Mendoj: Rama u nxitua që e dorëzoi Armando Prengën në “thojtë” e prokurorisë. Kam disa argumenta. Pse me ligj deputeti ka të drejtë të mbaj patllake? Sepse duhet ta zbrazi. Dhe Armandi, bën pjesë tek ajo rracë deputetësh, që zbaton ligjin. Nuk është si puna ime. Kur u bëra deputet në vitin 1992, më thërret në zyrë ministri i Brendshëm Agron Musarai.
-Të kam gjetur një kobure me mulli. Pak e rëndë. Pak e ndryshkur… Firmos!
Futem në shtëpi. Vendosa patllaken mbi tavolinë. E pa Ezmerka dhe shpërtheu:
– Po kjo nga na mbiu?
– Më takon me ligj…
– Ta jep ligji i parlamentit, por ta ndalon ligji i konakut. Koburen e mbush shejtani. Nxirre jashtë ose do kthehem tek mami?!
Ka edhe deputetë që e mbajnë patllaken në kasafortë. Marrëzi. Në se ndodh një hata e madhe, dmth të sulmohet deputeti dhe larg qoftë të shkojë tek të shumtët, do themi rroftë e qoftë kasaforta?!
Armando Prenga, ishte bisesmen. Me djersën e ballit jetonte si pasha. Për ti shërbyer vatanit, u bë deputet. La bisnesin. Zbatoi ligjin. U varfërua, të paktën me letra. A mund të jetojë një bisesmen me rrogën e deputetit?! Jo dhe jo.
Deputeti ka një vëlla. Në dhjetor 2014 hapi një bisnes të ri. Nuk i mori dorën Armandos. Normale. Pas dy muajsh u hap një tender. Kapje peshku në Lagunën e Patakot. Fitoi . Demokratë e bënë qimen tra:” Tenderin e fitoi vëllai i deputetit?!”
Armando rrëmbeu penën: “Historinë e tenderit e mësova nga zullumet e PD-së”. Fjalë me kandar. Iso i mbajti ministria e Bujqësië:” Tenderim model.”
Në vend të dytë doli kompania e familjes Cali. Më 2 shtator u ankuan në gjykatë. Haberi ra në vesh të deputetit. Mori rrugën për në Patok. Me të drejtën e deputetit trokiti në portën e lokalit të familjes Cali. Jo për faj të deputetit, e gjeti derën mbyllur. Si në filmat amerikanë, theu xhamin me patllake…
Më tej? Kemi plumba. Thika. Gurë shkopij. Gjak. 7-8 të plagosur. Shumë arrestime.
Sikur ta lëmë mënjanë sarkazmën? Me të shkruar Armando del se ka bërë prapësi. Brenda dhe jashtë. I dinë të gjithë. Përjashtim bën Rama që e kalli në parlament në vitin 2009. Pesë vjet më parë goditi me grusht Edi Palokën. Nuk i hyri gjëmb në këmbë. Një vit më parë, nxorri rripin për të goditur Strazimirin. I kanë parë të gjithë. Përjshtim bën Rama që e rikalli në parlament…
Dalin shumë psera. U hapet punë analistëve. Mua më shkon për shtat një dialog nga telenovela turke “Ezel”.
Personazhi I parë:- Ti një kryebandit. Unë kam një dosje me paudhësitë e tua. Do ti tregoj të gjitha në një tryezë me miqtë e tu?!
Personzhi I dytë. Qeshi me qesendi:- Mendon se kam frikë nga ato që thua? Aspak. Ata që do të të dëgjojnë, do të harrojnë në çast atë që thua ti, pasi të gjithë janë si unë. Të gjithë janë banditë. Ti flet sepse të lejoj unë, ose më saktë, ti jeton se të lejoj unë?!
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)