Jeto, këndo dhe rrezato si Bruna Smulja
Bruna Smulja është një emër që po bëhet gjithnjë e më i njohur në muzikën e gjallë shqiptare, edhe pse jeton dhe punon në Londër. Këngëtarja simpatike me flokë të gjatë dhe të zinj, e cila ka një zë të bukur dhe një sharm tërheqëse në skenë, ka arritur të ngjallë kuriozitetin e publikut. Ne kemi menduar t’i bëjmë disa pyetje interesante por edhe kemi marrë përgjigje interesante prej saj…!
-Po të kërkonin të bëje një duet me një personazh të huaj, cilin do të zgjidhje dhe pse?
-E nisët me pyetje të vështira.(Buzëqesh) Do të zgjidhja, ndoshta, një artiste që është si unë, me shumë jetë në skenë por edhe me shumë stil, si Shakira. Pse? Sepse dua të këndoj, por edhe të bëj disa lëvizje të çmendura në skenë! Pastaj, edhe Shakira ka flokë të gjatë, si unë, prandaj mund të bëjmë një konkurrencë të bukur! ( Buzëqesh)
-Si është jeta në Londër për një këngëtare shqiptare? Të mungon diçka nga Shqipëria?
- Për mua Londra është si një smoothie me shumë fruta: nganjëherë e freskët, nganjëherë e ftohtë, por gjithmonë interesante. Po, ndonjëherë më mungon kafeja shqiptare, ajo që pihet në mëngjes dhe të ngroh zemrën.
-Të imagjinojmë që je e ftuar në një festë madhe në Londër, dhe mund të bësh një super hyrje! Si do të ishte ajo?
-Më pëlqen kjo pyetje! Po, sigurisht do të futesha me një makinë all black (e gjitha e zezë) një muzikë të fortë dhe me flokët që fluturojnë nga era! Do të bëja një hyrje “dramë”, sikur të isha në ndonjë film hollivudian, dhe pastaj, do të ulesha pranë publikut në sallë, duke thënë: “Po, po, jam Bruna, ajo me zërin e fortë që do t’ju bëjë të kërceni edhe nëse nuk dini të kërceni!”
-Si e përshkruan profesionin tënd me një fjali?
-Kënga përdor tingujt për të tërhequr shpirtin e njerëzve prandaj dhe ne jemi përfaqësues të kësaj tërheqjeje. Duket si një përshkrim “i lehtë”, apo jo?
-Çfarë mban mend nga hera e parë kur u bërë pjesë e skenës dhe këndove përpara një publiku të madh?
-Ishte si një ëndërr që bëhej realitet! Mund të kisha qenë më shumë nervoze, por brenda vetes thashë: “Moj Bruna, po kjo është ajo që ke ëndërruar! Dhe, po, e dua këtë ndjesi!” Publiku të bën të ndihesh si super yll, dhe ti nuk mund të bësh asgjë tjetër veçse të këndosh me shpirt!
-Cila është ajo gjë që të bën të qeshësh gjithmonë?
-Epo, unë kam një hobi të quajtur “të shohim meme në internet”. Të qeshësh me meme është si një ilaç për shpirtin. Dhe s’ka gjë më të bukur se të ndihesh mirë duke qeshur me diçka që është e vogël, por që të lë shije të bukur.
-Kur ndihesh e lodhur pas një koncerti të gjatë, çfarë është ajo që të risjell sërish energjinë?
-Një shishe ujë dhe një bisedë me motrën time Blertën dhe miqtë e mi, sepse ata janë gjithmonë aty për të më kujtuar se duhet të jem gjithmonë e freskët dhe pas lodhjes.
-A ka një dashuri në zemrën e Brunës?
-Ah, ja këto pyetjet janë nga ato që unë përpiqem ti anashkaloj, por s’të lë ti…Unë kam filluar të besoj tek bestytnitë e s’kam qejf të flas më shumë, por di të them që jam shumë e lumtur!
-Një këshillë për këngëtaret e reja që duan të këndojnë muzikë të gjallë si Bruna…
-Mos harroni asnjëherë të këndoni për veten, jo vetëm për të tjerët. Sepse, nëse e bëni për veten, publiku do të ecë bashkë me ju si miq që ndihmojnë njëri-tjetrin. Ah, dhe mos e humbisni asnjëherë sensin e humorit, madje edhe në momente të sikletshme.(Buzëqesh)
-Ka projekte të reja në horizont?
-Nuk kam gjetur materialin e duhur për ta sjellë për publikun ashtu siç dua unë, duke qenë se jam shumë detajiste dhe kërkuese, e dua çdo gjë perfekte. Por, di të them që do të vendos shumë shpejt për të sjellë atë që po kërkoj prej kohësh:
-Në fund…Po të bëhej një film për jetën tënde, çfarë titulli do të kishte?
“Jeto, Këndo, Rrezato!”, sepse gjithmonë kam ndjekur ëndrrat për të gjitha arsyet, prandaj gjithmonë përpiqem të rrezatoj nëpër skena.
-Bruna, të falenderojmë për këtë intervistë plot humor dhe energji pozitive. Jemi të sigurt se do të vazhdosh të shkëlqesh me muzikën tënde!