Jeta e ka vënë Blerinën përballë sfidave më të vështira, por asnjëherë nuk e ka thyer shpirtin e saj luftarak. Pas humbjes së vëllait nga kanceri, ajo vetë u diagnostikua me të njëjtën sëmundje dhe kaloi një betejë të gjatë me trajtime të mundimshme. Sot, edhe nëna e saj po përballet me këtë sfidë, por Blerina dhe familja e saj nuk dorëzohen. Me besim dhe forcë, ata vazhdojnë luftën e tyre, duke ndarë këtë histori për të dhënë shpresë dhe kurajë për të gjithë ata që po kalojnë të njëjtën betejë.
“Përshëndetje,
Unë quhem Blerina, jam një grua nga qyteti i Laçit dhe nënë e dy fëmijëve. Jeta më ka përballur me shumë sfida, dhe sot do të doja të ndaja historinë time me ju.
Para katër vitesh u diagnostikova me kancer malinj në gji, duke hyrë në një periudhë të vështirë dhe plot vuajtje. Nisi për mua një rrugëtim i gjatë me seanca të shumta kimioterapie dhe ndërhyrje kirurgjikale, pasi sëmundja u përhap edhe në pjesë të tjera të trupit. Për shkak se kanceri kaloi në gjak, iu nënshtrova një transplanti në Turqi. Ishte një periudhë jashtëzakonisht e vështirë, si për mua ashtu edhe për familjen time.
Kjo nuk ishte hera e parë që përballeshim me këtë sëmundje. Në vitin 2012, humba vëllain tim nga kanceri në tru, në moshën 28-vjeçare. Nuk kam as vëlla e as motër tjetër, dhe prindërit e mi i kishin sytë vetëm tek unë. Luftuam fort për të mos u dorëzuar, edhe pse ishte një betejë shumë e rëndë emocionalisht, shpirtërisht, fizikisht dhe financiarisht. Por ia dolëm! Arrita ta mposht sëmundjen dhe sot jam më mirë, edhe pse vazhdoj të jem nën kujdes mjekësor, me kontrolle dhe terapi të vazhdueshme.
Por duket se lufta jonë me këtë sëmundje nuk ka përfunduar. Para nëntë muajsh, nëna ime u diagnostikua me kancer malinj në gji. Ajo iu nënshtrua operacionit, seancave të rrezatimit dhe tani po ndjek kimioterapinë, duke u përballur me sfida të shumta shëndetësore.
Megjithatë, ne nuk jemi dorëzuar dhe nuk do ta bëjmë kurrë! Me besim te Zoti dhe me dashuri, do ta kalojmë edhe këtë sfidë. Jeta është shumë e çmuar për t’u dorëzuar.
E ndaj historinë time me ju për të mbështetur veten, familjen time dhe të gjithë ata që po përballen me situata të ngjashme. Uroj me gjithë zemër që të jenë sa më pak ata që kalojnë këtë sprovë.
Gjithmonë ka një zgjidhje! Ka besim dhe shpresë për të luftuar dhe për të jetuar. Asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi! ”