Nuk më tremb konkurrenca!
E dini që njeriu mund të hapë një biznes edhe në Facebook? Këtë e ka bërë Fabjola, e cila ka hapur një faqe fansash nëpërmjet së cilës shet pikturat e saj. Faqen Pikturat e Fabjolës ne ju sugjerojmë ta shikoni qoftë edhe thjesht, për relaks, sepse në të ka shumë ngjyra, krijimtari, dashuri… Fabjola, piktorja duarartë autodidakte, na sjell në këtë intervistë shembullin e saj se si pasionin tuaj mund ta shndërroni në një profesion fitimprurës. Por, nuk duhet vetëm zotësi! Ja, çfarë thotë vetë Fabjola…
Arlis Alikaj: – Fabjola, si ndjehesh në intervistën tënde të parë?
Fabjola: – Në fakt, nuk është intervista ime e parë, por gjithsesi, është e para në një media të shkruar. Ndihem mirë, sigurisht, duke pasur parasysh faktin që gazeta juaj është mjaft e lexuar.
– Nëse do të bëje një pikturë tani, çfarë do të pikturoje?
– Pyetje e vështirë kjo! Më vijnë në mendje shumë gjëra njëherësh, por një çadër e kuqe e flakur në trotuarin e lagur, më vjen në mend e para. Çadrën e kuqe e kam subjektin tim të dashur dhe nuk e di pse më tërheq kaq shumë. Kam vetë një çadër të kuqe prej vitesh dhe ndoshta kam krijuar pa dashur një lidhje me të. Fansave të që kam në faqen time në Facebook u pëlqejnë çadrat e mia. Me sa duket, edhe ata gjejnë diçka romantike aty.
– Fabjola, si të shkoi ndërmend t’i shesësh punët e tua edhe nëpërmjet Facebook-ut?
– Ma sugjeroi një kushërira ime. Si fillim hezitova sepse nuk e dija si do të pritej kjo ide, por që në ditët e para më rezultoi e suksesshme. Kjo më nxiti të vazhdoja më tej. Tani që jam brenda këtij biznesi, vërej se ka shumë të tjerë si unë që promovojnë punët e tyre dhe i shesin në Facebook.
– Sot ka shumë njerëz si ti, që kanë një talent, por ende nuk dinë se ka rrjete sociale si Facebook-u, nga të cilat mund të nxjerrësh para… Do të na mësosh pak nga formula jote?
– Nuk kam formulë të veçantë, i bëj gjërat si më vijnë, por kam përshtypjen se kjo lidhet edhe me fushën ku tenton të bësh biznes. E vetmja copëz formule që unë përdor hera-herës, është që përpiqem të bëj fansa të rinj. Fansat e rinj, do të thonë porosi të reja dhe blerës potencialë. Kjo shton mundësitë për biznes. Zgjerimin e rrjetit e bëj përmes shpërndarjes së faqes në muret e miqve të mi. Të gjithë fansat e mi janë bio, nuk kam paguar për të promovuar faqen apo për të shtuar pëlqimet. Kam mësuar se edhe Instagrami është një mënyrë e mirë promovimi, por nuk e kam praktikuar siç duhet këtë. Po mendoj të “zgjerohem” edhe andej.
– Kushedi sa kohë duhet të rrish online për të promovuar punën tënde dhe për të ruajtur kontaktet me ata që i quan blerës potencialë!
– Ju nuk do ta besoni, por nuk rri shumë kohë online. Paraditet e mia janë të zëna me punën nëpër kopshte, ku unë u mësoj pikturën fëmijëve. Publikoj fotot e tyre dhe mund të kem ndonjë komunikim të vogël me mesazhe. Më pas jam online mbrëmjeve për ndonjë publikim të dytë. Përgjithësisht, komunikoj mbrëmjeve pas orës 21:00. Ky është orari më aktiv i fansave, të paktën i atyre të faqes sime.
– Mund të na tregosh më shumë rreth eksperiencës së shitjes së artit nëpërmjet teknologjisë?
– Duhet të kesh nuhatje për të shitur online. Një pikturë që për mua mund të jetë e bukur, nuk është e bukur për klientët. Me kalimin e kohës, kam mësuar si t’u përshtatem shijeve të të gjithëve, ose në mos, të shumicës. Në fillimet e mia pikturoja piktura të stileve që nuk tërhiqnin klientë dhe zhgënjehesha sepse i kisha bërë me shumë dashuri, por çdo ditë njeriu mëson diçka të re e kështu, mëson të përshtatet me këtë treg.
– Fabjola, duket sikur pikturat e tua janë të gjalla. Si e arrin këtë?
– Duke punuar shumë. Vetëm kështu mund të arrihet ky efekt që thoni ju. Më kujtohet që piktura më e vështirë e këtij lloji ka qenë një tablo e madhe me një liqen dhe me gurë. Bukuria e pikturës qëndronte te vërtetësia e gurëve. E punova çdo gur deri në detaje të vogla, që të jepja efektin real.
– Cilat janë llojet e pikturave që keni shitur më shumë?
– Pikturat moderne, si edhe pikturat e mureve në kopshte, çerdhe dhe dhoma fëmijësh.
– A ke konkurrencë në Facebook, apo e ndjen veten të veçantë në këtë lloj tregu?
– Nuk jam interesuar asnjëherë të hulumtoj nëse ka faqe të tjera si imja, por tek e fundit, secili ka fansat e tij. Nuk më tremb dhe nuk më shqetëson konkurrenca. Të fitojë më i miri!
– Njësoj është një pikturë si në Facebook, ashtu edhe në realitet? Përdor fotoshop për të rregulluar pamjen e pikturës kur e poston dhe njëkohësisht, i bën reklamë asaj?
– Pikturat janë më të bukura live sesa në Facebook. Këtë ma thonë të gjithë ata që i marrin apo i shohin në studio. Nuk mund të përdoret fotoshop në piktura sepse gjithçka punohet me duar. Ndryshe, nuk do të quhej pikturë.
– Ka pasur raste kur online të kanë prenotuar një pikturë, por në realitet nuk e kanë blerë?
– Në një vit pune, kjo më ka ndodhur vetëm në një rast, por piktura u shit brenda 5 minutave, sapo e ripublikova në faqe. Nuk është habi që të ndodhin edhe gjëra të tilla, duke pasur parasysh faktin që punoj me njerëz të panjohur, ndaj një kthim porosie në një një vit është një raport shumë i mirë.
– Nga frymëzohesh?
– Nga gjithçka. Më frymëzon një gjethe e rënë, një lule e porsaçelur, madje edhe një pikë shiu mbi xham.
– Disa personazhe VIP që kanë blerë pikturat e tua?
– Të them të drejtën, nuk kam ende. Edhe mund të ketë pasur sepse tek unë blejnë edhe piktura për dhuratë, por për mua, të gjithë klientët janë VIP.
– Të ka ndodhur që gjatë shitjes në mënyrë virtuale, të bësh edhe miq të ngushtë të artit tënd?
– Më ka ndodhur të bëj mikesha të mira. Jemi njohur aty, kur kanë porositur piktura tek unë. Kur jemi takuar, kemi vërejtur se jemi natyra të ngjashme e kështu kanë lindur miqësi, por kam edhe mikesha virtuale në vende të ndryshme të botës, me të cilat komunikoj rregullisht.
– Komplimenti më i bukur që ke marrë për pikturat e tua?
– “Uau, kjo pikturë duket sikur flet…”.
– Bën autoportete?
– Nuk jam e lidhur me portretin e aq më pak, me autoportretin.
– Piktura më e shtrenjtë që ke shitur…
– Eh, këto janë sekretet e mia, që nuk do të doja t’i ndaja.
– Më e lira?
– Kam shitur shpesh piktura lirë, vetëm u kam marrë shpenzimet e materialeve. Këtë e kam bërë vetëm për miqtë e mi.
– Së fundmi, ke bërë edhe disa piktura murale në disa kopshte fëmijësh… Si arrite ta shprehje në mur buzëqeshjen e personazheve të tyre të preferuar?
– Nëse do të shihni faqen time në fansave Pikturat e Fabjolës, do të vëreni se pikturat murale për fëmijët janë të parat. Më pëlqejnë shumë personazhet me kartona që pikturoj në muret e kopshteve dhe çerdheve, por edhe në dhomat e fëmijëve. Unë jam e lidhur me botën e përrallave, ndoshta më tepër sesa duhet dhe pikturat e tilla më falin shumë kënaqësi. Sidomos kur shikoj reagimin e fëmijëve, që i shohin të përfunduara në mure.
– Nëse do të krijoje një pikturë për redaksinë e “Intervistës”, çfarë do të shihnim në të dhe çfarë ngjyre do të mbizotëronte?
– Ndoshta një peizazh vjeshte, ku do të mbizotëronte ngjyra e kuqe. Jam shumë e lidhur me atë ngjyrë dhe më pëlqen ta përdor shpesh.