Përshëndetje! Jam Amanda, një vajzë 19 vjeçare nga qyteti i Tiranës. Në kohën e lirë e lexoj shpesh gazetën tuaj dhe më pëlqejnë shumë rubrikat e saj, veçanërisht rubrika e historive nga jeta. Meqenëse gjithmonë i kam pëlqyer historitë e publikuara, vendosa që edhe unë, me sa mundësi që kam, t’ju tregoj historinë time dhe do të doja shumë të merrja edhe disa këshilla nga lexuesit e saj, por pse jo, edhe nga stafi i gazetës. Siç ju thashë edhe pak më lart, unë jam 19 vjeçe dhe këtë vit filloj universitetin në degën Mjekësi. Jetoj në një familje të përbërë nga prindërit dhe dy motrat. Jemi një familje e thjeshtë dhe e lumtur. Unë jam një vajzë që më pëlqen shumë të lexoj dhe të mësoj sa më shumë gjëra të reja. Ëndrrën që kisha e realizova sepse shkollën që desha, e fitova, por edhe pse duket sikur çdo gjë shkon vaj, gjithmonë ka diçka që mungon dhe mua më mungon dashuria, dashuria e një mashkulli, një dashuri, një pëlqim që çdo vajzë e bën të ndihet më shumë femër. E ndjej veten shumë ndryshe nga çdo moshatare e imja sepse asnjëherë nuk e kam ndjerë këtë dashuri; kam pasur gjithçka, por atë jo. Ulem në kafe me shoqërinë dhe ndërkohë që ata flasin për të dashurit apo ish-të dashurit e tyre, unë thjesht dëgjoj, pa pasur mundësinë që dhe unë të jap një mendim, të tregoj një histori timen, por vetëm jap këshilla në ajër, pa përjetuar vetë asgjë dhe tregoj shembuj të ndryshëm, pa e pasur unë vetë një të tillë.
Gjithmonë jam kujdesur të mos e shkëpus në asnjë moment vëmendjen nga mësimet, në mënyrë që të mos pendohesha më vonë se pse nuk mësova. Në fakt, kjo ka ardhur edhe si pasojë e edukatës së marrë në familje sepse siç ju thashë, familja ime është një familje e thjeshtë, punëtore, pa një trashëgimi në vlera monetare që mund të ma trashëgojë mua dhe si rrjedhojë, e vetmja mënyrë për të qenë dikushi dhe për të ecur përpara është shkolla. Ndoqa me kujdes dhe vëmendje çdo këshillë të prindërve dhe në fakt, ëndrrën e realizova me fitimin e degës së Mjekësisë, por problemi është se pse unë nuk jam e lumtur. Ndjeva gëzim vetëm në momntin që mora përgjigjen dhe vetëm një javë më pas. Pastaj, çdo gjë u venit duke më ardhur keq për veten se pse nuk e kisha shijuar adoleshencën ashtu siç duhej. Shpesh, vetja më duket si qenie jo normale pasi unë, si askush nga shoqet e mia, nuk kam pasur asnjë lloj pëlqimi ndaj një mashkulli, asnjëherë s’e kam parë një mashkull si të tillë, por vetëm si shok. Kur ia them këtë gjë shoqes sime të ngushtë, ajo më thotë që nuk është asgjë e mbinatyrshme dhe që thjesht, unë i kam thënë “jo” vetes kundrejt këtyre gjërave sepse kisha gjëra të tjera më të rëndësishme se kaq, por unë përsëri nuk bindem dhe vazhdoj ta mendoj veten si jo normale. Po ju, si mendoni, është e vërtetë ajo që më thonë të tjerët apo është e vërtetë ajo që unë mendoj për veten?!
Personave që më rrethojnë u dukem shumë normale sepse mendojnë se nuk më mungon asgjë dhe shpesh, kur më pyesin se si po ia kaloj dhe unë u them: “Eh, mirë e shtyjmë, ç’të bëjmë…!” ata, shumë të habitur, ma kthejnë duke më thënë që s’duhet të them ashtu pasi kam gjithçka që një femër kërkon nga vetja; jam simpatike, inteligjente, e shoqërueshme, me një karakter të mirë dhe tip i përshtatshëm me çdo bisedë dhe moshë, por problemi qëndron në faktin që unë nuk e ndjej veten femër. E di shumë mirë që nuk jam ndonjë e shëmtuar apo tip i bezdisshëm, por s’e di, s’e di se çfarë kam. Para ca kohësh, nëpërmjet një shoqeje, kam njohur një djalë nga qyteti i Durrësit. Shkëmbyem numrat e telefonit dhe kështu, nisëm të flisnim, por ndërkohë që ai më dërgonte sms apo më telefononte, unë e ndjeja si bezdi dhe i përgjigjesha shumë ftohtë, derisa për disa kohë ai nuk më telefonoi më dhe mua, si për çudi, nuk më bëri aspak përshtypje, më dukej sikur ai nuk kishte ekzistuar ndonjëherë. Si mund të ndodhte kjo?! Ai nuk ishte ndonjë tip që nuk të bënte për vete pasi kishte disa tipare që çdo femër, përfshirë edhe mua, do t’i kërkonte te një mashkull, por mua nuk më bëri përshtypje. Pasi kaluan disa kohë, gjatë periudhës së verës, ai nisi sërish të më dërgonte sms, por mua përsëri nuk më bënte përshtypje derisa shoqja ime e ngushtë më “detyroi” që t’i kushtoja pak më shumë vëmendje sepse mbase po humbja një rast mjaft të mirë njohjeje dhe se ai duhet të ndjente pak pëlqim për mua pasi vazhdonte të këmbëngulte, edhe pse unë po sillesha shumë ftohtë me të dhe kjo ishte mjaft e dukshme. Më në fund, vendosa ta dëgjoja këshillën e shoqes sime e kështu fillova të flisja pak më gjatë me Indritin. Nisa ta njihja më shumë dhe në fakt kishte shumë cilësi që unë kërkoj te një mashkull; ishte inteligjent, vazhdonte një shkollë të mirë, punëtor dhe jo një djalë parazit shoqërie, simpatik dhe shumë tip i qeshur. Duke i parë të gjitha këto cilësi, edhe unë u binda që tashmë kishte ardhur koha që më në fund t’i jepja vetes mundësinë për të njohur një mashkull dhe, pse jo, edhe ta kisha pranë vetes më shumë sesa si shok. Nisa të tregohesha më e dashur me të, ama jo dhe aq shumë sepse ky është tipi im. Shpesh i flisja me ironi dhe nuk lejoja në asnjë moment që ai të dilte mbi mua apo që atij t’i dilte e tija. Llogarisja minutat qe ai vonohej të më kthente sms dhe unë i dyfishoja këto minuta për t’i kthyer sms tim e në shumë raste mbase ajo sms nuk i kthehej më, derisa ai të kujtohej përsëri i pari. Asnjëherë nuk kujtohesha unë e para për t’i dërguar një sms, vetëm në rastet kur më detyronte shoqa ime. Në çdo sms duhet të kishte patjetër ndonjë kunj, në mënyrë që unë gjithmonë të dilja më e mirë se ai. Në çdo moment i tregoja me të gjitha mënyrat e mundshme që nuk më interesonte fare dhe që ai po vdiste për mua, jo unë. Motrat më kritikonin gjithnjë dhe shoqja më thoshte se duhet t’i flisja pa dorashka, duhet t’i tregoja në shumicën e rasteve ate që në të vërtetë ndjeja sepse meshkujt e vlerësojnë shumë sinqeritetin. Unë, jo se nuk jam e sinqertë, por nuk e duroj dot faktin që një mashkull mund të mendojë se unë e pëlqej atë; më duket sikur kam ulur veten. Dhe ju kështu mendoni, apo jo?! Si përfundim, Indriti u largua, u bë kohë që nuk marr sms prej tij. A ishte faji im, apo thjesht ai nuk ishte bërë për mua? Sjellja ime ishte e gabuar apo ashtu duhej të veproja?! Këto janë pyetjet që më mundojnë çdo çast e jo pse nisa të ndjeja për Indritin, por problemi qëndron në faktin që a është kjo sjellja e duhur që unë duhet të bëj kundrejt meshkujve apo duhet të ndryshoj? Shoqja e ngushtë më thotë që nuk jam e përsosur dhe mbase kjo sjellje është gabim, por që unë as nuk duhet të përpiqem të ndryshoj karakterin tim sepse e para është shumë e vështirë dhe e dyta, sepse njerëzit e sidomos një mashkull, duhet të të dojë për atë që je dhe jo për atë që ai do të jesh se përndryshe ai nuk të do ty, por dikë tjetër. Ndonjëherë kjo që thotë ajo më bind dhe më bën ta dua karakterin tim kështu siç është, por shpesh e urrej veten dhe dua me çdo kusht të ndryshoj. Në qoftë se nuk ndryshoj, për mendimin tim, do ngel vetëm, askush nuk do më dojë, të gjithë do më quajnë një tip ironik dhe shumë indiferent ndaj të tjerëve, ndërkohë që ata që më njohin më quajnë qenien më të ëmbël në botë. Të gjithë do më largohen për shkak të karakterit tim, ama edhe në qoftë se ia arrij të ndryshoj, do të thotë që gjithmonë do jetoj me dyshimin nëse ata që kam pranë më duan mua apo atë që unë ndërtova për të qenë më e pranueshme prej tyre? Nuk e kam iden se çfarë do bëj, po kaloj mbase në një krizë identiteti apo s’e di çfarë është kjo, di vetëm që ndihem shumë keq me veten dhe me gjithçka që më rrethon. Zakonisht, ata që shkruajën histori, në fund japin një mesazh për lexuesit, por unë kërkoj që ju të jepni një mesazh për mua ndërmjet historive që mund të shkruani. Shumë faleminderit që e lexuat historinë time. Uroj që askush nga ju të mos e kalojë asnjëherë këtë që unë po kaloj…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *