Fjalët “testosteron” dhe “steroidë” janë bërë të njohura tashmë në gjithë botën, për shkak të ndodhive me atletët olimplikë, Berri Bonds dhe Roxher Klemens. Megjithatë, testosteroni është një hormon kyç te burrat, pa të cilin djemtë e vegjël do të kishin lindur… vajza! Te të rriturit, testosteroni është i rëndësishëm për funksionimin normal seksual, për prodhimin e spermës, si edhe për zhvillimin dhe tonicitetin e muskujve. Niveli i ulët i testosteronit shkakton probleme me pjellorinë, lodhje kronike, depresion dhe mosfunksionim të muskujve. Studime të reja kanë treguar se niveli normal i testosteronit është i rëndësishëm për të reduktuar rrezikun e diabetit e sëmundjeve të zemrës dhe se burrat me nivel normal rrojnë më shumë se ata me nivel të ulët. Megjithatë, historitë e atletëve të cilët e përdorin këtë hormon si drogë i kanë dhënë atij në emër të keq dhe kanë krijuar disa mite. Ja cilat janë ato:
- “Testosteroni është një drogë ilegale”
Jo, kjo nuk është e vërtetë. Testosteroni është një mjekim krejtësisht i ligjshëm që jepet nga mjeku. Ai është hormoni përgjegjës për zhvillimin e organeve gjenitale te mashkulli, për ndryshimet që ndodhin gjatë pubertetit dhe që ndikojnë në funksionimin normal të shumë organeve të tij, si në prodhimin e spermës, ereksionin, dëshirën seksuale, tonifikimin e muskujve dhe fortësinë e kockave, ndërmjet të tjerave. Testosteroni është ilegal vetëm kur përdoret pa recetën e mjekut. Megjithatë, shumë organizata sportive kanë rregulla strikte përsa i përket përdorimit të tij, sepse ndikon në performancën atletike. Atletët që dhunojnë këto rregulla, gënjejnë dhe dënohen.
- “Testosteroni është një steriod dhe steroidet janë të rrezikshme”
Edhe kjo nuk është e vërtetë. Steroidet, në të vërtetë, janë substanca që ndodhen në trupin e njeriut, si për shembull estrogjeni, progesteroni, kortizoli, bile edhe kolesteroli. Por, në botën e sportit, steroid është shkurtimi i shprehjes “Hormoni steroid anabolik”, që nënkupton steroidet që përdoren për të shtuar masën muskulare dhe kockat, si testosteroni. Ndërkohë që përdorimi i testosteronit është pak a shumë pa rreziqe, nuk ka informacion se sa të sigurta janë steroidet e reja, të prodhuara me qëllim që t’u shpëtojnë testimeve për doping.
- “Sasia e madhe e testosteronit shkakton një sjellje të dhunshme, të pakontrollueshme”
Nuk ka asnjë tregues që të vërtetojë se testosteroni shkakton sjellje agresive dhe të pakontrollueshme. Nuk është parë asnjë sjellje e tillë te burrat të cilëve u është injektuar testosteron, qoftë edhe në doza të larta. Në fakt, më shumë është vënë re e kundërta: Burrat me nivel të ulët të tij irritohen ose nxehen shpejt dhe kjo situatë shpesh përmirësohet me normalizmin e niveleve të testosteronit.
- “Sasia e lartë e testosteronit shkakton kancer prostate”
Studimet e kryera kohët e fundit, kanë treguar se burrat me nivel të lartë testosteroni, rrezikohen nga zhvillimi i kancerit të prostatës, po aq sa edhe burrat me nivel të ulët të tij. Gjithashtu, trajtimi i tyre me testosteron nuk ka treguar se shton rrezikun e këtij kanceri. Ky mit i ka bazat në disa studime të kryera në vitin 1940, në të cilat burrat me metastaza të kancerit të prostatës patën përmirësime kur u trodhën. Tani po bëhen studime te burrat që trajtohen për nivelin e ulët të testosteronit dhe që më parë janë trajtuar për kancerin e prostatës.
- “Sasia e lartë e tij shkakton rënien e flokëve te burrat”
Në përgjithësi, burrat të cilëve u kanë rënë flokët, kanë të njëjtin nivel testosteroni me ata që kanë flokë. Rënia e flokëve, siç duket, ka origjinë gjenetike. Konfuzioni lind sepse ka ilaçe si finasteridet (Propecia) që bllokojnë shndërrimin e testosteronit në dihidrotestosteron (DHT) që mund të parandalojë ose trajtojë rënien e flokëve. Meqë një sasi fare e vogël e DHT-së ndihmon në rënien e flokëve, burrat që janë destinuar nga genet të bëhen tullacë, do të bëhen të tillë, pavarësisht nga niveli i testosteronit në gjak.