Intervistoi: Fabjola Kuburi
-Anila Hetoja, artistja e penelit të pikturave dhe interior dizajnit. Si të pëlqen të personifikohesh më shumë?
-Janë dy dashuri që nuk do i ndaja nga njëra-tjetra, pasi piktura ka lindur me mua dhe jam e sigurt që do më shoqërojë për shumë kohë, për të mos thënë në Infinit. Ndërsa profesioni si arkitekte e brendshme ka një diapazon të gjerë, ku imagjinata nuk ka kufi dhe sfida ngelet për t’i realizuar. Kjo është e bukura e të qenit arkitekt i brendshëm. Dhe si piktore e kam më të lehtë për të realizuar çdo projekt, ndaj nuk mund t’i ndaj nga njëra-tjetra.
-Si do e përkufizojë një artist me tre fjalë?
-Njeri me humanizëm, shpirt krijues, i mprehtë.
-Çfarë ke në duar aktualisht, çfarë po zien në një mendje artistike si e jotja?
-Aktualisht po merrem me një projekt ku në bazë qëndrojnë motivet tradicionale dhe tematika patriotike. Në fokus janë dy vendet tona, Kosova dhe Shqipëria, ku do i gërshetoj në një telajo me përmasa shumë të mëdha, dhe do të fokusohem edhe në monumentet e trashëgimive kulturore të dy vendeve tona. Ne jemi një komb, flasim një gjuhë. Ku ka më bukur sesa t’i prezantojmë në një telajo si një të vetëm.
-Studimet e tua të kanë ndihmuar për secilën prej fushave që po ndjek. Je e njohur brenda dhe jashtë vendit?
-Mendoj se karriera është një angazhim në një përvojë pune që përfshin arritje dhe përparime mbështetur në një nivel të lartë përvoje në një fushë të caktuar, ku në rastin tim jam përqëndruar në fushën e artit dhe për këtë më është dashur të heq dorë nga profesioni si ekonomiste dhe të merrem me art (degë që ka qenë ndihmë e madhe për mua, pasi kam përballuar me lehtësi shumë situata në punën time të përditshme lidhur me anën ekonomike). Për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, mes shumë uljesh e ngritjesh, por asnjëherë nuk jam dorëzuar. Mendoj që falë punës dhe sigurisht talentit kam arritur këtu ku jam. Por, kam shumë rrugë për të bërë.
-Duke qenë se keni jetuar edhe jashtë gjatë studimeve e më pas, e tani jeton e vepron në Shqipëri, a mund të besh një paralelizëm mes vendit tonë dhe vendeve të tjera, Kanadasë konkretisht, në vijën artistike por edhe në atë të arkitekturës së brendshme?
-Jeta jashtë vendit për mua ishte një përvojë e vyer, me të mirat dhe vështirësitë e saj. Ka ngjashmëri sa u përket trendeve në arkitekturë dhe arredime të brendshme, me një luhatje të lehtë. Mendoj se kemi një qasje Europiane, sesa një të Amerikës së Veriut. Sa i përket artit pamor, vlerësohet jashtëzakonisht krahasuar me vendin tonë. Si individ, ka një ndryshim të madh, pasi ato jetojnë për vete e jo për fasadë. Punohet fort dhe pa asnjë qasje politike, siç ndodh në vendet në zhvillim.
-Një grua e kuruar si Anila, ia dedikon edhe profesionit një imazh kaq të bukur?
-Për mua paraqitja ka rëndësi , por nuk është gjithçka. Është shumë e rëndësishme që njeriu të vishet nga mirësia. Sa i përket profesionit dhe punës së përditshme, sigurisht që ka lidhje, pasi janë elemente që jetojnë me ty. Janë detaje që nuk mund t’i neglizhosh në punë. Ngjyrat gjithashtu janë të pandara, si në artin pamor dhe në arredimin e ambienteve, dhe sigurisht që kjo vjen nga dëshira që kam për to. Ngjyrat veshin shpirtin tim artistik e figurativ. Nuk mund ta shoh botën pa ngjyra, dhe kjo është një armë e fortë imja, që më dikton në çdo projekt.
–Nëse do kishe veten përballë, cilën pyetje do i bëje më shpesh dhe cilën nuk do i bëje kurrë?
-Çdo ditë pyes veten se çfarë do bëj nesër, cili është projekti i radhës. Kurrë nuk do kisha guxim t’i thoja vetes “Mos u merr më me art”.
-Nga e gjen frymëzimin për pikturat e tua. Cila është muza jote më e dashur?
-Mendoj se jam në fazën më të mirë sa i përket krijimtarisë. Kam mjaft ide, por më duhet shumë kohë për t’i përmbushur. Kjo vjen nga përvoja, dëshira për të bukurën. Frymëzimi im vjen nga natyra, njerëzit e mi më të dashur dhe energjia që më japin e marr nga to. Vjen nga muzika, një libër i mirë, sidomos ato me histori të vërteta nga Lufta e Dytë Botërore. Më intrigon mënyra si e kanë përballuar jetën njerëzit në atë periudhë. Shoh ku kemi qenë dhe sa shumë ka ndryshuar njerëzimi. Po ecet me hapa të frikshëm drejt teknologjisë, ku çdo gjë është komercializuar. Individi është thjesht nje “follower”, një numër, në këto ditë të teknologjisë që është pushtuar pa mëshirë nga çdo individ. Ndaj i qëndroj faktit që frymëzohem nga njerëzit e mi më të afërt dhe që i kam mbështetje në artin që bëj.
-Vitin e kaluar realizove edhe ekspozitën “Sensitive”, një sukses për të cilin u fol gjatë, shija e të cilit ka mbetur ende sot nëpër mediume dhe rrjete sociale. Kujt ia dedikon këtë sukses?
-Më pëlqen të vij ndryshe në çdo ekspozitë. “Sensitive” ishte një ndër ekspozitat që u prit mjaft mirë, për të mos lënë pas ekspozitën “Folk” pas kësaj ekspozite, që u mbajt në galerinë Oda në Shkodër. Kjo, falë tematikës dhe dedikimit, ku kam dashur të prek natyrën femërore, natyrën e ndjeshme të saj. Kam dashur që femrën ta ngre në piedestal, që të marrë vendin që i takon. Këtë sukses ia kushtoj familjes dhe miqve të mi, që më mbështesin në çdo event timin.
-Sa “Sensitive” është Anila për aktualitetin në fushën e pikturës sot në vend?
-Si një artiste e re, ndonëse kam rreth tridhjetë vite që merrem me art, di të them që vendi ynë është një burim arti, ku artistë të mëdhenj e të rinj përfaqësojnë denjësisht vlerat e tyre artistike brenda dhe jashtë vendit. Talente që fatkeqësisht nuk trajtohen mirë nga anomali të tejskajshme politike në vend. Duhet të ketë një qasje më njerëzore, më konkrete e të sinqertë, e jo thjesht disa bashkëpunime që më shumë janë përkëdheli militanteske të disa artistëve apo intelektualëve, që shfaqen dukshëm në konjukturat politike. Mendoj që artistët nuk duhet të preken nga anomalitë politike, por t’u jepet vlera që u takon. Shpresoj që arti në Shqipëri të ketë një periudhë tjetër lulëzimi e vlerësimi.
-Një ekonomiste që flet përmes artit. Çfarë i lidh këto dy pasione-profesione?
-Janë dy profesione që i bashkojnë mprehtësia, korrektësia dhe mënyra se si i mendon gjërat. Për mua ka qenë një ndihmë e madhe, pasi ecën paralel me profesionin tim si arkitekt i brendshëm, që më ka lehtësuar në procesin tim të punës.
-Anila, duke u orientuar drejt linjes së interior-dizajnit, cilat janë trendet për verën 2023 – dimër 2024?
-Teksa stinët ndryshojnë, është me rëndësi që edhe ambientet tona të fillojnë të ndryshojnë. Sezoni pranverë-verë është e përkryer për të ripërtërirë shtëpinë, duke qëndruar në kontakt me trendet e reja. Nuk është e thënë të shpenzoni. Mund të krijoni një ambient të freskët e veror me çfarë keni, mjafton të bëni lëvizjet e duhura dhe të përdorni fantazinë tuaj. Largoni perdet e trasha. Lejoni që shkëlqimi i dritës nga jashtë të pasqyrohet brenda. Përdorni elemente shtesë dekorativë. Trendet e ngjyrave për vitin 2023 janë nuancat e blusë, grisë, perlë, elementet e bronzit, bakrit, argjendit, shkëlqimi i artë e kristali. Janë një risi letrat murale 3D dhe patinimet zbukurues që realizojnë pamje 3D. Disa nga stilet më trend këtë periudhë janë ai bashkëkohor, neoklasik e industrial.
-Çfarë kërkojnë apo parapëlqejnë shqiptarët? Për çfarë shpenzojnë më shumë në këtë fushë?
-Kjo është një periudhë e vështirë për ndryshimë të mëdha në arredim. Vendi ynë po përballet me krizen ekonomike e energjitike. Këto ndikojnë drejtpërdrejt në çdo qytetar dhe në shportën e gjithkujt, por dëshira për të bukurën, për të ndryshuar, për të dalë nga monotonia e për të vazhduar përpara bën që klientët tanë të kenë dëshirë të ndryshojnë ambientin ku jetojnë, si verandat, dhomat e ndenjes, qoftë edhe me detaje të vogla që nuk kushtojnë, si qirinj aromatikë, një kuvertë me ngjyra të stinës, nënkresa dekorative, etj. Shpenzimet më të mëdha që shqiptarët bëjnë këtë kohë janë panelet diellore e ngrohja qendrore, pasi janë investime të përhershme që nuk duan shumë mirëmbajtje.
-Nga 1-10 sa do e vlerësoje përkushtimin e shqiptarëve ndaj dizajnit të brendshëm? Sa i kurojnë familjet shqiptare ambientet ku jetojnë apo punojnë?
-Vihet re një përkushtim dhe dëshirë për ndryshim sa i përket ambientit ku jetojnë e punojnë, qoftë pranë institucioneve private apo shtetërore. Një pjesë e mirë e jetës së individëve kalohet në zyrë, e për pasojë po i japin rëndësinë që i takon, ndonëse shpenzimi mbetet faktori kryesor.
-Sigurisht që merr vlerësime pa fund, por a merr kritika? Nëse po, si i menaxhon ato?!
-Vlerësimet janë shpërblim që marrim pas një pune të lodhshme e të bukur njëkohësisht, por edhe kritikat kanë vlerën e tyre pasi janë si pasqyrë ku sheh veten dhe e ndihmon të ecësh përpara e të përmirësohesh. Flas për kritikat konstruktive. Në fillimet e mia nuk është se i merrja me shumë sportivitet, sepse kisha dëshirën e madhe për të krijuar dhe vetëm për të ecur përpara, por me kalimin e viteve dhe me pjekurinë aristike, kritikat për mua janë vlerësim, sepse kritikët e artit po merren me veprën tënde, dhe kjo është ajo që më shtyn të marr pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe ekspozita të shumta mes artistësh të tjerë, sepse aty rritesh profesionaisht.
-Një ekspozitë në ardhje? Projekte apo plane që nuk t’i mban shpirti i entuziazmit dhe do të na i thuash, edhe pse ndoshta janë në përgatitje e sipër?
-Në mendjen e çdo artisti ndihet dëshira për të ndarë me artdashësit krijimet e tyre. Ku ka më bukur sesa t’i ekspozosh ato në galeri, vend ku shpirti i artistit gjen qetësi. Aktualisht kam një sërë projektesh, si në arkitekturë dhe në art pamor. Mendoj se këtë vit do jem pjesmarrëse në “Sallon Vjeshte 2023” në Galerinë e Artit në Shkodër.
-Një mbyllje e bukur për këtë intervistë, si shkodrane që je, si do ishte?
-Do doja ta përmbledhja me një thënie mbi sekretin për të qënë i lumtur. Sekreti i jetës nuk është të bëjmë atë që na pëlqen, por të pëlqejmë atë që bëjmë. Le të mjaftohemi me ato që kemi!