Demokratët të mblidhen të shtëpia e tyre. Kështu tha pak ditë më parë Sali Berisha. Ishte kjo një direktivë politike, përkujdesje morale ndaj demokratëve të lënduar nga përçarja e këtyre viteve, një autokritikë e tij si shkaktar i vetëm i krizës, apo një urdhër luftarak si ai që dha tre vjet më parë për shpërndarjen dhe copëzimin e PD-së?
Nuk shpiegohet as me fjalorët e politologjisë, as të etikes, as të moralit, as të psikologjisë, as me konceptet e demokracisë liberale. I vetmi fjalor që do të na vinte në ndihmë është ai i terminologjisë ushtarake. Më së shumti duket si një thirrje a urdhër lufatarak për të mbledhur një ushtri që ishte shpartalluar dhe kishte ikur në drejtim të panjohur.
Pra, një model urdhëri për betejë, për luftë. Vetëm kështu Berisha kthehet te vetja, një kryebandit luftënxitës, që ka drejtuar një subjekt politik me falangat e së cilës ka vrarë njerëz, një grup paramilitar, me histori të pasur lufte kundër popullit të tij. Që do të thotë se, në mbarim të çerekshekullit të 21, në një vend antar të NATO-s dhe të familjes europiane, pushteti të merret me luftë, me përmbysje të dhunëshme.
E veçanta në historinë e PD-së ka qënë se eksperimentet e dhunës, të shkatërrimeve dhe prerjes së kokave, më parë se t’i realizonte ndaj popullit dhe instititucioneve shtetërore, ajo i ka eksperimentuar brenda vetes. Rasti me i freskët, ai i tre vjetëve më parë kur Sali Berisha, jo vetëm që e krijoi krizën brenda kësaj force politike, por po vetë ai e shtypi me dhunë.
Askush nuk duhet të gënjehet se urdhëri për rikthimin e demokratëve në shtepinë e tyre është më paqësor se ai i tre viteve më parë, që çoi në shpartallimin e partisë, ku u përdorën mjete të forta dhune, kazma dhe varé, dinamitë e lëndë plasëse, sharje dhe ofendime, përplasje fizike mes palëve, etj. Urdhëri për mbledhjen e demokratëve në vatrën e tyre, edhe pse në formë duket tepër paqësor, e ka dhunën dhe kërcënimin brenda, të fshehur thellë në shpirtin e tij prej diktatori. Ai është kërcënues, ultimativ, por i maskuar me buzëqeshje. Veçanërisht kërcënimi u adresohet deputetëve “tradhëtarë”. Nëse ata nuk rikthehen në stanin e partisë në këto orë të vështira për Berishën, duhet të mendohen mirë.
Ftesa nuk mungon edhe ndaj Bashës e grupit të tij, të mbetur vulëhumbur pa parti, pa simbole e fonde, të ekspozuar formalisht si kundërshtarë të Rithemelimit. Kalemxhinjtë e Berishës, kur përmëndin ftesë ndaj Bashës, e shqiptojnë atë me gjysmë zëri, me tone mosbesimi e qejfmbetje, sa për të larë gojën, me një llojë akuze të nënkuptuar si shkaktari i përçarje së madhe të PD-së. Naze të tilla fallco, si një përpjekje për të fshehur të vërtetën e të të ashtëquajturës përçarje në PD . Ato nuk mund ta fshehin entuziazmin se Basha, edhe pse nuk është nxënës i mirë në arithmetikë, ka prirje si aktor, pasi opozitarizmin fallco ndaj Berishës e luajti mirë. Ftesa për bashkim të PD-së, ndërsa duket si strategji e saj për hapjen e madhe, në fakt është fundi i një loje të madhe, e drejtuar nga Berisha e Basha, me qëllime të errëta, si thikë pas shpinës së demokratëve të vërtetë.
Janë disa fakte që të bindin, se “konflikti” mes tyre ka qenë një lojë e stisur me kujdes, e maskuar mirë, me mashtrime e skenarë të sofistikuar. Loja filloi kur Sali Berisha po shkonte drejt humnerës politike dhe juridike, kur ndaj tij u ngritën akuza për krimin e vjedhjes së pasurisë kombëtare, kur Berishës iu mbyllen portat e hyrjes në SHBA e Britaninë e Madhe dhe kur prej tyre ai u shpall “Non Grata”.
Kush ishin më të interesuarit për ta shpëtuar Sali Berishën nga një katastrofë e tillë? Pa dyshim ekstremistët e PD-së. Por kjo nuk mjaftonte nëse nuk do të përfshiheshin në lojë edhe ata që Saliun e shikojnë si një relike të domosdoshme për qëndrimin e tyre sa më gjatë në pushtet. Piramida e korrupsionit në Shqipëri ka qënë më e interesuara për shpëtimin e Berishës nga kthetrat e drejtësisë. Berisha mbetet shkolla e korrupsionit, si për të majtët, edhe për të djathtët, leksioni më i mirë se si mund të vidhet populli dhe shteti, avokati i djallit në fshehje të gjurmëve të krimit.
Të gjitha maskat e demokracisë ishin në krahun e Saliut.
Skenaristët e lojës së madhe për shpëtimin e Berishës synonin disa objektiva. Fillimisht të zbusnin disi atmosferën negative ndaj Berishës me mendimin se djalli Sali nuk është kaq i zi sa paraqitet. Më pas, me dinakëri ata mundën ta mbanin atë në lojën politike, edhe pse i mbyllur në kafazin e drejtësisë, por i lirë të vajtonte ”tragjedinë” dhe “disidencën” e tij. Pas këtyre erdhi faktorizimi i tij në politikë duke i rikthyer PD-në me të gjitha të drejtat e saj, duke i bërë hapur karshillëk si SHBA-së, edhe drejtësisë së re. Nuk do të jetë çudi kur një ditë ai të lirohet nga akuzat duke e shpallur ëngjëlli të antikorrupsionit e kështu, modeli i pandëshkueshmërisë shqiptare.
Bashës, si i përkëdheluri dhe besniku i Berishës, me sa duket i’u ngarkua roli kryesor në komedinë “Shpëtoni Berishën e prangosur”. Ai e respektoi skenarin e regjisë, falë edhe tipit të tij me lepur në bark nga ati i tij politik. Megjithatë, nuk ishte bindës në opozitarizmin ndaj atij që e kishte si birin e vet.
Një mëndje e zakonëshme zbulonte lehtë në lojën teatrale të Bashës fallcitetin e “kauzës” ndaj së cilës “përgjërohej”, zbrazëtinë e argumentave, mungesën e forcës ballafaquese dhe të guximit për të denoncuar krimet e Berishës. I vetmi argument i Bashës i përdorur ndaj Berishës ishte se ai ishte shpallur “Non Grata” nga Amerika dhe kaq.
Krimet e dyshuara Berisha i ka bërë në Shqipëri dhe jo në Amerikë, një fakt që Basha ose nuk e dinte, ose e fshihte. Për krime që i faturohen Berishës, Basha nuk pati guximin të fliste, por ai nuk foli as për krimet që të dy janë bashkëautorë, si vrasjet e 21 janarit, shitjen e detit, apo korrupsionit madhor në Rrugën e Kombit, etj. Aleanca mes kriminelësh nuk të lejon të bësh opozitarizëm të ndershëm dhe parimor.
Po opozitarizmi i Berishës ndaj Bashës cili ishte?
Veç mjeshtërisë aktoreske të Berishës, ashtu si edhe të shpirtëligësisë së tij duke përdorur fjalor banal dhe poshtërues, ai nuk bëri asnjë denoncim ndaj “opozitarit” Basha. Termat e përdorura nga Berisha në “luftën politike kundër Bashës” ishin ”Alibasha”, ”Brava”, ”skllavi dhe Izaura e Ramës”,etj. E shumta, këto cilësime mund t’i kritikosh si shkelje etike, por aspak si akuza dhe denoncime politike e juridike.
Pse kaq i kujdesshëm Berisha ndaj Bashës, trashëgimtarit të tij politik, kur dihet natyra e tij agresive dhe kolerike ndaj kujtdo që e konsideron kundërshtar të vërtetë politik? Nëse përplasja e tyre do të ishte e vërtetë dhe jo fallco, atëherë të gjithë do të besonin se kishin të bënim me një opozitarizëm dhe luftë politike të vërtetë.
Edhe partia e re që do të krijojë Basha është, në fakt, pjesë e kësaj skeme: vazhdim i lojës së nisur për qëllime të përbashkëta elektorale. Shumë partiçka të dala nga mitra e rraskapitur e PD-së, Berishës nuk i prishin punë, mjafton që ato të drejtohen hapur apo ilegalisht prej tij.
Por, nëse loja brenda PD-së u kuptua, intriga vazhdon e sofistikuar, me aktorë të rinj, me prapaskena dhe kurthe. Më pas do të mbetet vetëm gjurmimi i intrigës….
Advertisement