Intervistoi: Fabjola Kuburi
–Diniela Lera, moderatorja simpatike e eventit më të madhë në Shqipëri për 2022, “Lumturo dhimbjen”. Si erdhi ky bashkëpunim me Brixhidën dhe si t’u propozua që ky event të jetë nën moderimin tënd?!
– Ky bashkëpunim nuk erdhi rastësisht! Me Brixhidën njihemi prej disa vitesh dhe çuditërisht jemi takuar për herë të parë në një event mode të organizuar në atë kohë, nga mediumi ku unë punoj ende! Brixhida me siguri ka parë tek unë dëshirën për t’u përfshirë në evente bamirësie, një dëshirë që unë jo vetëm e kam shprehur, por edhe e kam pasur pjesë të formateve të mia televizive! Në 2019 u zgjodha të jem imazhi i sfilatës, veshur si nuse, pas daljes nga pandemia e gjeta veten të përfshirë jo vetëm si moderatore, por edhe si pjesë e grupit organizativ! Një detyrë totalisht vullnetare, të cilën ideatorja dhe organizatorja e “Lumturo Dhimbjen” ma besoi dhe uroj të kem bërë punën e duhur!
-Tre gjëra unike nga ky event madhështor, mund t’i përmendësh?
-Unike është vetë kauza mbi të cilin ngrihet ky event, të ardhurit në ndihmë për fëmijët që vuajnë nga sëmundja e kancerit. Fakti që gjithçka që lidhet me përgatitjen e eventit, duke nisur që nga detajet më të vogla, pjesa teknike, vendi i realizimit, pjesëmarrja e stilistëve, modeleve e plot të tjera janë falas, që do të thotë për këtë event nuk paguhet asgjë, të gjithë së bashku jemi vullnetare! Kontribues që n’a bashkon dëshira për të ndihmuar! Kontributet monetare dhe ato të fituara nga shitja e veshjeve të secilit stilist, shkojnë në ndihmë të fëmijëve me kancer në Spitalin “Nënë Terezë”. Si të tretë do shtoja faktin që evente të këtij lloji janë unike sepse bëjnë bashkë njerëz të mirë, me zemër të madhe!
-Ky është viti i disatë që kjo nismë ka marrë udhën drejt perfeksionizmit vit pas viti, është dhe merita jote dhe e kontributit tënd të vyer dhe shpirti që ke dhënë. Mendon se do jetë kështu edhe në vitet në vijim?
-Të falenderoj për fjalët e ngrohta! Kemi shumë besim se “Lumturo Dhimbjen” do ketë një rrugëtim të gjatë, me të njëjtin qëllim fisnik, me të njëjtin përkushtim dhe transparencë! Kemi dëshirën e mirë të mos dalim jashtë qëllimit të përcaktuar dhe shpresën që të gjejmë akoma më shumë mbështetje! Duke njohur Brixhidën, e them me bindje që gjëra të bukura dhe të vyeshme n’a presin!
-Gjetje është edhe emërtimi fantastik “Lumturo dhimbjen” një poemë zemre që prek shpirtrat e atyre fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e rënda. Kam besim se Zoti do e shpërblejë shpirtërisht këtë nismë hyjnore që keni ndërmarrë. Je e lumtur me punën që ke bërë?
“Lumturo Dhimbjen” është një slogan i përzgjedhur nga vetë Brixhida dhe sinqerisht godet fort në një kohë kur e dëshirojmë aq fort atë të shtrenjtë lumturi mes dhimbjes! Unë personalisht prirem të shoh të bukurën tek secili, prirem të shoh të mirën edhe tek shpirti më i errët, ndaj edhe i mëshoj fort kësaj! Të jesh pjesë e grupit organizativ brenda një eventi kaq madhështor dhe të ndjeshëm nga ana tjetër, nuk është e lehtë por kur gjendesh brenda një stafi të ngrohtë që fal shumë dashuri, respekt dhe mirëkuptim, punët marrin drejtimin e duhur! Besoj kam dhënë më të mirën time dhe do përpiqem edhe më shumë në vazhdim!
-Si do e mbyllnim këtë intervistë të shkurtër, por më shumë dashuri brenda?
-Do e mbyllja me një falenderim shumë të madh për të gjitha ata vullnetare që ju bashkuan kauzës, për të gjithë ata që me shpirt kontribuan për fëmijët e sëmurë! Do doja t’ju falenderoja edhe ju që nëpërmjet kësaj interviste i bëtë bashkëudhëtarë të kësaj nisme! Qofshim përherë të rrethuar nga njerëz me zemër të bardhë që ndihmojnë në kauza të tilla!