– Jam V.B, emigrante në Modena të Italisë, e datëlindjes 04.06.1956. Kam filluar punë në Itali që nga viti 1995 dhe kam punuar me ndërprerje deri në fund të vitit 2014. Në Shqipëri kam gjithsej 14 vite e 6 muaj me kontribute. Do të më ndihmonit shumë po të më sqaroni se sa vite kontribute kam në Itali dhe a përfitoj pension me këtë vjetërsi pune që kam? Po në Shqipëri, a përfitoj ndonjë pension dhe në çfarë moshe mund të dal në pension?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – E nderuar zonjë, nisur nga të dhënat anagrafike që keni dërguar, duke patur akses në të dhënat e INPS, rezulton se në Itali pranë INPS, keni një vjetërsi kontributive prej 951 javësh, e barabartë me 18 vite e 2 muaj (duhet të keni parasysh se 1 vit është i barabartë me 52 javë pune). Duke qenë se keni filluar punë para datës 01.01.1996, ku ka filluar sistemi kontributiv, për të plotësuar kushtet për pension pleqërie, do t’ju duhen domosdoshmërisht jo më pak se 20 vite me kontribute. Në këto kushte është e domosdoshme që të angazhoheni në një punë për të plotësuar edhe 1 vit e 10 muaj. Bazuar në legjislacionin italian, ju mund të dilni në pension në moshën 65 vjeç e 3 muaj. Përsa i përket pensionit në Shqipëri, do të plotësoni moshën për pension më datë 04.10.2016 (shtohen 2 muaj në vitin 2015 dhe 2 muaj më 2016).
– Në nenin 31 të ligjit 104/2014 përcaktohet se “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”. Në këto kushte, për të përfituar pension pleqërie, është domosdoshmëri të keni një vjetërsi kontributive jo më të vogël se 15 vite kontribute. Sipas informacionit që na jepni, ju keni gjithsej vjetërsi kontributive prej 14 vite e 6 muaj (të cilën duhet ta saktësoni nëpërmjet konfirmimit). Por për të kompletuar vjetërsinë të paktën me 15 vite, do t’ju duhet të siguroheni vullnetarisht dhe të paguani për 6 muaj. Pagesa mujore aktualisht është 4752 lekë në muaj, kështu që për 6 muaj, duhet të paguani një shumë prej 28.512 lekë.
– Për të saktësuar vjetërsinë aktuale që keni në Shqipëri, mund të na dërgoni të skanuar një kopje të librezës së punës, ose në mungesë të saj, të na dërgoni të gjitha rubrikat e punës ku keni qenë të punësuar, sipas modulit të mëposhtëm:
Nr. |
Institucioni apo Nd/ja | Periudha e punuar fillim – largim(dite/muaj/vit | Sektori | Rrethi | Posti i punes |
– Mbasi të bëhet konfirmimi i periudhave kontributive, nëpërmjet ISSH-së, me të cilën kemi një marrëveshje dhe ka angazhim të admirueshëm në këtë drejtim, atëherë mund të vendosni për pagesën e sigurimit vullnetar. Po kështu, duhet të keni parasysh se në rast pagese paradhënie për 6 muaj, do të keni një reduktim të pagesës prej 3 për qind, pra, nuk do të paguani 28 512 lekë, por 27 656 lekë. Ju përshëndes. Naim Balluku.