Çdo teori, rrymë politike apo doktrinë që përfaqëson një “izëm”, për ta kuptuar duhet njohur e studjuar kushtet historike, koha kur dhe pse ka lindur, baza sociale dhe ekonomike si dhe strategjia politike e ideologjia që e udhëheq atë.
Po berishizmi, a mund të trajtohet si “izëm”?
Edhe berishizmi përfaqëson një “izëm”, por kurrsesi një doktrinë teorike e filozofike, një shkollë progresiste qeverisjeje, një alternativë zhvillimi demokratik, a një praktikë të mbështetur mbi baza shkencore. Berishizmi thjeshtë ka qënë dhe mbetet një rrumpallë, nëna e kaosit dhe dumbabizmit të Haxhi Qamilit, shkolla e krimit dhe e korrupsionit, një pleksje e bajraktarizmit me ekstremizmin fondamental.
Berisha, për 32 vjet në pushtet dhe në opozitë ka prodhuar vetëm berishizëm. Madje edhe sot, në kafazin e drejtësisë, ai vazhdon të emetojë anarki dhe rebelim shoqëror e ligjor, si vetia kryesore e berishizmit.
Berishizmi, për të marrë dhe mbajtur pushtetin, si armë të vetme përdor dhunën dhe krimin ndaj popullit dhe kundërshtarëve politikë. Për të qeverisur vendin përdor bajraktarizmin dhe kanunin. Sipas berishizmit, demokracia kuptohet dhe zbatohet si luftë për asgjësimin deri fizik të opozitës dhe të mendimit ndryshe. Ndërsa koncepti ekonomik i berishizmit bazohet në dhunimin dhe tjetërsimin e pasurisë kombëtare sipas atavizmit kanunor të “tokës së xanun”.
Berishizmi është një dukuri amorfe, kaotike dhe e rrezikshme për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Me të njëjtën rrezikshmëri, berishizmi shfaqej si dje kur Berisha ishte në pushtet, edhe sot kur është në opozitë. Edhe kur ishte i plotëfuqishëm e në delir sikur ai ishte vetë shteti dhe demokracia, edhe sot në gjendje gjysëm i gjallë e gjysëm i vdekur, thuajse i fosilizuar politikisht. Ai është shfaqur agresiv edhe kur zotëronte të gjithë PD-në, apo çerekun e saj, por edhe sot, i akuzuar për hajdut dhe kur i kanë mbetur vetëm kamikazet e partisë, paramilitarët e verbër, e besnikët e familjes së tij.
Ai vijon të prodhojë berishizëm.
Po kush e konsumon dhe kujt i intereson berishizmi? Me vdekjen politike të Berishës duhet të kishte vdekur edhe berishizmi, por nuk ndodhi kështu. Ata që e mbajnë gjallë berishizmin janë jo vetëm PD-ja, me të gjitha fraksionet e saj, por edhe pushteti, strukturat e drejtësisë, segmentet e shoqërisë që janë përfshirë në korrupsion dhe krime, administrata e paaftë dhe e ngarkuar nga pesha e padrejtësisve dhe rryshfeteve, etj.
Parcela eksperimentale e berishizmit vijon të jetë PD-ja, me të gjitha zgjatimet e saj. Nuk ka ndryshim në opozitarizmin politik, edhe pasi Berisha është shpallur i padëshirueshëm nga faktori ndërkombëtar, apo “Non Grata” për të folur me termin që i ka ardhur si pasaportë, edhe sot që drejtësia e ka mbyllur në kafaz. Nga bota demokratike Berisha është shpallur “Non Grata”, por PD-ja dhe copëzat e vështirë se shkëputen dot nga bajraktari i tyre. Edhe nëse aludojnë për ndonjë kritikë ndaj Berishës, ajo është artificiale dhe hipokrite. Ata nuk guxojnë t’i përmendin asnjë nga krimet që ai ka kryer, por vetëm thjeshtë se amerikanët e kanë shpallur atë “Non Grata”. Pse ndodh kjo? Sepse, në krimet për të cilat akuzohet Berisha, drejtuesit kryesorë të PD-së kanë qënë aktorë faktorë. Ndaj ata fshihen pas “Non Gratës” së Berishës për ta patur mirë edhe më Berishën, por edhe me ata që e kanë shpallur atë “Non Grata”. Këta bëjnë sikur janë ndarë me Berishën, por në të vërtetë janë berishistët më të egër dhe të pandreqshëm. “Opozitarizmi” i tyre, pa Berishën po dëshmohet të jetë më agresiv dhe më destruktiv në historinë e pluralizmit shqiptar. Djegia e mandateve të deputetit dhe braktisja e parlamentit me urdhërin e Bashës mund të jetë një rast unikal i anti-parlamentarizmit në botë. Ndërsa sot, shndërrimi i parlamentit në një arene rrugaçërie, dhune dhe terrori nga e ashtuquajtura opozitë, tregon se ajo është në degradim përfundimtar.
Veç luftës e intrigave,berishizmi nuk e njeh paqen dhe dialogun mes forcave politike. Vetëm pse një deputete e PD-së, në festën e Vitit të Ri, bëri një foto me bashkënxënësen e saj të fëmijrisë, sot deputete e PS-së, partia e saj sa nuk e çoi në trekëmbësh, pasi, sipas tyre, ajo kishte zbutur luftën me kundërshtarin politik!
Berisha e ka marrë rrugën e qabesë, por berishizmi mbetet ushqimi i vetëm shpirtëror dhe politik i kësaj opozite. Elitës së PD-së i ka mbaruar morali, nderi, kredibiliteti, vizioni dhe besueshmëria në elektorat, prandaj zbaton berishizmin si mjet për të mbijetuar. Edhe pa Berishën, por me berishizmin, PD-ja, dhe partiçkat e saj do të enden si çifuti në shkretëtirë, duke mbetur gjithmonë larg pushtetit. Pa reforma të thella deri në shkrirje dhe ringritje nga e para me kritere, parime dhe programe të reja, PD-ja do të mbetet një forcë politike e dështuar. Po kështu, pa dënuar krimet nën berishizmin, ’97, 21 Janarin 2011, e plot të tjera, ajo do të mbetet e bashkëkriminalizuar dhe kështu, potencialisht e ndëshkuar përjetë.
Po pozita dhe qeverisja e saj, ç’raporte kanë me Berishën dhe berishizmin? E vërteta është se ndaj Berishës ata kanë zhvilluar një luftë korrekte politike edhe pse ai ka qënë një subjekt i vështirë, i djallëzuar dhe me ngarkesa të forta skizofrenie. Por, pozita nuk e ka bërë këtë gjë edhe ndaj berishizmit. Ata Berishën e luftojnë politikisht, por berishizmin si shkollë e korrupsionit, e qeverisjes autokratike, e anti-demokratike, jo vetëm se nuk e kanë luftuar si duhet, por për fatkeqësinë e tyre dhe të vendit, kanë aplikuar metoda të berishizmit.
Oligarkia e krijuar sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, e të”Tokës së Zanun”, apo oligarkia e krijuar nga PPP-të, të dyja janë anti-ligjore, anti-shoqërore dhe rrënuese për popullin dhe shtresat në nevojë. Oligarkitë, në emër të fitimeve, prishin ekuilibrat ekonomikë e shoqërorë, ushqejnë korrupsionin, nxisin kriza dhe varfëri, dëmtojnë sigurinë kombëtare dhe polarizojnë shoqërinë, duke i bërë të pasurit gjithnjë e më të pasur dhe të varfërit gjithnjë e më të varfër. Edhe dje, kur oligarkia blu që e shpuri ekonominë e vëndit në katastrofë, por edhe sot kur ajo rozë që deklaron se në qeverisjen e saj është shumëfishuar buxheti i shtetit dhe se është dhjetëfishuar turizmi shqiptar, në të dy rastet, polarizimi i shoqërisë vijon të mbetet i skajshëm. Njëqindëfishohen rrogat e oligarkëve të parlamentit, të qeverisë dhe gjithë burokracisë së vendit, por pensionet, rrogat e puntorëve dhe ndimat sociale mbeten në nivelin e mjerueshëm të varfërisë, duke u kthyer në një dramë dhe plagë e rëndë në shoqërinë shqiptare.
Lufta politike e pozitës ndaj Berishës është e pasuksesëshme nëse nuk pastron veten nga sëmundja e berishizmit. Edhe të korruptuarit, edhe hajdutët e dalë nga kjo qeverisje, ditën bërtasin “Poshtë Berisha”, ndërsa në tunelet e errëta të korrupsionit ulërasin “Rroftë berishizmi”. A nuk bënë kështu edhe Ahmetaj nga arratia, edhe kandidatët e tjerë socialistë të cilët presin radhën për në SPAK?
Mbyllja e Berishës në kafaz nuk do të thotë se edhe drejtësia e re është çliruar nga berishizmi. Optimizmi që ka ngjallur SPAK-u, jo në pakë raste zbehet nga fakti se ende kanë frikë nga Berisha. Edhe pse organet e drejtësisë e kanë mbyllur në kafaz Berishën, është SPAK-u që e le të ndotë ekologjinë sociale, si dhe duke shkelur rregullat hetimore dhe procedurat ligjore. Mes SPAK-ut dhe gjykatës duket sikur luhet teatër në prapaskenë, ku organi i akuzës ngre pretenca rrënqethëse, ndërsa togat e zeza japin vendime qesharake duke bërë interpretime llastuese për Berishën dhe skuadrën e tij të kriminelëve. Teatri që duket sikur luhet nga SPAK-u dhe Gjykata, le të kuptosh se ato i drejton një regjizor passkenik. Është kjo një lojë berishiste apo paftësi e drejtësisë shqiptare, që në vend të peshores si simbol i drejtësisë, vazhdon të mbajë trungun e plepave?
E vërteta është se Berisha ka arritur në atë pikë saqë as berishizmi nuk i bindet më atij. Çuditërisht, këtë nuk e kuptojnë as disa të ashtuquajtur analistë, të cilët i zë gjumi në studjot televizive. Po iku Berisha – thotë një avokat i rënduar nga mosha, por njohës i mirë i teorive erotike, – Rama do të rrëzohet brënda dy ose tre muajve”. Një deputet i PD-së, me orientime të përfolura politike dhe jo vetëm, të lë të kuptosh se me ikjen e Berishës, (pa e sqaruar ikjen nga jeta, nga politika, apo si i dënuar), PD-ja do të bashkohet me partiçkat e saj, duke u bërë një faktor i fuqishëm opozitar. Ndërsa një botues gazete shprehet se largimi i Berishës sjell menjëherë opozitën në pushtet.
Po a mund të ndodhin këto edhe sikur Berisha të iki, ndërkohë që berishizmi është ende në komandë? Agresiviteti i opozitës shqiptare sot, të krijon përshtypjen se jo vetëm që nuk i ka dënuar krimet e saj në të shkuarën, por sikur është e gatëshme t’i risjellë përsëri në skenën politike shqiptare nëse vjen në pushtet.
Sipas këtyre “analistëve”, elektorati shqiptar do ketë humbur sensin e gjykimit, duke u bërë instrument i politikës e kështu, duke shpërfillur interesat e tij.
Jo, populli është i zgjuar. Ai e di se të gjitha partitë qeverisëse janë bërë pis nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Zgjedhja e të “keqes më të vogël” nuk ka qënë dëshira dhe preferenca e tij, por e detyruar nga mjerimi politik dhe shoqëror i shkaktuar nga politikat e këqia. Edhe pse i pakënaqur dhe i pezmatuar, ka qënë i detyruar të zgjidhte partinë e së keqes më të vogël dhe jo partinë e katastrofave dhe rrënimit. Populli ka pranuar thërrimet dhe lëmoshat e qeverisë, kur të tjerët i prenë fare kotheren e bukës dhe e hodhën në rrugë të pashpresë. Me përbuzje, populli ka pranuar edhe gjysmën e gjelit të Vitit të Ri, kur të tjerët i dhanë gjysmën e lekut në ballë, kur e vranë, e vodhën dhe e gjymtuan. Nuk votojnë partinë e krimeve monstruoze, por nga halli ia japin votën partisë që, edhe pse premton se do t’i zbulojë kriminelët, në fakt harron shpejt dhe shkel mbi krime. Populli e kupton gjithashtu, se demokracia e vërtetë nuk vjen duke zgjedhur mes të këqiave, por mes alternativave më të mira. Këtë elektorati duhet ta shikojë si misionin e vet. Në se vijon prap të zgjedhë mes të këqiave, atëherë vetë populli është bashkëfajtor.
Advertisement