E përdhunuan
– Motra ime ka parë në ëndërr sikur e përdhunuan dhe në të njëjtën kohë, kishte vënë re që e kishte parë babai i saj. Ç’do të thotë?
– Motra juaj që ka parë këtë ëndërr, ka kaluar një situatë sentimentale që e ka vënë në siklet. Ajo ndihet në faj karshi familjes e sidomos babait dhe i trembet shumë figurës së tij autoritare. Gjithsesi, ajo duhet të dijë që nëse ka një njeri që mund ta mbrojë dhe t’i qëndrojë pranë, është pikërisht babai i saj, prandaj duhet të ketë më shumë besim tek ai dhe te këshillat e tij.
Rënia e yllit
– Ç’do të thotë të shikosh qiellin natën? Unë shikoja Arushën e vogël. Papritur, te bishti i saj pashë një yll të madh i cili shkëlqente shumë. Shkëlqimi po rritej dhe ylli zmadhohej derisa ra në tokë dhe u bë shkrumb e hi. Edhe pse më pëlqeu shumë si ëndërr, u tremba dhe u largova nga frika. Ju lutem, ma shpjegoni. Faleminderit.
– Shikimi nga qielli tregon shpresat tuaja dhe botën tuaj të fantazisë e krijimtarisë që e keni shumë të theksuar. Ju jeni gati të ndërmerrni ndonjë punë apo projekt i cili ju tërheq shumë kohët e fundit. Ama rënia e yllit, tregon që nuk do të keni shumë sukses, ndaj dhe do t’ju thoja që tani për tani mos ndërmerrni asnjë projekt.