Shtëpia dhe lufta
– Ç’do të thotë të shikosh në ëndërr sikur po bëhet luftë? Shtëpia ishte e mbushur me njerëz të panjohur dhe ishin të gjithë të armatosur. Unë doja të ikja nga këta persona të panjohur së bashku me familjen time dhe ashtu, duke u fshehur, shpëtuam. Dikush vdiq, por s’e mbaj mend.
– Shtëpia paraqet karakterin, personalitetin tuaj, qëndrimin tuaj përballë të tjerëve, qofshin këta të panjohur apo familja juaj. Lufta tregon trazira dhe konflikt brenda familjes, për të cilin jeni ju që duhet të bëheni katalizatori e ta qetësoni gjendjen dhe jo t’i ikni problemit. Personi i vdekur tregon se kjo situatë do të kalojë shumë shpejt dhe do të ketë një fillim të ri e rregulla të reja, gjithmonë në varësi të veprimeve tuaja.
Gjyshja e vdekur
– Kam parë në ëndërr gjyshen time e cila ka vite që nuk jeton. E pashë të vdekur edhe në ëndërr. Çfarë kuptimi ka kjo lloj ëndrre? Faleminderit.
– Është një ëndërr pozitive, pavarësisht se ju mund të mos e keni përjetuar mirë. Gjyshja e vdekur simbolizon fundin e një gjëje që ju ka mërzitur, një çështje personale ose familjare dhe një fillim të ri. Është ëndërr që parashikon dashuri, qetësi dhe shumë fat në të ardhmen tuaj. Siç është gjyshja për nipërit dhe mbesat, ashtu do të jetë realiteti juaj, i ëmbël e i ngrohtë.