Në një botë ku shumë njerëz e shohin kuzhinën si një profesion të thjeshtë, Gesti Lluca ka arritur të sjellë një frymë të re dhe të veçantë, duke e kthyer gatimin në një art të vërtetë. Ai ka një pasion të jashtëzakonshëm për detajet, kreativitetin dhe përkushtimin ndaj çdo pjate që krijon. Djaloshi me shpirtin e një artisti dhe zemrën e një profesionisti ka fituar zemrat e shumë njerëzve, duke u bërë një nga shefat më të dalluar të kuzhinës shqiptare.
Gesti Lluca është shembulli perfekt i pasionit dhe përkushtimit që ndihmojnë në suksesin profesional. Ai ka arritur të bëjë gastronominë jo thjesht një profesion, por një formë arti që frymëzon shumë të rinj dhe profesionistë. Me sipërmarrje si “Gesti Event”, ai vazhdon të lë gjurmë në botën e kuzhinës shqiptare dhe më gjerë.
Në këtë intervistë, Gesti na tregon më shumë për pasionin e tij, sfidat dhe risitë që ka sjellë në botën e gastronomisë.
-Gesti, ti je njohur për pasionin dhe kreativitetin që ke në kuzhinë. Çfarë të frymëzon për të krijuar receta të reja?
Frymëzimi për mua vjen nga çdo gjë që më rrethon. Sigurisht, familja ka një rol të madh, pasi është ajo që më ka mbështetur gjithmonë. Po ashtu, udhëtimet, takimet me njerëz të rinj dhe kultura të ndryshme janë burime të pafundme inspirimi për mua. Të krijosh një pjatë është si të krijosh një tablo; çdo ingredient duhet të jetë në harmoni me njëri-tjetrin.
-A mund të na tregosh diçka më shumë rreth sipërmarrjes tënde të re “Gesti Event”?
“Gesti Event” është një projekt që e kam nisur me shumë pasion. Nuk është thjesht një shërbim catering-u, por një mundësi për të transformuar çdo ngjarje në një përvojë të paharrueshme. Pjatat që krijoj janë të dizajnuara për të sjellë emocione dhe kujtime, duke i kthyer ngjarjet speciale në një formë arti. Për mua, çdo detaj ka rëndësi dhe kërkoj të ofroj diçka të veçantë në çdo aktivitet që organizojmë.
-Duke qenë se e përmende pak më lart, si ka ndikuar familja në karrierën tuaj profesionale?
Familja është shtylla ime e fortë. Ata më kanë mësuar se suksesi nuk është vetëm për ato që arrin, por për mënyrën se si i trajton njerëzit përreth teje. Dashuria për kuzhinën dhe përkushtimi ndaj saj janë vlera që i kam trashëguar nga ata. Pa mbështetjen e familjes, shumë nga arritjet e mia nuk do të ishin të mundshme.
-Cili është sekreti për të qenë një shef i suksesshëm, në përvojën tënde?
Sekreti është shumë i thjeshtë: pasioni, puna e palodhur dhe sinqeriteti. Nëse e do atë që bën dhe angazhohesh plotësisht, sukseset nuk vonojnë. Po ashtu, është e rëndësishme të jesh gjithmonë i hapur ndaj të tjerëve, të ndihmosh dhe të frymëzosh ekipin tënd. Një kuzhinë funksionon vetëm kur ka bashkëpunim dhe besim reciprok.
-Si e shohim kuzhinën shqiptare në nivel global? A ka mundësi për më shumë njohje ndërkombëtare?
Kuzhina shqiptare ka shumë potencial dhe tashmë është duke fituar terren në skenën ndërkombëtare. Pasuria e shijeve dhe diversiteti i saj mund të rivalizojnë çdo kuzhinë të botës. Kjo është një mundësi për ne që të promovojmë më shumë traditat tona dhe të sjellim më shumë vëmendje për produktet autentike shqiptare.
-Çfarë sfidash ke hasur gjatë karrierës dhe si i ke tejkaluar ato?
Çdo rrugë ka sfidat e veta, por për mua ato janë mundësi për t’u rritur. Në fillim të karrierës sime, sfidat e mëdha ishin në gjetjen e një publiku dhe krijimin e një emri të besueshëm. Por, me punë të palodhur dhe besim në atë që bëja, arrita të krijoja marrëdhënie të qëndrueshme me klientët dhe të ndërtoja një reputacion të fortë. E rëndësishme është të mos dorëzohesh kurrë dhe të mësosh nga çdo përvojë.
-Si e sheh të ardhmen në këtë fushë dhe çfarë planesh ke për të ardhmen?
Të ardhmen e shoh me shumë optimizëm. Kam disa projekte që duhen realizuar dhe një nga qëllimet kryesore është të vazhdoj të edukoj dhe të frymëzoj të rinjtë që duan të hyjnë në këtë industri. Duhet të krijojmë një trashëgimi dhe të kontribuojmë në zhvillimin e gastronomisë shqiptare. Gjithashtu, dua të ofroj mundësi për të sjellë më shumë inovacione dhe kreativitet në çdo pjatë që krijoj.
Advertisement