Presidenti amerikan Donald Trump mbolli një fidan të ri të martën për të zëvendësuar një pemë gati 200-vjeçare në Shtëpinë e Bardhë – duke e quajtur atë “MAGAnolia” sipas sloganit të tij “Make America Great Again”.
“Jackson Magnolia” historike, që besohet se ishte mbjellë nga presidenti Andrew Jackson në shekullin e 19-të, u copëtua për arsye sigurie të hënën.
Pema kishte mbuluar portikun jugor të Shtëpisë së Bardhë për shumicën e presidencave amerikane. Por kishte qenë në gjendje të keqe që kur një aeroplan i vogël u ul në lëndinë jugore dhe u përplas me të në vitin 1994, ku si pasojë humbi jetën piloti.
Shtëpia e Bardhë tha në një postim në X se Trump “kishte mbjellë një fidan të ri Magnolia në Shtëpinë e Bardhë – një pasardhës i drejtpërdrejtë i Jackson Magnolia historik”.
Gazetarëve nuk iu dha qasje në ceremoninë e mbjelljes, por Shtëpia e Bardhë postoi një video në mediat sociale të Trump duke gërmuar në tokë me një lopatë të veshur me ar dhe duke pozuar me një kopshtar.
Fidani i ri 12-vjeçar rrjedh nga pema origjinale të cilën, sipas traditës, Jackson e mbolli për të nderuar gruan e tij, e cila vdiq pak para betimit të tij në 1829.
Pema e vjetër supozohet se ishte vetë një fidan i sjellë nga shtëpia e tij në Tenesi.
Pema ishte më e vjetra në territorin e Shtëpisë së Bardhë, sipas Shërbimit të Parkut Kombëtar, që theksoi se duke filluar nga vitet 1870, shumica e presidentëve filluan të mbjellin pemët e tyre përkujtimore.
“Lajmi i keq është se çdo gjë duhet të marrë fund,” shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social” në mars, ndërsa njoftoi se pema do të duhej të pritej.