Si të shpëtoni prej tyre?
Vera është stina e pushimeve, kur ne shkojmë në plazh dhe kalojmë më shumë kohë jashtë. Dimri nga njëra anë është sinonim i gripit dhe të ftohtit, por edhe vera nuk kalon pa shqetësime. Para se të shkoni në det apo pishinë, hidhuni një sy këtyre 10 legjendave të zakonshme të verës dhe përgatituni për çdo të papritur gjatë kësaj stine…
Miti 1: Duhet të lyheni me krem dielli gjatë gjithë kohës
E keni dëgjuar me mijëra herë frazën “duhet të lyheni me krem dielli sa herë që ekspozoheni në diell”, domethënë edhe kur dilni nëpër qytet. Në fakt, ju e zbatoni këtë kur jeni në plazh, por jo sa herë dilni në diell. Është e nevojshme të lyheni gjithë kohës?
E vërteta: Një ekspozim i shkurtër në diell është i mirë për ju.
Në fakt, shkenca thotë se disa minuta në diell janë të mira për shëndetin. Se sa, saktësisht, kjo është një gjë që varion nga njëri person te tjetri, por ekspertët sugjerojnë të fillohet me 10-15 minuta në ditë. Shumica e njerëzve kanë nevojë vetëm për pak rreze dielli në ditë që të përfitojnë prej tyre, por duhet të keni kujdes që të mos ju digjet lëkura.
Miti 2: S’ka problem nëse e kruani vendin e pickuar nga insektet
Një nga problemet më të bezdishme të verës, pickimi i mushkonjave, mund t’ju çmendë fare nëse i rezistoni dëshirës për t’u kruajtur. Mamaja na thoshte të mos i kruanim puçrrat, po nga e thëna në të bërë… Pastaj, ç’të keqe ka?
E vërteta: Kështu, e përkeqësoni situatën
Për momentin mund të ndjeheni mirë, por kruajtja e shton dëshiron për t’u kruar edhe më shumë dhe kjo mund të përfundojë në infeksion, nëse e çani lëkurën me thonj dhe lëshoni bakterie në plagë. Më mirë vini pak akull mbi puçërr për të ulur inflamacionin dhe qetësuar kruarjen, ose blini në farmaci ilaçe që përdoren pas pickimit.
Miti 3: Çdo lloj pijeje ju ndihmon të hidratoheni
Nganjëherë, kur jashtë bën vapë dhe dielli rreh si çekiç, keni dëshirë për një pije freskuese që do t’ju hidratonte dhe freskonte. Për sa kohë është e ftohtë, ajo është e mirë, apo jo?
E vërteta: Disa pije bëjnë më shumë keq sesa mirë
Ndërkohë që një pije freskuese e ftohtë duket si mundësia më e mirë në verë, mos prisni që ajo t’ju hidratojë. Sipas një studimi të Klivelandit, “pijet alkoolike dhe me kafeinë, si kafja, çaji dhe koka-kola, nuk këshillohen. Këto lëngje kanë tendencë t’i nxjerrin lëngjet nga trupi dhe nxisin dehidratimin”. Nuk po ju themi të hiqni dorë prej tyre në verë, por vetëm sigurohuni të pini njëkohësisht ujë dhe lëngje.
Miti 4: Kremi i diellit në formë spërkatësi është i mirë
Mezi keni pritur fundjavën që të shkoni në plazh, kështu që gjëja e fundit që doni të bëni është të rrini një orë duke u lyer me krem dielli. Për fat të mirë, ata ekzistojnë edhe në formë spërkatësi.
E vërteta: Mos i zini shumë besë spërkatësit
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe e Shëndetit (FDA) dhe organizma të tjerë shëndetësorë thonë se kremi në formë spërkatësi mund të jetë i rrezikshëm. “Piklat e këtyre kremrave mund t’i çojnë kimikatet e kremit deri në mushkëri, ku mund të irritojnë indet e mushkërive, ose të kalojnë edhe në gjak. Gjithashtu, FDA thotë se mungojnë të dhënat që provojnë se spërkatësi e mbulon ashtu si duhet lëkurën e thatë, imagjino pastaj lëkurën e lagur të një fëmije”. Përdorni më mirë mbrojtësit në formë kremi.
Miti 5: Një zhytje në pishinë është po aq e mirë sa larja në dush
Në verë ju mund të bëheni paksa dembelë dhe të përtoni të laheni në dush. Kështu, pas një zhytjeje në pishinë, mund të doni të evitoni dushin dhe të kaloni direkt në ngrënien e darkës. Të paktën, nuk jeni me djersë…
E vërteta: Pikërisht zhytja në pishinë është arsyeja pse duhet të laheni në dush
Zhytja në pishinë, jo vetëm që nuk e zëvendëson larjen në dush, por është edhe një arsye më shumë për t’u larë. Pishinat publike janë të mbushura me mikrobe të cilat vijnë nga urina, fekalet dhe djersa (me një sasi sa dy kanoçe koka-kole), por as pishinat private nuk janë shumë të pastra. Mirë është të laheni edhe para, edhe pas vajtjes në pishinë, por pas saj ama, është e detyrueshme!
Miti 6: Ngrënia e hudhrave i largon mushkonjat
Legjendat thonë se hudhrat mbajnë larg vampirët, kështu që, pse të mos vlejë kjo edhe për “gjakpirësit” e tjerë?
E vërteta: Ka metoda edhe më efikase
Sipas një studimi të Universitetit të Konektikatit, konsumimi i hudhrave nuk është efikas për të larguar mushkonjat. Shkencëtarët vunë disa njerëz të gëlltisnin tableta me hudhra dy ditë rresht dhe në fund hudhra nuk ndihmoi në evitimin e mushkonjave. Studiuesit vunë re se konsumimi për një kohë të gjatë mund të kishte një lloj efekti, por ka metoda më të lehta (dhe më të sigurta) për të larguar mushkonjat, si spërkatësi kundër mushkonjave dhe disa lloje qirinjsh.
Miti 7: Në kohë me re nuk rrezikon të digjesh
Qielli është mbuluar me re dhe duket sikur po bëhet gati për shi, por kjo nuk ju pengon të rrini jashtë. Nga ana tjetër, ju nuk rrezikoni të digjeni nëse nuk e shihni diellin me sy, apo jo?
E vërteta: Edhe në kohë me re mund të digjesh
Megjithëse nuk e shihni dot diellin, përsëri mund të digjeni. Në fakt, mund të digjeni në çdo lloj kohe. Shumë njerëz mendojnë se lëkura e tyre është e sigurt në një ditë me re, por specialistët këshillojnë përdorimin e kremit të diellit në çdo lloj kohe.
Miti 8: Nuk bën të lahesh në det menjëherë pasi ke ngrënë
Të vjetrit thonë se duhet të presësh të paktën 30 minuta pasi ke ngrënë që të futesh në det, përndryshe mund të të zërë ngërçi dhe të mbytesh.
E vërteta: Noti menjëherë pas të ngrënit nuk të vret
Është e vërtetë që tretja e përqendron qarkullimin e gjakut në sistemin tretës dhe mund të pësoni ndonjë ngërç të vogël, por nuk ka asnjë provë që noti pas të ngrënit ka vrarë ndonjë njeri. Shoqata Ndërkombëtare e Shpëtimit të Jetës ka bërë një studim mbi këtë subjekt dhe ka zbuluar se ngrënia e një vakti normal para notit nuk është e rrezikshme.
Miti 9: Askënd nuk e godet realisht rrufeja
Këto gjëra ndodhin vetëm nëpër filma, por tepër rrallë në jetën reale, apo jo?
E vërteta: Ndodh më shpesh nga ç’e mendoni
Sipas statistikave, në SHBA, vdesin mesatarisht 49 njerëz në vit nga goditja e rrufesë. Numri i atyre që pësojnë lëndime të ndryshme si pasojë e goditjes prej saj, nganjëherë duke shkaktuar invaliditete që zgjasin gjithë jetën, është nëntë herë më i madh. Ky është një problem i madh dhe, me gjithë paralajmërimet, njerëzit nuk i japin rëndësinë e duhur këtij fakti. Një fjalë e urtë thotë: “Kur godet rrufeja, futu brenda” dhe kjo është në fakt mënyra më e mirë për t’u mbrojtur prej saj.
Miti 10: Peshkaqenin mund ta ndalësh duke e goditur me grusht në hundë
Këta gjigandë mahnitës deti janë kaq interesantë, sa televizionet flasin shpesh për ta, por shumica e thënieve janë të pavërteta. Megjithëse ka pak gjasa të jeni viktimë e një peshkaqeni (i ndodh njërit ndër 11.5 milionë njerëz), shumica e njerëzve kanë shumë frikë prej tyre. Thuhet se një grusht i fortë në hundë është mënyra më e mirë për të hutuar një peshkaqen.
E vërteta: Keni më shumë mundësi shpëtimi nëse e qëlloni në sy
Ekspertët thonë se goditja e peshkaqenit në hundë nuk është efikase. Së pari, është e vështirë të marrësh vrull dhe të godasësh fort në ujë dhe së dyti, dora juaj mund të gabojë objektiv dhe të shkojë drejt e te dhëmbët e peshkaqenit. Më mirë shënjoni sytë ose velëzat, të cilat janë pikat e dobëta të peshkaqenit. Përsëriteni disa herë dhe peshkaqeni shpejt do të vendosë se nuk ia vlen të merret me ju.