Anketa e fundvitit: Si ishte 2025 për ju dhe ç’prisni nga 2026?
Flavio Qarri/ Gazetar, autor dhe moderator i emisionit “Kafe shqeto”, Syri TV
2025 ishte një vit intensiv, sfidues dhe formues. Një vit që më mësoi se balanca mes profesionit dhe jetës personale nuk është luks, por domosdoshmëri. Në aspektin profesional, ishte një vit reflektimi, përgjegjësie dhe të qëndruari besnik ndaj fjalës së lirë dhe etikës së gazetarisë. Ndërsa në planin personal, të qenit baba i dy vajzave më ka dhënë një tjetër perspektivë mbi kohën, durimin dhe vlerat që dua të përcjell.
Nga 2026 pres më shumë qartësi, më shumë rëndësi në komunikim dhe më pak zhurmë. Pres që media të rikthejë fokusin te përmbajtja, te dialogu i shëndetshëm dhe te përgjegjësia ndaj publikut. Personalisht, shpresoj të jetë një vit me më shumë kohë cilësore me familjen dhe me projekte që kanë kuptim, jo thjesht ritëm.
Uroj për lexuesit dhe shikuesit që 2026 të sjellë më shumë mendim kritik, më pak paragjykim dhe më shumë njerëzi . Të mos humbasim kurrë aftësinë për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të mbrojtur të vërtetën, edhe kur ajo nuk është e lehtë. Gëzuar dhe një vit më të ndershëm për të gjithë.







