Librat dhe të shkruarit janë për mua shpëtim nga e përditshmja, njohja e botëve të pashkelura!

Të intervistoj emra të ekraneve tona televizive ndoshta ka qenë një nga elementet më të bukura që kam bërë gjatëpunës time në median e shkruar, por të intervistoj personazhe si Egla Xhemali që persiaton çdo përgjigje nën efektin e ëmbëlsisë letrare mund të jetë 1 në 1 milion. E kam shijuar këtë intervistë në çdo gërmë të sajën sepse bota e Eglës është ajo bota ideale që të gjithë gazetarët e skalisin nëmendjet e tyre por pak e arrijnë. Egla është pjesë e grupit mediatik “Syri.TV” dhe mbulon sektorin e kulturës, njësektor i lehtë në dukje por i përbërë nga mijëra qeliza profesionale që bëjnë të tërën e asaj që duket në kronikat që ajo realizon. Le të njihemi më shumë me të, duke i lënë hapsirën e merituar mendimeve të qendisura me fijet e letërsisë…! 

Fabjola Kuburi: Egla, ky sezon i ri të gjen tek “Syri Tv”, si gazetare kulture, e cila po bën vendin e saj në media. Por, kush është Egla Xhemali përtej ekranit?

Egla Xhemali: Gjithmonë kam dashur të mbetem e pandryshuar, në ekran e përtej tij. Në përditshmëri, jam vajzë e thjesht, e mirësjellshme dhe e kudogjendur, për ata që i konsideroj të shtrenjtë. Jam selektive si natyrë, ama, njerëzit që mbaj afër i dua me shpirt.

– Sot je në këtë pozicion mediatik, po nesër, cili synon të jetë publiku yt dhe çfarë formati do të të pëlqente?

– Dështira për t’u marr me kulturë ka qenë e hershme. Unë kam studiuar Gjuhë-Letërsi. Jam rritur në një familje, ku lexohen gjithë kohës libra. Në fakt, zgjedhja për të vijuar gazetarinë ka qenë shumë rastësore. Tanimë u bënë tre vite. Ftesa për t’u bërë pjesë e Syri Tv dhe për të pasur hapësirën e intervistave me personazhet, më dha mundësinë për tu futur në skutat më të thella të problemeve, që ka sot kultura dhe për të njohur në disa dimensione të tjera njerëzit që i përkasin kësaj fushe. Besoj se shumica e atyre që i ndjekin lajmet e kulturës janë ajka e shoqërisë, njerëzit e formuar, ndaj kam dëshirë që formati, që me gjasë do e kem së shpejti, të rroki jo vetëm aktivitetet më të rëndësishme të javës, intervistat me artististët, por edhe të preki anën e errët të të gjitha ngjarjeve që ndodhin.

 Vetë sektori i kulturës është sektor i këndshëm që kërkon oratori, por jo vetëm. A ka ndonjë sekret që nuk i lë specialet apo kronikat të bëhen të mërzitshme?

– Sekreti i vetëm është që ta duash temën që do të trajtosh dhe të thellohesh në të. Në fakt, mua nuk më kanë pëlqyer kurrë gjërat që bëhen shpejt dhe thjesht. Gjithçka do kohën e vet. Materialet e gjata, specialet, duan shumë përkushtim. Përpiqem që, përmes ndërhyrjeve me tekst të mos i bëj të lodhshme për dëgjuesit. Imazhet pastaj dhe muzika e përplotëson punën.

– Sa ka ndikuar te ti drejtimi që ke ndjekur, si profesionalisht, ashtu edhe emocionalisht?

– Leximi më ka ndihmuar shumë profesionalisht. Njohja me shkrimtarët e huaj dhe ata të letërsisë shqipe, që kur isha fare e vogël ishte një parapërgatitje e mirë, për atë që zgjodha më vonë. Natyrisht që kjo ndikoj edhe në botën time të brendshme.

A ka disa kritere të veçanta që duhet t’i përmbushë një gazetare e medias vizive?

Mendoj se ,si fillim, duhet ta njohë mirë fushën, të cilës i përket. Duhet të jetë e lexuar dhe të ketë ide inovative. Kohët e fundit, këto që përmenda më sipër, kanë kaluar në plan të dytë, duke i kushtuar më shumë rëndësi pamjes së jashtme.  Ajo që është e bukur është e dukshme, ndaj duhet ti mëshojmë pak më tepër pjesë së formimit.

Ndërkohë që fillimet e tua i ke nisur në median e shkruar, cila është dashuria e vërtetë, ajo e shkruar apo televizioni?

– Media e shkruar dhe televizioni janë binom i pandashëm. Sprova ime e parë ka qenë “Gazeta shqiptare”. Nga aty mori udhë dëshira për ta njohur televizionin. Të shkruarit është tjetër emocion. Është një mënyrë e mirë për t’u shprehur gjatë dhe për të thënë shumë, pa patur presionin e kohës dhe idenë se po bëhesh e mërzitshme.

Komplimentet, fakti që të tjerët deri diku të njohin nga ekrani, të gëzon apo të vë në siklet?

Gëzohem shumë kur njerëzit e pëlqejnë punën time. Nuk ka më bukur se sa të vlerësojnë për atë që ti bën. Them se ky është komplimenti më i veçantë, që mund të të bëjnë shikuesit.

Do të doje të ndryshoje aktualisht ndonjë gjë në jetën tënde?

-Njeriu është në çdo çast në kërkim të së mirës dhe gjërave që e përplotësojnë. Do të doja të kisha më shumë kohë për të shpenzuar me familjarët dhe miqtë. Më mungojnë orët e gjata të leximeve në bibliotekë dhe rrugicat, që më mbushnin me ajër netëve.  

Cila është filozofia që beson për të qenë e lumtur?

– Beso në vete, mbaj pranë ata që do, mëso nga gabimet.

– Sipas teje çfarë ofron moria e madhe e emisioneve në televizionet shqiptare?

– Programet e shumta janë një mundësi e mirë për të zgjedhur se çfarë do të shohësh. Kështu, teleshikuesit i ofrohen shoë, emisione politike, ekonomike, kulturore dhe sociale. Është në dorën e tij se cilën zgjedhë për t’u informuar.

– Pasionet e tua më të mëdha…

– “Po të pyetesha sot se përse e dua letërsinë”, përgjigjja që më vjen spontanisht në mendje është: sepse ajo më ndihmon të jetoj”. E nisa përgjigjen me këtë shprehje të Tzvetan Todorovit, pasi më duket shumë intime. Librat dhe të shkruarit janë për mua shpëtim nga e përditshmja, njohja e botëve të pashkelura dhe përmbushje shpirtërore. Një pasion tjetër është muzika. Më pëlqen muzika rrok, klasike dhe e lehta. Në thelb, edhe për shkak të leximeve mbetem një romantike e pandreqshme. (qesh)

– Libri që të ka lënë pa mend?

Lista e librave që kam lexuar është pak e gjatë. Megjithatë, dua të them që bazat e leximeve të mira i kam që prej fëmijërisë. Në periudha të ndryshme, kam shijuar kryevepra botërore dhe ato të letërsi shqipe. Ka disa kohë, që më ka rrëmbyer libri i Milan Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies”. I jam rikthyer disa herë me po të njëjtën kënaqësi të leximit të parë.

Ke shumë ëndrra që s`të janë bërë ende realitet?

– Ne zgjohemi çdo ditë me ëndrra të reja. Disa prej tyre ende nuk më janë realizuar. Do të veçoja mësimdhënien në auditor dhe dëshirën e jashtëzakonshme për t’ju rikthyer studimeve letrare.

I përshkruan dot emocionet që po ndjen këto ditë?

E kam ca të vështirë të përshkruaj emocionet e këtyre ditëve të fundit. Herë pas here përhumbem në grima lumturie, ndërsa pjesën tjetër të kohës mundohem të gjejë një ekuilibër ndjesor. Jo gjithçka shkon siç duam.

Me kë i ndan?

– Gjithë përjetimet e mia ia besoj mamit dhe miqëve më të ngushtë. Ata janë strehëza më e ngrohtë dhe janë kurdoherë aty për të më dëgjuar, këshilluar dhe mbështetur.

Çfarë aspiron të arrish?

-Të rritem më shumë profesionalisht dhe të kontribuoj në studimet letrare.

Egla, çfarë ka fundi në fund?

– Ne e zgjedhim vet çfarë duam. Unë shoh dritë, ngjyra dhe shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë se ditët, që po kalojmë sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *