Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Shënime nga Qiproja/Nga Agron Berdaj

Qipro është nje nga  ishujt më të mëdhenj të Mesdheut.

Me një gjeopolitikë dhe histori të veçantë.

Sipërfaqia është 9.251km katror dhe populsia 875.000 banorë.

Advertisement

Ka një vijë bregdetare 648 km e gjatë. Dëndësia e popullsisë është 94.1banorë/km katror. Nga mirëqenia zë vendin e 31-të në botë. Një ishull i ndarë në dy përkatësi shtetërore ,Republika e Qipros grekoqipriote  dhe Republika turkoqipriote. E para pjesë e BE-së, kurse tjetra jashtë saj. Nuk është antare e NATO-s, edhe pse dy tutorët e tyre Turqia dhe Greqia, janë antare të saj. Vija kufitare mes dy pjesëve të ishullit është gati 180 km e gjatë .Krahasuar me sipërfaqen  e Ishullit një madhësi e tillë është e konsiderushme .Kujtojmë këtu  se gjatësia e kufirit ndarës mes  dy Gjermanive  ishte 1400 km i gjatë, dhe ai  mes dy  Koreve është  248 km i gjatë  dhe 4 km i gjërë. Qiproja jugore ka si flamur hartën  e ishullit me ngjyrë të verdhë ne një sfond të bardhë  që simbolizon paqen. Si himn shtetëror  ka atë të Greqisë .Ndërsa turkoqipriotët kanë si flamur gjysmëhënën dhe një yll, të vendosura në një sfond të bardhë me dy vija të kuqe. Edhe pse flamujt shtetëror i kanë simbolet e paqes dhe bashkjetesës, por situata politike rreth tyre nuk duket kaq miqësore.

Zona e gjelbër

Kurioziteti për të parë nga afër se ç’përfaqësonte një zonë e tillë, si funksiononte  ajo, mekanizmat e përdorura në  ndarjen e kufirit dhe mënyra e menaxhimit të problemeve që mund të lindin, më bëri të vëzhgoja me vëmendje gjithçka , kur vinte rasti të kalonim atje. Lëvizja  ishte e lirë dhe pa pengesa . Në shumë pjesë të këtij brezi nuk dallohej se ku fillonte dhe mbaronte zona gri dhe ku vazhdonte  kufiri shetëror mes dy komuniteteve. Kjo ndodhte sidomos në qytete, pasi në terrene të hapura dalloheshin qartë vija e kufirit dhe ndërmjet tyre, zona gri. Marrëveshja  për ndarjen e ishullit nuk mund të ketë kaluar pa probleme. Kështu në zonën e Trulos  ndalohej mbajtja e forcave ushtarake me uniformë dhe nëse do të kishte të tillë, ata duhet të visheshin me rroba  civile. Po kështu banorëve të zonës u jepej e drejta të mbanin armët në shtëpi dhe në rast agresioni të mbronin zonën përkatëse .Në fshatin Athjenu vendasit  tregonin një histori se si e kishin ruajtur zonën të pa prekur nga lufta. Meqenëse sulmi i ushtrisë  turke në këtë zonë në vitin 1974 ishte kryer natën, fshatarët për t’a mashtruar armikun kishin ndezur traktorët duke krijuar përshtypjen tek kundërshtari, se atje  kishte  reparte tankiste, ndaj edhe ai ndryshoi drejtimin e sulmit duke e lënë të pa prekur fshatin Athjenu. Kurse një fshat pranë Athjenus  ishte brenda kufirit turk dhe  lidhej me pjesën grekoqipëriote vetëm me një rrugë kalimi.  Në zonën e Kallogrezës njerëzit të tregonin tapitë e pronave që ndodheshin në zonën gri ,por e kishin të ndaluar të shkelnin në këtë zonë. Ata vetëm shpresonin se një ditë do t’i përdornin pronat e tyre. Më tutje një qytet vërtetë i bukur bregdetar me ndërtesa të larta sikur sulmonin qiellin, i quajtur qyteti Varosha në vazhdim të  Amohostosit ,një nga perlat e turizmit në Qipro. Ndryshe banorët e vendit e quanin Varoshën si qyteti i vdekur ose qyteti i mbyllur .Dhe vërtet ashtu ishte, i vdekur. Kishte 47 vjet që atje nuk kishte jetë ,gjithçka e braktisur, ku heshtja dhe rrënimi natyror po e gërryenin nga brenda gjithçka të bukur si në përralla. Pronarëve qipëriotë grekë u ndalohej të shkonin atje  pasi pronat e tyre ishte përtej zonës gri ,ndërsa qipëriotët turq, si duket e ndienin veten në mëkat të përdornin prona që nuk u përkisnin .Ndaj edhe qyteti po tretej i rrethuar ushtarakisht, i braktisur ndërkombëtarisht , i pa mbrojtur nga rrënimi natyror .

 Në  zonën gri janë të vendosura  forcat e OKB. Ato kryejnë detyra në ruajtjen e qetësisë, në vëzhgimin dhe menaxhimin e situatave , në parandalimin e  veprimeve të tejkaluara të mundëshme  civile dhe ushtarake nga te dy palët.  OKB-ja ,në Qipro ka një seli që menaxhon paqen mes të dy palëve dhe  ndërmerr  nisma të shpeshta  për të gjetur zgjidhje sa më paqësore në afrimin  mes dy  komuniteteve . Edhe pse kanë kaluar gati 46-vjet nga prezenca e këtyre forcave  në këtë mision duket si e largët koha e  ikjes së  tyre nga ishulli.

Nga forma tepër e lakuar e kufirit veçanërisht në qytete  të lë të kuptosh  se përleshja  mes forcave pjesmarrëse në konflikt  ka qënë e ashpër ,agresive  e shpejtë  dhe me plot  rreziqe. Është bërë  luftë për një gur ,për një shtëpi për një rrugicë , apo një vend dominues ,për një vijë uji . Kufiri sidomos në kryeqytetin e vendit, Nikosia ,por edhe në vende të tjera të populluara i ka  ndarë objektet e banimit ,ato social- kulturore ,dhe tregtare mes për mes. Në këtë lloj ndarje e veçanta ishte se banorët qipriot grek nuk kishin bërë as edhe një hap prapa nga vija e kufirit.Telat me gjemba që ndanin kufirin kalonin në oborrin e shtëpisë, poshtë dritares ,në kopshtin a kotecin e pulave.  Banorët atje  ndienin në çdo moment lëvizjet , veprimet dhe sigurinë e  ushtarëve të OKB . Ndërsa qipriotët turq i kishin braktisur ndërtesat në vijën e kufirit  dhe ishin vendosur disa dhjetra  metra më larg .

Shkelësit e zonës gri

Për gjatë vijës së kufirit   duket se mbizotëronte  një qetësi e admirueshme.Të vetmit që nuk e respektonin vijën kufitare ishin zogjtë e qiellit ,pemët që e shtrinin hijen, rrënjët, degët dhe prodhimet e tyre  sa në njërën pjesë  të kufirit në tjetrën . Edhe akustika që prodhonin xhamitë dhe kishat në kohën e  funksionimit të tyre, nuk donin t’ja dinin për kufij shtetëror ,për prezencën e forcave të gjelbëra ,  të  rojeve kufitare , apo për  komisionet e  menaxhimin të  konflikteve   .  Këto akustika më tepër se nervozizëm të  banorëve ndërkufitar  u kujtonin atyre  kohën para lufte, ku gjithçka funksiononte në harmoni të plotë, ku brenda kësaj bashkësie respektoheshin edhe kishat edhe xhamitë ,edhe ritet krishtere edhe ato myslimane,edhe prifti edhe hoxha. Në zonën  e gjelbër më tepër se militarizimi i saj, siç ndodh shpesh në kufijtë mes shteteve, të bënte përshtypje fakti se objektet e kultit në këtë brez ishin me një denduri të pazakontë .Ato qëndronin hijerënda përballë njera tjetrës sikur donin të thoshnin se  nuk donin t’ja dinin për vija kufitare ,ushtarë ,vedimet e OKB,për telat me gjemba që në shumë vende ishin të ndryshkura dhe ngjanin  si relike. Një denduri kaq e madhe e kishave dhe xhamive në zonën gri dukej si shenjë kundërshtie dhe mospajtimi me  teoritë dhe praktikat ndërkombëtare në  ndarjen e kufinjëve ndërshetërorë, të zbatuara  deri më sot nga e drejta ndërkombëtare  .

Krahas parimeve llogjike ,të mirëkuptimit ,vlerësimit të kofiguracionit të terrenit , historisë ,gjuhës dhe kulturës të  popullatave  ,në ndarjen e kufijve  sipas tyre  duhej llogaritur  edhe dendësia e objekteve të besimit .Kisha katolike në Nikosia hyrjen e kishte në brezin e gjelbërt dhe trupin në pjesën turke .Në krah të saj ndodhej  Ambasada e Vatikanit ,dhe një rrjet shërbimesh humanitare ku shumë emigrantë katolik  të ardhur nga Afrika, Azia dhe  Lindja e Mesme, atje gjenin mbështetje dhe përkrahje ekonomike .  

Për xhaminë me dy minare  në pjesën turke sa kaloje zonën e vdekur në kryeqytet ,banorët vendas të thoshnin se ajo më parë kishte qënë kisha me emrin Agjio Sofia ,por ishte kthyer shumë koh më parë  në xhami .Ndërsa në teritorin e Qipros greke, ekzistonin një numër i madh  xhamish, ku edhe pse nuk kryenin shërbime  fetare, pasi besimtarët ishin larguar në pjesën turke, dukeshin të mirëmbajtura. Ato nga banorët vlerësoheshin si objekte kulti, ndaj nuk i preknin  edhe pse  i përkisnin një besimi tjetër. Qëndrime të tilla tregonin për kulturë dhe emancipimim  shoqëror të qiprotëve .

Përballë zonës gri, kujtesa e kombit

Ajo që të bënte përshtypje kur ndodheshe në  zonën gri ishte se në vijë të parë të kufirit , si në formacion luftimi, ishin vendosur  memorialet e të rënëve, pavarsisht se kujt periudhe historike i përkisnin. Rëndësi kishte se ata kishin dhënë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit , ndaj përmendoret e tyre duket sikur thoshin se heronjtë e tyre  ishin të gatshëm të rivriteshin sa herë rrezikohej atdheu i tyre .Kjo vlerësohej  si frymëzim dhe pjesë e edukimit moral dhe atdhetar të brezave . Në një përmendore kolektive ishin shkruar emrat e të rënëve në luftën për pavarësinë e ishullit  ndaj anglezëve ne vitet 1950 ,pak me tutje lexoje emrat e 286 të rënëve në  Nikosia ,në luftën e vitit 1974, kundër ndërhyrjes ushtarake turke të koduar “Ajsheja po shkon për pushime “,që shpuri edhe në ndarjen e ishullit në dy pjesë. Një ndarje që të linte të kuptoje se ishte e paravendosur më parë nga faktorët politik të brendëshëm dhe të jashtëm. Konflikti i brendëshëm mes forcave politike në Qipro ,kishte qënë  mes grupimit politik  që kërkonin për ishullin  një zgjidhje mbi baza etnike, dhe të grupimit  që kërkonte  pavarësinë e ishullit .Mosmarveshje të tilla jo vetëm që shpunë  në një luftë të brendëshme të egër, por i hapën rrugën  ndërhyrjes politike dhe ushtarake nga jashtë  . Në këtë rreshtim historik të heronjëve qipëriot nuk mungonin edhe ata që kishin luftuar dhe rënë në luftën kundër juntës ushtarake në Greqi  .Këta luftëtarë ishin të bindur  se politikat fashiste të kësaj  junte kishin patur ndikim direkt edhe në zhvillimet politike dhe ushtarake në Qipro .

Pranë zonës së gjelbër ,ndodheshin edhe memorialet e  vullnetarve të ardhur nga Greqia në mbrojtie të sovranitetit të Qipros .  E rëndësishme ishte se objekte të tilla historike vizitoheshin jo vetëm  nga turistët ,por edhe nga nxënësit e shkollave dhe rinia, si pjesë e programeve mësimore . Mesazhi ishte i qartë se ai vënd dhe komb që përbuz dhe nënvleftëson historinë e vedit të tij, mjerisht është i destinuar të humbasi në kushtet e një globalizmi të sotëm të shfrenuar.

Një mjedis që flet

 Historinë e Qipros mund ta mësosh, jo vetëm nga librat dhe muzeumet që ishin me bollëk ,por edhe nga vetë mjedisi ku kaloje ,nga terreni dhe objektet e vendit të cilat akoma ruanin hijen e rëndë të luftës ,shënjat e plumbave , të predhave dhe pozicionet e betonuara që nga ajo  kohë .Jo vetëm në zonën e vdekur, por edhe në thellësi të vendit shikoje akoma shtëpi, ndërtesa ,pozicione luftarake të betonuara  . Ato emocionalisht të ngjallnin atmosferën e luftës  .Kisha parë në Kroaci ,në Slloveni ,në Bosënj , që në muret e ndërtesave për kujtesë historike, ruheshin shënjat e luftës , të shkaktuara nga  ushtria  agresive  sërbe. Por në Qipro nuk kemi të bëjmë thjesht me simbolika apo realitete që i përkasën të shkuarës .  Atje kemi të bëjmë  me një teatër që  ruan edhe sot, atmosferën dhe  gjurmët e  luftës. Kudo vija të përgatitura për mbrojtie ,pozicione luftarake me transe, fuçi dhe  thasë  të mbushura me rërë ,mure të ndërtuar me goma makinash,të cilat  ruheshin që nga koha e asaj  lufte. Historia  e luftës  të vitit  1974 në Qipro, si çdo luftë në botë ishte tragjike dhe e dënueshme . Dhe sikur të mos mjaftonte ky tragjizëm ndaj një vendi të vogël si Qiprua , në vitet shtatëdhjetë , duhej edhe një luftë tjetër , akoma më fatale ,agresive dhe çnjerëzore , në vitin 1999, në fund të po këtij shekulli ,po prapë ndaj një vendi të vogël, këtë radhë ndaj   Kosovës . Agresorët në të dy rastet nuk  kanë zbatuar ligjet e luftës ,se ata nuk u ndeshën vetëm me ushtritë  kundërshtare ,por ushtruan dhunë edhe ndaj popullsisë civile, duke kryer krime lufte .  Ata,  lanë pas shkatërrime , varre kolektive ,histori masakrash ç’njerëzore, përdhunime të tipit fashist ,të nxitura nga urrejtja rraciste . Statistikat në Qipro bëjnë fjalë për 3500 të vrarë dhe 3000 të zhdukur ,humbjen e gati 40% të territorit të ishullit. Akoma edhe sot, flitet për shumë përdhunime dhe shkatërrime .Ndërsa në Kosovë, në frontin e luftës kanë dhënë jetën 2018 dëshmorë, 11.840 viktima, kanë humbur jetën 3400 fëmijë, dhe 1400 të moshuar ,20.200 gra janë  përdhunuara, kurse 100.589 shtëpi janë shkatërruar. Qiproja dhe Kosova pavarsisht nga largësia gjeografike, i bashkon dhimbja e përbashkët ,padrejtësitë historike të bëra ndaj tyre ,coptimet dhe luftrat që u kanë kufizuar sovranitetin dhe lirinë.  Çdo ftohje ndërmjet tyre dhe ca më keq pozicionet e kundërta gjeopolitike , i bën ato edhe më tepër viktima të kohës.

Por le të vazhdojmë me përshkrimin e zonës gri, ku më tepër se një vijë ndarëse mes dy komuniteteve të Qipros ,duhet parë si një padrejtësi që i bëhet ishullit ,si një dhimbje për një coptim të tillë .  Në disa vende zona gri e ndante në dy pjesë edhe  kështjellën gjigande të Nikosias, të ndërtuar nga romakët  . Atë,  që nuk mundën ta coptonin e shkatërronin  ushtritë e perandorive të kohës ,  e copëtoi  marrëveshja e armpushimit e vitit 1974, mes ushtrive pjesmarrëse ,dhe i mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar  .

Më tepër se një shekull më parë Perandoria Osmane ja shiti ishullin mbretërisë  angleze  .Ndërsa në  vitet 50 të shekullit të shkuar u zhvillua një lëvizje e fuqishme popullore për pavarsinë e Qipros ,e cila u realizua me sukses .Sot kështjella e coptuar duket sikur i bën apel kohës për të ruajtur unitetin dhe vlerat e saj historike ,si dëshmimtare e denjë e zhvillimeve shekullore .Nga qeveria e Qipros  greke ky mesazh gati mitik duket se është kapur dhe po  punohet për ta rritur madhështinë e kësaj kështjelle .Me një projekt tejetej të bukur synohet që  në hapsirat poshtë mureve të kështjellës, përmes punimeve të artit, po ndërtohet pjesa moderne . Atje ku në lashtësi janë  zhvilluar lojrat e gladiatorëve , garat me kuaj, olimpiadat  ,lojrat me armët e kohës me heshta dhe shpata, sot po ndërtohen vepra social kulturore duke i dhënë keshtjellës një bukuri të veçantë .

Një paqe e kërcënuar

Përpjekjet e brishta për paqe, por dhe kërcënimet  janë një realitet i kohës që jetohet në Qipro. Negociatat   për një zgjidhje të përshtatshme politike në shërbim të paqes ,mirëkuptimit dhe përfitimeve të përbashkëta ekonomike nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Një e tillë ka nisur edhe tani e iniciuar nga OKB ,por pa shumë sukses. Marrëveshja e kohëve të fundit  e Turqisë me Libinë ka prekur  edhe interesat strategjike dhe hapësirat ujore  të Qipros. Në këto konflikte parësore mbeten  interesat ekonomike.  Bëhet fjalë se në këtë zone të Mesdheut ndodhen 4.8 trilionë metër kub gaz, dhe 1.9 miliardë fuçi nafte . Tregues të tillë po përcaktojnë një hartë të re të aleancave energjitike në rajonin e Mesdheut . Republika e Qipros greke nuk pretendon të jetë faktor përcaktues  në zhvillimet në Mesdhe ,por duke ndërtuar aleanca dhe traktate me shtetet e tjera mesdhetare synon të  rrisi  pashën e saj  specifike në këtë zonë . Koha është e mbushur me incidente kufitare, shkelje të sovranitetit kombëtar nga ajri dhe deti ,me nota proteste e akt-akuza ,me denoncime në gjykatat ndërkombëtare dhe forumet botërore .Pra në rajonin e mesdheut, si dhe në Qipro,  vazhdon të  jetohet një paqe e kërcënuar.

Shqipëria dhe Qiproja

Të dya janë vende të vogla, por me vlera në planin gjeostrategjik .Si vende mesdhetare nuk janë shquar mes tyre  për marrëdhënie të ngushta shtetërore .Në qëndrën Antipina ku festohej pritja e vitit të ri 2020, një pedagog i Universitetit të Qipros , kur e mori vesh se ishim shqiptarë shprehu dëshirën të fliste me ne. A e dini si e nisi bisedën ai, si për të na krijuar një atmosfer sa më miqësore? Ai tha se i pari njeri që e ka vendosur këmbën në ishullin tonë ,konkretisht në qytetin e Kato Pirgos, ka qënë një shqiptar. Është e vërtetë i thashë ,por nuk ka qënë rasti i vetëm. Në malin e Trodhos i kujtova mikut qipriot se ende vendasit atje , të tregojnë rezidencën ku pushonte mbreti i Egjiptit, Faruku, por pak ose asnjeri nuk e dinte  se ai, ishte me gjak shqiptari. Gjithashtu edhe për komandantin ushtarak të ishullit në vitet 1909, nuk dihej  se ishte Hasan Tahsin Pashë Mesaria nga Leskoviku i Shqipërisë, ai që në vitin 1912, ia dorëzoi qytetin e Selanikut grekëve dhe jo bullgarëve . As për  këngëtaren  e mirënjohur Fureira ,që përfaqësoi Qipron në Eurovizion, dy vite më parë,nuk e dinin se ajo, ishte me origjinë shqiptare .

Emigrantë shqiptarë ka shumë pak në Qipro. Është një nga vendet e BE, që nuk e ka njohur pavarsinë e Kosovës .Në bankat e Qipros thuhet se disa politikanë shqiptarë kanë depozituar paratë e siguruara me korrupsion dhe vjedhje.

Përvoja që duhet të njihen!

Si dy vende të vogla, mesdhetare, me histori luftrash për liri dhe pavarësi, me tregues zhvillimi të ndryshme, rezerva energjitike, mund  të bësh edhe krahasimin mes tyre. Në Qipro nuk ka rezerva ujore të bollshme, por uji atje nuk mungon, duke plotësuar në maksimum nevojat e popullsisë . Çdo pikë shiu e rënë në tokën e Qipros grumbullohet në rezervuar dhe ruhet dhe përdoret me efikasitet .Por edhe kur nuk bie shi  , përpunohet  uji i detit deri në atë masë sa plotëson nevojat e njerëzve , e industrisë dhe bujqësisë. Në Qipro nuk ka hidrocentrale . Energjia sigurohet nga termocentralet dhe përmes flugerëve ku kostua e prodhimit është mjaft e lartë.Qiproja jo vetëm se siguron nevojat e vendit me energji elektrike, por edhe eksporton jashtë vendit . Toka bujqësore edhe pse është e kufizuar ,ranore dhe shtufore ,dora e njeriut dhe mbështetja e shtetit e bëjnë atë mjaftë pjellore .Për shumë produkte bujqësore Qiproja ka ekskluzivitetin dhe të drejtën e eksportit në vende të tjera. Atje rroga më e ulët e punëtorit  është 800 euro, ndërsa  në administratën shtetërore shkon deri në 1200 euro. Ka një sistem disi të ndryshëm në mbrojtjen e të drejtave të puntorit ,të siguracioneve dhe ato të përkrahjes sociale ,gjithmonë në mbrojtje të shtresave në nevojë. Politikat tatimore , vjelja e taksave , funksionimi i sistemit banker dhe turizmi janë burimet kryesore që mbushin arkën e shtetit . Politikat kombëtare inkurajojnë zhvillimin dhe teknologjinë moderne .Qeveria e Qipros e përballoi me sukses krizën e pak viteve më parë, përvoja e së cilës vlen të studiohet edhe nga vëndet e tjera .Në gjithë botën faturën e krizave e paguajnë shtresat e varfëra ,kurse në Qipro në rastin në fjalë shtresat e pasura paguan  koston më të madhe të kësaj fature. Po kështu qeveria nuk u zvarrit nëpër skutat e krizës, por me masa të shpejta dhe kurajoze gjeti mekanizmat e përshtatëshme ekonomike anti krizë dhe ia doli me sukses  .

A kemi ngjashmëri ne shqiptarët me qipriotët?

Nëse në treguesit ekonomik mes Shqipërisë dhe Qipros ka diferenca ,  kjo nuk do të thotë se mes tyre nuk ka edhe gjëra të përbashkëta në fizionomi ,në temperament ,në mënyrën e sjelljes dhe vlerësimin e konceptit të lirisë, në qëndrimet ndaj ligjit dhe shtetit ,etj  .Kur mbërin në një vend të panjohur  ke dëshirë të mësosh për zakonet e traditat ,historinë, problematikat shoqërore ,reagimet e opinionit  ndaj fenomeneve negative ,funksionimi i pushteteve ,profesionalizmi mediatik, etj.

Televizioni është miku më i mirë për të njohur sadopak gjëndjen e vendit  . Lajmin e parë që dëgjova nga kanali  më  madh televiziv , Mega, sa mbrita në Qipro, ishte zbulimi i një rrjeti të madh droge që niste nga Anglia ,Qiproja dhe përfundonte në Australi. Një sasi droge prej 648 kg ,e paketuar me kujdes dhe e fshehur në sirtarët e barbekyve , po transportohejn me vapor për në Australi. Për këtë vepër penale policia e vendit  ka të arrestuar dy qipriotë. Pas lajmit prisja me kurjozitet të dëgjoja reagimin e opozitës së vendit. As edhe një reagim, as një akuzë që ta lidhte aktin me  qeverinë  ,as një fjalë për korrupsjon qeveritar. Nuk kishte  cilësime, si  qeveri droge , për baronë trafiqesh, as ministri i brendshëm atje, nuk cilësohej me nofkën  Saje, siç ndodh me opozitën e degraduar shqiptare .Atje  krimin e zbulojnë dhe e luftojnë organet e specializuara dhe jo politikanët ordinerë, si ndodh në vendin tim. Po edhe pas një dite, nga po i njëjti rrjet televiziv njoftohej për një grup tjetër trafikimi droge ,të cilin policia e prangosi .Pra mesa duket fenomeni i drogës nuk është një fenomen lokal, por një dukuri mbarëbotrore që duhet luftuar në mënyrë frontale .

Po kështu në një tryezë televizive në një nga ditët   diskutohej për disa skandale ku  akuzohej qeveria e sotme por edhe ato të shkuarat. Ajo që më bëri përshtypje ishte mosbesimi i panelit, por edhe i opinionit,  se këtyre skandaleve si gjithmonë , nuk  do t’u shkohej deri në fund. Katër ditë u tha atje , zgjat  zhurma e një skandali dhe pastaj harrohet. Kështu themi edhe ne në Shqipëri pas një skandali  , por me një ndryshim ,se te ne  zhurma mediatike zgjat jo katër, por tre ditë ,dhe më pas harrohet .

“Në Qipro jemi…” ishte një nga shprehjet që dëgjohej më  shpesh në diskutimet televizive,por edhe në jetën e përditëshme nga opinjoni shoqëror. Dhe kjo  thuhej jo si mburrje ,por si e kundërta e saj ,si pezmatim kur forca e ligjit dhe kultura shoqërore nuk mund të parandalonin dhe luftontonin   krimet e  ndodhura.

Vrasjet nga aksidentet automibilistike në Qipro ishin më tepër se shqetësim, ato mund t’i quaje  një emergjencë kombëtare. Në çdo ditë viktima me humbje jetë njerëzish ,me gjymtime dhe me shkelje flagrante të rregullave të qarkullimit .Thuhej se për tetë vjetët e fundit vetëm nga shpërndarësit e picave kishin humbur jetën  mbi 40 vetë .Ky lloj fataliteti ndodhte në një vend ku  rrugët ishin mjaftë të mira,  të mirëmbajtura ,se infrastuktura , ndriçimi dhe sinjalistika ishin model se kontrollet e policisë rrugore mbulonin të gjitha akset . Dhe kur analistët nuk gjenin dot një shkak objektiv për të shpjeguar ngjarjet ,ata i drejtoheshin faktorit subjektiv .Ishte   pakujdesia njerëzore , shkujdesja , një lloj temperamenti shpërthyes mesdhetar.Këtu gjente vend dhe shprehja  se në Qipro jemi,me klimë mesdhetare ,me diell të nxehtë dhe me entuziazëm të pa kontrolluar,me njerëz të pa kujdesshëm në timon. Çuditërisht këtë shprehje e përdorim edhe ne në Shqipëri ,kur mungon respektimi i ligjit ,kur liria e njerit shkel brutalisht mbi të drejtat e tjetrit ,kur pushteti administrativ dikton mbi të gjitha pushtatet,kur prona nuk ka shkuar te i zoti ,kur drejtësia mbron kriminelin dhe dënon të pa fajshmin ,kur bëhet korrupsjon edhe me viktimat, etj.

Në Qipro nuk mungonin të gjitha llojet e krimeve që mund të ndodhin në një vend. Atje flitej edhe për trafiqe ,evazion fisckal ,skandale dhe korrupsion ,bullizëm dhe përdorim droge në shkolla  në shkolla ,përgjime dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore ,për konflikte dhe denoncime në gjykata të gazetave dhe gazetarëve që shpifnin dhe nuk thoshnin të vërtetën,për vjedhje bankash e të qytetarëve. Madje një vjedhje që tronditi ishullin ishte vjedhja e një valixheje nga një  ri i cili mendonte se ishte e mbushur me lekë . E vërteta ishte se valixhja mbante pluhurin e një njeriu  të djeguri që vinte nga  Suedia .Familja suedeze donte ta hidhte pluhurin e djalit të tyre në bregdetin e qytetit të Lemesos ,atje ku ai kishte humbur jetën në një aksident dy vite më parë. Kur u njoh me lajmin i riu qipriot e dorëzoi valixhen e vjedhur në shenjë pendimi. Pra, rëndësi nuk ka mozaiku i krimeve por serioziteti i një shteti ,i shoqërisë , i sistemit të drejtësisë ,opinionit shoqëror ,i organeve të specializuara për luftën ndaj krimit ,të cilat në shtetin e Qipros kryheshin me profesionalizëm dhe mbi baza ligjore . Qiproja është një mrekulli në brigjet e Mesdheut që zgjon kuriozitetin dhe dëshirën e njeriut për t’a vizituar .

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Modeli dhe aktori Avni Selimi gjen gjysmën e zemrës, fejohet

Next Post

REXHINA ÇUKO: Kjo është Akademia e ëndrrave të mia

Advertisement