NGA AURORA LUSHEJ
Logopede/ Terapiste ABA
Mund të duket më e lehtë dhe më e shpejtë t’i bëni gjërat gati për fëmijën tuaj në vend që t’i lejoni ata t’i bëjnë vetë. Kur fëmijët rriten, ata duhet të marrin më shumë përgjegjësi. Ti nuk po i bën nder fëmijës kur kryen çdo detyrë bazike për ta. Në fakt, duke u mësuar në këtë mënyrë, ata mund të zhvillojnë varësinë ndaj jush apo të tjerëve edhe për gjërat më të vogla (imagjinoni një fëmijë adoleshent që ju pyet për çdo gjë, pavarësisht se mund t’i bëje vetë fare mirë!).
Në mënyrë që të rritni vetëbesimin dhe përgjegjshmërinë tek fëmija juaj, ndiqni këto 5 këshilla.
- Bëj një listë
Krijo një listë me detyra që fëmija yt duhet t’i bëje vetë, si përshembull, të vishet apo të mbledhë lodrat e tij. Flit me ta për gjërat që ata mendojnë se mund t’i bëjnë. Nëse nuk janë të sigurt, mund t’i praktikojnë në praninë tuaj. Eleminoni detyrat që mendoni se ata nuk janë gati për t’i bërë. Mbani mend, fëmijët përformojnë më mirë kur e dinë se çfarë pritet nga ata.
- Mos prit përsosmëri
Fëmijët janë akoma duke zhvilluar dhe duke njohur aftësitë e tyre motore, kështu që mund të kenë incidentë të tilla si: derdhja e qumështit kur duan ta mbushin gotën vetë. Kur ndodhin të tilla incidente, mundohuni të mos i kritikoni apo të reagoni në mënyra të tilla që ata të ndihen keq. Në vend të kësaj, ndihmojeni ta provojë përsëri derisa ta mësojë. Bëjeni të kuptojë se të gjithë bëjmë gabime, asnjë nuk është perfekt.
- Jepi kohën e duhur
Fëmijët kanë nevojë më shumë kohë sesa të rriturit për të përfunduar detyra të caktuara. Jepini kohën e duhur për të parandaluar stresin tek ata. Përshembull, nëse fëmijës tënd i duhen 10 minuta për të veshur rrobat e veta në mëngjes, filloni rutinën ditore më herët. Me praktikë, ata do mësojnë të bëjnë më shpejt të gjitha detyrat e tyre.
- Zhvillo një rutinë
Fëmijët kanë nevojë për rutinë për të menaxhuar përgjegjësitë e tyre. Nëse rutina ditore ndryshon vazhdimisht, ata do bëhen të hutuar. Shpjegojini atyre kur duhet të kryejnë detyrat e tyre. Përshembull, tregojini që duhet t’i mbledhin lodrat e tyre para se të flenë gjumë.
- Lavdëroje
Fëmijët kanë shumë dëshirë që të vlerësohen për gjërat që bëjnë. Lavdërojini ata kur bëjnë detyra në mënyrë të pavarur, mbi të gjitha nëse është diçka që ata e kishin të vështirë ta bënin në fillim. Jepini kurajo kur ata ndihen të frustruar për diçka që nuk e kanë bërë mirë.
Kur ju i jepni fëmijëve mundësinë të kryejnë detyrat vetë, ata fillojnë të zhvillojnë konceptin e përgjegjshmërisë dhe arritjeve. Kur rriten, ata do të jenë të aftë të përdorin aftësinë e zgjidhjes së problemeve (kur fëmija i kryen vetë detyrat e tij, ai mëson të zgjidhë “problemet” që dalin rrugës, përshembull, kur i marrin lodrën në park dhe duhet të gjejë mënyrën si ta marrë lodrën përsëri) në kapërcimin me lehtësi të situatave të vështira. Në terma afatgjatë, nxitja e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë, formon një karakter me vetëbesim dhe vetëvlerësim të lartë, të respektueshëm dhe të aftë të kuptojë nevojat e tij dhe ti arrijë ato!
Burimi: Humanum.al