– Përshëndetje avokat! Jam Altini. Jetoj në Shqipëri dhe kam të dashur hollandeze. Dua të bëj martesën në Shqipëri. Si procedohet ligjërisht për t’u martuar me të dashurën time? Çfarë dokumentesh duhet të përgatis unë dhe e dashura ime në Hollandë për të bërë martesën këtu në Shqipëri?
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: – I nderuar zoti Altin, ju falënderoj që i jeni drejtuar rubrikës “ju pyesni, avokati përgjigjet”! Procedura e lidhjes së martesës: – Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
– Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe. Ajo lidhet para nëpunësit të gjendjes civile, me pëlqimin e lirë të dy bashkëshortëve të ardhshëm.
– Përpara lidhjes së martesës, nënpunësi i gjendjes civile bën shpalljen e saj, duke afishuar në vende të caktuara nga bashkia ose komuna aktin, ku tregohet identiteti, profesioni, vendbanimi dhe vendqëndrimi i bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe vendi ku do të lidhet martesa.
– Kërkesa për shpallje bëhet nga bashkëshortët e ardhshëm ose nga personi i caktuar nga ata me prokurë të posaçme. Shpallja bëhet në bashkinë ose komunën e vendit ku secili nga bashkëshortët e ardhshëm ka vendbanimin ose vendqëndrimin. Nëse nuk kanë jetuar 6 muaj në vendbanimin ose vendqëndrimin aktual, shpallja duhet të bëhet edhe në bashkinë ose komunën ku bashkëshorti ka jetuar më parë.
– Martesa nuk mund të lidhet para se të kalojnë 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes.
Në qoftë se shpallja ndërpritet përpara mbarimit të këtij afati, ky fakt duhet të përmendet në shpalljen e re.
– Në qoftë se lidhja e martesës nuk është bërë brenda 1 viti nga shpallja, martesa nuk mund të lidhet pa u bërë shpallja e re e parashikuar në dispozitat për shpalljen e martesës.
– Personi që kërkon shpalljen duhet t’i paraqesë nëpunësit të gjendjes civile certifikatat e lindjes së të dy bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe çdo dokument tjetër që është i nevojshëm dhe provon se nuk ekzistojnë pengesa për lidhjen e martesës.
Lidhja e martesës: – Martesa lidhet publikisht përpara nëpunësit të gjendjes civile, të cilit i është bërë kërkesa për shpallje. Me kërkesë të prokurorit të vendit ku lidhet martesa e bashkëshortëve të ardhshëm, gjykata, për shkaqe me rëndësi, mund të vendosë që martesa të lidhet edhe pa u shpallur.
– Në ditën e caktuar për lidhjen e martesës, nëpunësi i gjendjes civile, pasi bindet për identitetin e bashkëshortëve të ardhshëm, në bazë të akteve dhe të thënieve të dëshmitarëve, si dhe të vetë bashkëshortëve të ardhshëm, në prani të dy dëshmitarëve, u lexon bashkëshortëve të ardhshëm nenet e këtij Kodi që përmbajnë të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve, merr nga secili bashkëshort deklarimin se ata duan të lidhin martesë dhe, pasi merr pëlqimin e tyre, i shpall të martuar në emër të ligjit.
– Akti i martesës hartohet menjëherë, nënshkruhet nga bashkëshortët, dëshmitarët e nëpunësi i gjendjes civile dhe regjistrohet në regjistrin e martesave. Dokumentet e nevojshme që duhet të paraqesë shtetësja holandeze në shqipëri janë:
- Certifikatë personale;
- Certifikatë familjare;
- Certifikatë martese;
– Dokumentet e nevojshme që duhet të paraqIsni ju në HolLandë janë dokumentet e mësipërme, por këto dokumente duhet të jenë në gjuhët e shteteve ku do të paraqiten dhe të legalizuara me vulë apostile. Nëse jeni i interesuar për të përgatitur dokumentet e nevojshme në Shqipëri, Studio Ligjore “Duraj” është e specializuar në këtë fushë dhe mund t’ju vijë në ndihmë.