Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Populli nuk duhet ta lerë vetëm SPAK-un! Nga Agron Berdaj


SPAK u krijua në kushtet e një krize politike, ekonomike dhe institucionale që përjeton Shqipëria. E kaloi fëmijërinë i keqtrajtuar nga prindi politik një, apo nga ai dy a tre, por i mbështetur nga faktori ndërkombëtar. Tani që SPAK ka nisur të belbëzojë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, praktikisht ndodhet i shantazhuar nga njerkët politikë, të cilët mendojnë se janë prindërit e tij. Ata janë të detyruar nga halli të pranojnë se SPAK – më lejohet të përdor një krahasim, i ngjan Krishtit, i cili si krijesë nuk shpjegohet me ligjet e biologjisë, por me ato ideore, me atmosferën dhe frymën krijuese e misionare, me nevojën për ndryshime e zgjidhje. SPAK-u u detyrua të krijohej si nevojë jetike në luftë ndaj krimit të pandëshkuar fare në këto 34 vjet.
Tetë vjetë më parë, ditën kur në Kuvendin e Shqipërisë u diskutuan ndryshimet e nevojshme kushtetuese që i hapnin rrugë krijimit të SPAK-ut, në Gazetën ‘Intervista” e cilësova këtë krijesë si “Kali i Trojës dhe Reforma në Drejtësi”. Kundërshtarët e reformës në drejtësi, në dukje dhe nën presionin e ndërkombëtarëve, u detyruan të ngrenë kartonin jeshil të deputetit për pranimin e kësaj reforme, duke angazhuar, ndërkohë, “kartonin” e kuq të sabotimit. Theksova se forcat antireformë e kishin kuptuar se kundërshtimi i hapur ndaj reformës në drejtësi ishte vetëvrasje, dështimi i tyre politik. Ndaj ata ndërruan taktikën ku, në formë, i pranuan ndryshimet kushtetuese, por në përmbajtje, përgatitën “kalin dinak” të antireformës.
Koha vërtetoi se strategjia e antireformës është shoqëruar me aksione politike, me intriga dhe thashetheme, me propagandë denigruese ndaj SPAK-ut dhe me vonesa proceduriale. Në barkun e Kalit të Trojës për të sabotuar reformën në drejtësi, veç disa segmenteve politike antireformë, nuk munguan të ngjiteshin edhe forca të tjera brenda sistemit të drejtësisë, si e ashtuquajtura Shoqata e Prokurorëve, e Gjyqtarëve, e deri te Gjykata Kushtetuese.
Operacioni antireformë në drejtësi vazhdon edhe sot, tepër shurdhueshëm. Flamurin e luftës ndaj SPAK-ut e ka marrë në dorë opozita. Gjuha dhe etika e tyre prej rrugaçi është poshtëruese jo vetëm për ta, por për institucionin e tempullit të ligjvënies, vetvetiu për një popull të tërë. Ata, nga njëra anë shkojnë si lyëpsa në dyert e SPAK-ut dhe bëjnë denoncime edhe për gjëra qesharake e të pabazuara në ligje, ndërsa nga ana tjertër, kur vjen puna te llogaritë e tyre me drejtësinë, i kundërvihen dhe e santazhojnë. Për të luftuar kundërshtarin politik, ata me të drejtë i adresohen SPAK, ndërsa kur SPAK-u i thërret si objekt të drejtësisë, atëherë i adresohen anti-SPAKU-ut.
Politikisht opozita ka nxjerrë në treg teorinë se gjoja SPAK-u është kthyer në një vegël të pushtetit për të luftuar opozitën. E veçanta e frontit anti-SPAK, i udhëhequr nga Berisha, është se në të përfshihen të gjithë të korruptuarit, pa dallim përkatësie politike, besimi fetar, vendi që zenë në hierarkinë e korrupsionit, si ata që drejtojnë korrupsionin madhor, por edhe vjedhësit ordinerë. Atje kanë gjetur strehë të gjithë hajdutët, vrasësit, kriminelët, që nga “demokratët” e tipit Salianji, i akuzuar nga drejtësia, e deri te socialisti në arrati, ish numëri dy i qeverisë në pushtet, Arben Ahmetit, me një barrë akuzash për korrupsion. Mafja shqiptare kohët e fundit po i koordinon veprimet edhe me mafjen ndërkombëtare të botës sllave e të fondamentalistëve aziatikë, për të kërcenuar dhe shantazhuar SPAK-un, në misionin e tij, luftën ndaj krimit.
Misioni më i vështirë i SPAK-ut është shkatërrimi i lidhjeve të politikës me krimin. Ky mision nuk mund të kryhet me sukses nëse nuk do të njihen në përmbajtje lidhjet e nëndheshme të mafjes me politikën.
Në kohën e qeverisjes Berisha monopolin e mafjes e zotëronte vetë shteti. Ai ishte vetë mafja. Trafikantët dhe kriminelët ordinerë nuk guxonin t’i kundërviheshin mafjes qeveritare. Me këtë qeverisje lulëzuan të gjitha llojët e mafjes, si: ajo e grabitjes së tokave, e tjetërsimit të pronave, e ndërtimeve pa leje, e piramidave financiare, ajo e emigracionit, duke përfituar nga “reforma demokratike” e shkatërrimit të mbi 5000 fabrikave dhe uzinave dhe të të gjithë pasurisë kombëtare, ndër to edhe të ushtrisë. Sektorët publikë në këtë qeverisje vepronin si struktura mafjoze, si ajo e kontrabandës së naftës, e korrupsionit doganor, ajo e investimeve, e trafikurt të drogës, e “mishit të bardhë”, etj.
Në dorën e mafjes politike shqiptare kishte rënë siguria dhe sovraniteti i vendit. Ajo tentoi, jo pa sukses, të sabotonte luftën e popullit kosovar për liri dhe pavarësi. Mafja politike e bëri Shqipërinë plasdarmë, ku vegjetuan shërbimet sekrete të vëndeve të huaja të antishqiptare, antieuropiane e antiamerikane. Gjurmët e vrasjeve me natyrë politike që ndodhën në atë kohë, edhe pse nuk u zbardhën, të shpien në tunelet e errëta të mafjes politike të asaj qeverisje.
Në kohën e qeverisjeve të majta, vërtet u prish monopoli i mafjes qeverisëse, të drejtuar nga Berisha, por kjo nuk do të thotë se u luftua korrupsioni. Madje, në këto kushte, mafja joelitare u ndie më komode, pasi shpëtoi nga ajo qeveritare që zotëronte monopolin, sistemet e rrjetet korruptive, burimet e fitimit, që vinin nga krimi i organizuar. Në këto kushte, ajo ndjeu më tepër liri veprimi, ku e shtriu veprimtarinë e saj si brenda dhe jashtë vendit, duke qënë e sigurt në lidhjet e vjetra që kishte krijuar me mafjen ndërkombëtare.
Në kohën e qeverisjes Berisha, korrupsioni ndihej i sigurt dhe i mbrojtur, ndërsa në kohën e qeverisjes Rama, ai përjetoi pasiguri. Berisha ka treguar me prova se, për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin, ai i kundërvihej edhe drejtësisë e faktorit ndërkombëtarë, ndërsa Rama, të vetmen ndihmë që u jep të korruptuarve ishte se u trgon rrugën ku ndodhej godina e SPAK. Të korruptuarit në qeverisjen e PD-së tregoheshin të gjithëpushtetshëm dhe agresivë ndaj ligjit dhe forcave të rendit, se korrupsionin e shoqëronin edhe me gjak, ndërsa të korruptuarit e PS-së shfaqen si kaçakë e të frikësuar duke shfrytëzuar me dinakëri hapësirat dhe mundësinë e interpretimit të ligjeve dhe rregullave të tenderimeve në interes të përfitimeve korruptive. Të korruptuarit në qeverisjet e djathta kërkojnë thela të mëdha, duke e kthyer arkën e shtetit si ta kishin bankën e tyre private, ndërsa të korruptuarit në qeverisjen e Rilindjes nuk janë shumë qibarë, pranojnë edhe thërrimet, mjafton të pasurohen. Nuk është fjala për peshkaqenë të tipit Ahmetaj, e ndonjë ministri tjetër rilindas, ku siç flitet, synonin gjithçka në detin e korrupsionit.
Berisha ka qenë nëna e korrupsionit, i cili e shtriu atë në çdo qelizë të shtetit shqiptar. Ndërsa Rama, vërtet nuk është engjëll, as i imunizuar ndaj korrupsionit, por duket se nuk është as djalli që e ka ushqyer dhe nxitur atë. Fakti që drejtësia e re nuk ka denoncuar prova rreth korrupsionit të tij, ai mbetet deri tani imun në këtë drejtim. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka përgjegjësi për nivelin kaq të lartë të korrupsionit në vend. Aq më keq kur, të akuzuar nga drejtësia janë edhe disa drejtues të nivelit të lartë të zgjedhur prej tij. Ai nuk ndryshoi dot asgjë në imazhin e krijuar, ku duket sikur opozitarizmi mes forcave politike shqiptare nuk zhvillohet për ide, programe dhe alternativa zhvillimi, por se kush prej këtyre forcave politike e ka sofistikuar më tepër korrupsionin, kush e ka bërë më të rrëshqitshëm e të pazbulueshëm nga SPAK.
Rilindja, kur erdhi në pushtet, nuk e kuptoi, apo bënte sikur nuk e kuptonte, se mafja e mëparëshme qeverisëse u rrëzua nga pushteti, por jo nga influencat, përvoja, organizimi, nga lidhjet ndërkombëtare, e mbi të gjitha nga fuqia ekonomike e grumbulluar ndër vite. Nga qeveria e Rilindjes nuk u vlerësua drejt se lufta ndaj korrupsionit nuk është vetëm një çështje konceptuale, por edhe programore, praktike, vullneti, bilanci e ballafaqimi, e mbi të gjitha, reformash të suksesëshme.
Në momente refleksioni ndaj një korrupsioni galopant, kushdo shtron pyetjen se si janë zgjedhur drejtuesit e përfolur, çfarë formimi arsimor, kapacitete drejtuese e standardesh morale dhe etike kanë shfaqur ata më parë, si janë respektuar procedurat, rezultatet e testimit në aftësitë drejtuese dhe sa i kanë rezistuar tundimit ndaj korrupsionit. Përzgjedhja vetjake e drejtuesve të administratës, e bërë si deri tani me hatër e miqësira, duhet të zëvendësohet me metodat dhe kriteret që rekomandon shkenca e menaxhimit dhe ligjet e shtetit. Nivele kaq të larta të korrupsionit në vënd e bëjnë pis figurën e çdo drejtuesi shteti, edhe kur nuk e kanë ngjyer gishtin në tavën e korrupsionit.
SPAK, realisht gjendet në një fushëbetejë. Fitorja e tij ndaj frontit kundërshtarëve, anti-SPAK do të varet nga serioziteti dhe cilësia e punës së tij, por edhe nga mbështetja që ai duhet të gjejë në popull. Nëse pjestarët e SPAK-ut nuk e shikojnë punën e tyre si mision, por thjesht si të punësuar, me kushte e rroga të majme, dështimi është i sigurt. Nëse ata nuk do të përpiqen t’i ngjajnë heroinës italiane të antikorrupsionit, Silvia Kontes, por do të tremben nga Tano Karidët shqiptarë, atëherë prapë e kanë të humbur betejën. Nëse ata do të vazhdojnë t’i trajtojnë peshkaqentë e korrupsionit, të cilët kanë grabitur miliona nga arka e shtetit, si të barabartë në masën e dënimit me Shukrijtë e Gjicët, ku u dënuan se nuk kontrolluan dot epshet seksuale madje as në në zyrat e shtetit, prapë janë të dështuar.
Ndoshta ka ardhur koha që edhe në Shqipëri, me këtë nivel korrupsioni, në Kushtetutën e vendit, ky fenomen, si në shumë vende të tjera të botës, duhet të cilësohet e të dënohet si minues i sigurisë kombëtare. Ndërkohë, SPAK-u ka nevojë edhe për mbështetje popullore. Populli duhet të dalë në mbrojtje të tij, sepse SPAK, më afër se me këdo tijetër, është me popullin, me qytetarin e thjeshtë, i cili nuk ka tjetër mbështetje. Ky zgjim popullor do të shënonte një etapë të re të sindikalizmit shqiptar.
Populli nuk duhet ta lerë vetëm SPAK-un.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

“Afrodite Academy” do ndriçojë Sanfest me makeup glamour në Velipojë

Next Post

Shkëlqen talenti i ri; 7-vjeçari Amar Daci fiton çmimin e dytë në Festivalin XXVII Ndërkombëtar “Pianisti i ri”

Advertisement