Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jetoj çdo ditë si një frikacak!

 

 

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një njeri që jeta i ka ofruar disa herë mundësi, por nuk kam qenë i zoti t’i shfrytëzoj. Kjo mendoj se ka ndodhur për shumë arsye të cilat unë them se janë rezultat i karakterit tim.

Advertisement

Në fillimet e rinisë isha një djalë i turpshëm dhe, ndonëse isha i bukur (ashtu siç më thonin të tjerët), nuk kisha ndonjë vajzë në krah. Kisha një shok që nuk shquhej për një pamje kushedi se çfarë, por femra kishte, pra, nuk ishte si unë, vetëm. Jo se nuk më pëlqenin vajzat, por doja të kisha më të mirën. Më e mira për mua ishte një vajzë e kursit e cila më pëlqente shumë, por nuk kisha guximin t’i propozoja. Shkolla mbaroi e unë nuk arrita ta ndaloja dhe t’i thoja se kisha rënë në dashuri me të. Mua më dolën rezultate të mira dhe, si rrallëkush në atë kohë, fati e deshi që të më dërgonin në një shkollë në Francë. Atje gjithçka ishte ndryshe. Nuk kishte vajza si në Shqipëri, me të cilat duhet të merreshe vesh me shikime. Vajzat ishin më të çlirëta dhe nuk kishin komplekse. Të flisnin të parat dhe nëse ndjenin ndonjë gjë, nuk kishin turp ta thonin të parat.

Një vajzë nga klasa ku mësonim rrinte gjithmonë afër meje. Ishte nga Rusia dhe dukej nga larg që ishte një ruse tipike: Bjonde, e gjatë dhe me sy blu. Unë ende ndjeja për shoqen e shkollës dhe nuk mendoja për një dashuri në ato momente, plus që doja të studioja e të arrija rrezultate të larta, që të mund të punoja në një vend të mirë. Megjithatë, unë ndjeheha mirë pranë saj dhe në një çast dobësie, mes nesh u krijua një marrëdhënie e cila zgjati rreth dy vite. Kur erdhi koha e përfundimit të studimeve ajo donte të kthehej në vendin e saj dhe të vazhdonte karrierën atje. Më tha edhe mua të shkoja e të punoja atje. E dinte se do të gjeja punë menjëherë, sepse rezultatet i kisha të mira, por mua, si gjithmonë, më mungoi guximi dhe i thashë se nuk mund të shkoja. Tani mendoj se nëse do të kisha shkuar me të, mund të kisha një jetë krejt tjetër. Ajo ishte një femër e cila rrallë takohet në jetë; e qetë, e dashur dhe shumë e kuptueshme. Nejse, kjo nuk i dihet se si mund të ketë qenë. Ndoshta më pas do të kishte ndryshuar…

Pas studimeve u ktheva në Shqipëri. Ishin vitet ’80 dhe gjithçka ishte ndryshe nga Franca, por unë nuk e ndjeva shumë këtë. Hyra menjëherë në një punë mjaft të mirë dhe aty njoha edhe shoqen time të jetës. Ajo ishte një grua shumë e mirë, vetëm se ishte shumë strikte. Nuk e di në është fjala e duhur për ta përshkruar, por unë mendoj se asaj i përshtatet kjo. Nga martesa jonë lindi një vajzë e cila i dha jetës sonë kuptim dhe sidomos jetës sime i dha një tjetër drejtim. Këtë e them sepse kur u martova, nuk ndjehesha i kompletuar, ndoshta sepse më kishte mbetur peng dashuria e parë, vajza që nuk kisha patur guximin t’i propozoja.

Nejse, lindja e vajzës më bëri të mendoja ndryshe për jetën. Isha shumë aktiv në rritjen e saj, saqë nuk kisha dëshirë të bëja fëmijë tjetër, sepse mendoja se do të ndahej kujdesi përgjysëm. Në vitet ’90 ndodhi edhe rënia e komunizmit. Vajzën e kisha 9 vjeçe dhe tani më dukej se nuk ia vlente të rrija më në Shqipëri.

– Ikim edhe ne. Ti ke qenë në Francë, kështu që do ta kemi më të lehtë. – tha gruaja ime.

– Unë kam qenë me studime e jo si refugjat. Nuk jam mësuar të bëj punë krahu. Si mund të jetojmë atje? Nuk është fushë me lule, siç e kujtojnë këta të tjerët.

– Gjithmonë kështu ngordhalaq do mbetesh? – tha ajo e inatosur. Në fakt, kishte të drejtë se ashtu isha. – Unë them të ikim sa më parë, se kushedi se si bëhet puna këtu.

Ashtu duhej bërë atëherë, por unë nuk doja të merrja një barrë kaq të rëndë. Pasi erdhi demokracia, më hoqën nga puna dhe fillova të punoja si roje. Ishte një ulje për mua, por kështu erdhi koha për të gjithë. Nuk punova shumë si roje, sepse hapa një zyrë avokatie dhe rifillova punën, mirëpo gruaja ime ishte e pakënaqur, ndaj një ditë më tha:

– Unë dua të iki në Itali te motra. Ajo më tha se mund të më rregullojë një punë atje.

Më erdhi si bombë.

– Po pse? Ne jemi mirë tani që unë kam hapur zyrën. Pse duhet të marrësh rugën e kurbetit?

– Ky vend do kohë të rregullohet e unë nuk kam ndërmend të pres sa të përmirësohen gjërat. Ti do vish apo jo, se vajzën do ta marr me vete?

– Vajzën? E si mund të rri unë pa të? Këtë e mendon? – i thashë.

– Eja me ne atëherë. Edhe atje mund të punosh si avokat. Madje atje fiton disa herë më shumë se këtu.

– Ti e di se unë nuk e bëj këtë, edhe sikur të më fusin në punë sa të shkoj.

Edhe pas këtij debati e shumë të tjerëve si ky, ajo nuk mori parasysh asgjë, por mori vajzën dhe iku. Për mua, kjo ishte një gjë shumë e rëndë dhe e pata shumë të vështirë ta kaloja. Megjithatë, punën nuk e lashë. Në atë kohë nuk kishte shumë mundësi të merrje vizën, por unë arrita ta merrja pas një viti të largimit të tyre, kështu që shkova të shihja ku jetonte gruaja dhe ime bijë. Kur e pashë vajzën pas aq shumë kohe, gati më ndali zemra. Ishin emocione të forta dhe unë ndjehesha shumë i lumtur tek e shtërngoja në krahë.

– Më ke bërë një të keqe të madhe – i thashë gruas. – ky është mëkat.

– Eja shiko si jeton jot bijë e pasi ta krahasosh me Shqipërinë, fol! – tha ajo, si gjithmonë, “shkurt e shqip”.

Kur pashë vendin ku jetonin, u ndjeva fajtor për fjalët që kisha thënë. Vërtet gruaja punonte me orar të zgjatur, por gjithçka ishte ndryshe nga ajo që kishte në Shqipëri. I mora fjalët mbrapsht.

– Rri po deshe edhe ti këtu, – më tha gruaja tek po prisja biletën e kthimit.

– Nuk e kam atë guxim – i thashë, – si gjithmonë, edhe këtë herë më mungon. Tani që e pashë me sytë e mi se sa mirë jetoni do ta kem më të lehtë.

– Ti e di! – tha ajo prerë.

U ktheva përsëri dhe vazhdova punën. Me gruan, nga largësia, lidhja jonë e cila nuk kishte qenë dhe aq e fortë, u ftoh. Vajza u rrit dhe fitoi bursë në Francë, ashtu si edhe unë para shumë vitesh. Ndërkohë, unë e kisha lënë të lirë gruan dhe për vete kisha një shoqe. Ajo kishte qenë sekretarja ime në fillim dhe tani ne kishim një lidhje, mirëpo problemin e kisha te divorci, se nuk doja ta hidhja unë hapin i pari për të. Gruaja jetonte jetën e vet dhe nuk i binte ndërmend ta përfundonte lidhjen me mua.

– Kështu nuk mund të vazhdoj më! – tha e dashura ime. – ose ndahu nga gruaja e të martohemi ose ndahu nga unë.

– Ne jemi mirë kështu. – i thashë.

– Mirë je ti, që ke një fëmijë, ndërsa unë dua të jetoj normalisht.

E lashë të lirë, se nuk doja të martohesha përsëri, mirëpo fati më solli në derë një dashuri të harruar. Në Facebook rastësisht pashë rusen, ish-të dashurën e shkollës në Francë. Në fakt, jo krejt rastësisht, por nga kurioziteti, kërkova dhe e gjeta në VK (facebooku i rusëve). Ajo u kënaq aq shumë kur folëm së bashku.

Filluam të flsinim e të merrnim vesh për jetën e njëri-tjetrit. Ajo kishte qenë e martuar dhe nuk kishte bërë fëmijë, kështu që kishte adoptuar një djalë, ndërsa karriera e saj kishte lulëzuar shumë. Ajo tashmë ishte një ndër personat e famshëm në Rusi, një politikane e zonja dhe me shumë potencë. Kishte shumë dëshirë të tkoheshim dhe unë menjëherë e ftova të vinte në Shqipëri. Takimi ishte i magjishëm. Edhe pse pak në moshë, gjithçka shkoi shumë mirë. Ajo nuk ishte plakur aspak dhe për mua ruante të njëjtat ndjenja.

– Si do të kishte qenë martesa jonë? – më pyeti.

– Edhe unë e mendoj shpesh këtë… – u tregova i sinqertë.

– Tani do ishim bashkë apo të ndarë? – tha këtë dhe buzëqeshi, një buzëqeshje që nuk e kishte humbur aspak shkëlqimin.

– Këtë nuk e di, po më mirë që nuk jemi martuar, përderisa tani të dy jemi të ndarë!

Kjo shaka na bëri të qeshnim të dy. Ishim ndjerë mirë gjithmonë pranë njëri-tjetrit, mirëpo asgjë nuk mund të bënim tani. Të dy kishim një jetë të ndërtuar në dy shtete të largëta. As mosha nuk na lejonte të ndërmerrnim nisje jete nga e para. Megjithatë, ne mund të takoheshim, të bënim pushime bashkë e të kalonim mirë së bashku.

Pra, kështu vazhdon jeta ime tani. Me punë, pushime me miken time ruse. Shkoj te vajza në Francë, e cila ndryshe nga unë i ka premisat se do të jetojë atje e madje të ketë një jetë të mirë me rezultatet e mira. Nuk e di në ju duket mirë kur t’ju them se shkoj edhe në Itali të takoj gruan time. Ajo kur jam atje më kushton vëmendje dhe unë nuk e pyes nëse ka ndonjë lidhje a diçka tjetër. Ajo është nëna e vajzës sime dhe unë e respektoj atë si të tillë.

Pra, siç ju thashë në fillim, kam patur raste, por nuk kam ditur t’i shfrytëzoj dhe megjithëse ia di dobësinë vetes sime, nuk ndryshoj dot. Me sa duket, frikacak do të mbetem gjer në fund të jetës…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Next Post

Si të bëj seks me partneren?

Advertisement