh aq shumë masën e një objekti, sa ai fiton një densitet ku nuk veprojnë më ligjet e fizikës. Profesori Houking tha se mund të ekzistojë një “rrugëdalje” nga vrimat e zeza, duke shtuar se ai ka zbuluar një mekanizëm “nga i cili informacionet kthehen mbrapsht nga vrimat e zeza”. Ai tha se informacioni i humbur në një vrimë të zezë mund të kthehet në një lloj “hologrami”, ose të shkojë në një univers tjetër. “Ekzistenca e historive alternative me vrimat e zeza sugjeron se kjo mund të jetë e mundur. Vrima duhet të jetë e madhe dhe, nëse ajo rrotullohet, mund të ketë një kalim në një univers tjetër. Megjithatë, ti nuk mund kthehesh më mbrapsht në universin tonë. Kështu, pra, megjithëse më pëlqejnë fluturimet në hapësirë, nuk kam ndërmend ta provoj këtë gjë. Mesazhi i kësaj konference është se vrimat e zeza nuk janë aq të zeza sa përshkruhen. Ato nuk janë burgjet e përjetshme, siç mendohej më parë. Gjërat mund të dalin nga vrimat e zeza dhe ka mundësi të shkojnë në një univers tjetër”. Leksioni i profesorit Houking u botua në një blog nga Instituti Mbretëror i Teknologjisë, një universitet në Stokholm.
Advertisement