“Flourish”, lëvizja e krijuar nga unë për gra që kanë arritur një nivel suksesi, por kërkojnë diçka më shumë nga ana e brendshme e jetës. Arritja ime për vitin 2025-n.
Festat shpesh maten me drita, zhurmë dhe pritshmëri për të qenë të lumtur, por Bona Miekley na fton të ndalemi dhe të shohim përtej sipërfaqes. Për të, Krishtlindja nuk është thjesht një festë, por një rikujtim i thellë se shpresa lind pikërisht aty ku ka lodhje, mall dhe nevojë për dritë. Në këtë bisedë të sinqertë dhe të ngrohtë, psikologia dhe life coach ndan reflektime mbi shërimin emocional, vetminë, guximin për të nisur nga e para dhe përmbushjen që vjen kur mësojmë të jetojmë me më shumë qëllim, jo domosdoshmërisht me më shumë ritëm. Një intervistë që të fton të marrësh frymë thellë dhe të hysh në Vitin e Ri me qetësi, besim dhe horizonte të reja.
-Krishtlindja për shumë njerëz është kohë reflektimi. Çfarë kuptimi ka kjo festë për ty, përtej dritave dhe dhuratave?
Përtej dritave dhe dhuratave, Krishtlindja për mua ka një kuptim shumë më të thellë sepse është festa e ardhjes së Jezusit në botë. Krishtlindja më kujton se shpresa nuk lind kur gjithçka është perfekte, por pikërisht aty ku ka errësirë, lodhje dhe nevojë për dritë. Jezusi erdhi për të qenë pranë njeriut, për të sjellë dashuri, falje dhe një fillim të ri. Është një ftesë për reflektim të brendshëm: si po e jetoj dashurinë? Ku kam nevojë për shërim? Dhe si mund të jem edhe unë dritë për të tjerët, ashtu siç Ai erdhi të ishte për ne.
Në thelb, Krishtlindja është historia e një Zoti që nuk qëndron larg, por afrohet dhe kjo e ndryshon gjithçka.
– Në profesionin tënd si life coach, çfarë emocioni sheh më shpesh tek njerëzit gjatë festave: gëzim, mall, apo presion për të qenë “të lumtur”?
Për disa, festat sjellin gëzim të vërtetë. Por shumë të tjerë ndihen të vetmuar dhe shpesh duken sikur janë të lumtur sepse e kanë të pamundur të shprehin ndjesitë e tyre të vërteta. Disa të tjerë nuk kanë njerëz të besueshëm me të cilët të ndajnë emocionet e tyre. Si life coach, shpesh roli im është thjesht të jem pranë tyre, ti dëgjoj dhe ti lejoj që të shprehin atë që nuk mund ta shprehin diku tjetër.
– A mendon se fundviti është një moment i mirë për të mbyllur plagë emocionale, apo më shumë për t’i pranuar ato?
Fundviti nuk është vetëm një muaj për të bërë bilancin e asaj që kaloi këtë vit, por edhe për të filluar një kapitull të ri. Disa njerëz zgjedhin të mbyllin plagët e vjetra si për shembull të falin dikë që i ka lënduar ose të falin vetveten dhe kjo i bën të ndihen më të lirë. Të tjerët e kuptojnë që shërimi kërkon kohë, dhe kjo është krejt normale. Por çfarëdo rrugë që zgjedhim fundviti është gjithmonë një mundësi për të nisur përsëri, për të marrë frymë thellë dhe për të lejuar Zotin të na shërojë. Shërimi shpesh nuk ndodh vetëm; ai lind në komunitet, kur ndihemi të parë, të dëgjuar dhe të mbajtur nga të tjerët.
– Cili ka qenë viti më sfidues për ty emocionalisht dhe çfarë të mësoi që sot e mban si dhuratë të brendshme?
Viti më sfidues për mua emocionalisht ka qenë ai kur një nga fëmijët e mi u largua për të studiuar jashtë vendit. Ndërsa ndjeva një mall të madh dhe një boshllëk në shtëpi, kuptova se emocioni i humbjes mund të shndërrohet në forcë të brendshme. Mësova të jem më e durueshme, të vlerësoj momentet e vogla së bashku dhe të besoj se çdo largim është një hap drejt rritjes dhe pavarësisë së fëmijëve. Kjo më la një dhuratë të brendshme: aftësinë për të pranuar ndryshimin dhe për të gjetur paqen brenda zemrës, edhe kur gjërat nuk shkojnë sipas planeve të mia.
– Nëse do t’i shkruaje një letër vetes së vitit që po mbyllet, çfarë do t’i thoshe?
Kjo është diçka që shpesh e bëj gjatë konferencave që organizoj me nënat dhe gratë ku i shkruajmë një letër vetes për vitin që po mbyllet. Do të ishte një moment për të reflektuar mbi sfidat, mësimet dhe arritjet e vitit, dhe për t’i dhënë vetes falje,mirënjohje, mbështetje dhe vizion për vitin që kaloi dhe për atë që po vjen. Për shembull, mund t’i themi vetes: “Faleminderit që qëndrove e fortë pavarësisht sfidave”. Në konferencat tona kjo letër shpesh bëhet një dhuratë e bukur personale që mbart motivim dhe reflektim për vitin që vjen.


– Si ndryshon mënyra se si njerëzit vendosin objektiva për Vitin e Ri nga ajo që realisht kanë nevojë shpirtërisht?
Shumë njerëz vendosin objektiva për Vitin e Ri që lidhen kryesisht me punën dhe financat. Këto qëllime janë të rëndësishme, sepse financat sjellin pavarësi dhe më shumë mundësi. Por shpesh, sidomos gratë, fokusohen aq shumë aty sa anashkalojnë nevojat shpirtërore: qetësinë e brendshme, lidhjen me veten dhe gëzimin. Pikërisht për këtë arsye po organizoj një event me lëvizjen Flourish për gra që kanë arritur një nivel suksesi, por kërkojnë diçka më shumë nga ana e brendshme e jetës. Do të jetë domethënëse, e pasur me reflektim, miqësi dhe argëtim dhe shumë aktivitet sportiv pasi do të kem edhe shoqen time të fëmijërisë, e cila është një instruktore sportive e cila do të sjellë energji dhe gëzim.
– Cila është një rezolutë e Vitit të Ri që ti mendon se do t’u bënte mirë të gjithëve, por rrallë e zgjedhin?
Një rezolutë që do t’u bënte mirë shumë grave, por rrallë e zgjedhin, është të ndalen dhe të kujdesen për veten. Për shumë gra që janë në fazën time, fëmijët largohen nga shtëpia, trupi ndryshon, dhe lind nevoja për reflektim. Shumë gra shikojnë pas dhe kërkojnë “diçka ndryshe”. Rezoluta më e shëndetshme nuk është të bëjnë më shumë, por të jetojnë me më shumë qëllim. Edhe unë jam përballur së fundmi me tension të lartë, ndaj kam mësuar të kujdesem më shumë për trupin tim. Përveç ushqimit dhe shëndetit fizik, është po aq e rëndësishme që gratë të mësojnë të menaxhojnë energjinë e tyre, jo vetëm kohën.
– Muzika është një pjesë e rëndësishme e jetës tënde. A ka një tingull, melodi apo instrument që për ty “tingëllon si Krishtlindje”?
Për shumë njerëz, tingulli i Krishtlindjes nuk është vetëm një këngë ppr është një ndjenjë e ngrohtësie dhe kujtimesh. Për mua, tingëllon si një kombinim i momenteve, të qeta, ndonjëherë i shoqëruar me tingujt e këmbanave ose një dueti me piano dhe violinë që përcon shumë qetësi. Është ajo lloj muzike që të bën të ndalosh për një moment, të marrësh frymë thellë dhe të ndihesh e lidhur me ndjesinë e paqes.

– Për ata që e ndiejnë fundvitin si periudhë vetmie, çfarë mesazhi do t’u dërgoje nga zemra?
Nëse ndihesh vetëm këtë fundvit, dije se Zoti është pranë teje, edhe kur askush tjetër nuk duket aty. Ai sheh zemrën tënde, njeh çdo frikë dhe çdo mall, dhe të do pa kushte. Lejo që dashuria e Tij të të mbushë shpirtin dhe të të japë paqe. Mos harro: nuk je kurrë vërtet vetëm, sepse Ai është gjithmonë me ty, duke të udhëhequr dhe duke të mbajtur fort në dorën e Tij.
– Në Vitin e Ri, çfarë dëshiron të kultivosh më shumë tek vetja: qetësinë, guximin apo besimin?
Në Vitin e Ri, unë zgjedh të mbaj qetësinë në zemër dhe besimin në çdo hap sepse paqja dhe besimi janë dhuratat që na udhëheqin drejt një viti më me shumë shpresë për jetën.
– Cila është fjala ose ndjenja që dëshiron të të shoqërojë gjatë gjithë vitit të ardhshëm?
Fjala që mund të të shoqërojë gjithë vitin është të jem e guximshme. E guximshme për ti thënë “po” jetës edhe kur frika më ndalon. E guximshme për të ndjekur ëndrrat e vogla dhe të mëdh, pa u dorëzuar. E guximshme për të dashur më shumë, për të falur më shumë dhe për tu ringritur sërish. Çdo ditë, ky guxim bëhet dritë që të udhëheq përpara, të vazhdosh pavarësisht sfidave.
– Dhe për fund, nëse Viti i Ri do të ishte një fillim i ri emocional, cili do të ishte hapi i parë që secili prej nesh duhet të bëjë?
Para se të ecim përpara, duhet të kemi një moment reflektimi që të shohim me sinqeritet emocionet tona, të pranojmë plagët e brendshme, zhgënjimet apo gëzimet e vitit që po mbaron. Një praktikë e thjeshtë është të shkruajmë një letër për veten, ku shprehim falje, mirënjohje dhe dëshira për vitin e ri. Ky veprim i vogël mund të hapë rrugën për qetësi dhe shërim emocional.
Bona Miekley mes festave të fundvitit…
• Një emocion që do ta lësh pas këtë vit?
Ndjenjën e fajit që nuk bëj gjithmonë “mjaftueshëm”. Ky vit më mësoi se mjaftueshmëria nuk matet me lodhje.
• Një moment i vogël që të bëri të ndihesh vërtet mirënjohëse?
Një moment i vogël që më bëri të ndihesha mirënjohëse ishte kur vajza më dërgoi një mesazh të thjeshtë: “Mami, të dua dhe të falënderoj.” Ishte e vogël, por më mbushi zemrën.
• Krishtlindja ideale për ty është…?
E thjeshtë, e ngrohtë, me familjen time dhe pa nxitim për të qenë perfekte.
• Një traditë e vogël festive që nuk e heq dorë kurrë?
Qiriri i ndezur me arome temjani dhe një lutje falënderimi.
• Dhurata më e bukur që ke marrë ndonjëherë (jomateriale)?
Besimi i grave që më kanë hapën zemrën e tyre dhe më kanë lejuar t’i shoqëroj në procesin e shërimit.
• Një frikë që këtë vit mësove ta përqafosh?
Frikën e të mos pasurit gjithmonë përgjigje. Ajo më mësoi të jem më njerëzore.
• Një fjalë që të ka shëruar më shumë këtë vit?
“Ti ke një mundësi të dytë”
• Nëse Viti i Ri do të kishte një tingull, cili do të ishte?
Një frymëmarrje e thellë pas një sfide
• Një zakon i vjetër që nuk do ta marrësh me vete në vitin e ardhshëm?
Të vë gjithmonë veten të fundit.
• Një dëshirë e heshtur për vitin që vjen?
Të vazhdoj të jem një dritë për gratë që kërkojnë shpresë, pa humbur kurrë veten në këtë rrugëtim.







