Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Dëshira për t’u bërë nënë, më transformoi si njeri

Ju përshëndes të gjithëve ju miq të “Intervista”,

vendosa që të ndaj me ju një brengë dhe një ndjenjë të çuditshme, e cila po më tjetërson si njëri.

Dëshira për t’u bërë nënë, më ka bërë që unë të transformohem në tjetër njeri. Është një ëndërr e çdo gruaje për të patur fëmijën e saj, mirëpo, kjo gjë dëshirë e madhe po më përndjek gati po më merr frymën dhe nuk po e kuptoj se çfarë po ndodh me mua.

Advertisement

E gjithë historia ime nisi kur motra ime u martua, ajo shkoi nuse në një familje shumë të mirë si nga ana morale, por edhe nga ajo ekonomike. Brez pas brezi ata kishin qenë një familje e bashkuar dhe me rregulla strikte, kjo gjë ishte e trashëguar nga brezat e mëparshëm dhe e kishin mbajtur familjen në unitet. Asnjë nuse, apo një pjesëtar tjetër i kësaj familje nuk kishin guxuar që të thyenin traditën, apo rregullat që ishin vendosur në atë shtëpi. Kjo kishte bërë që çdo gjë të funksiononte për bukuri dhe njerëzit ishin në paqe me njëri-tjetrin dhe nuk ekzistonte ndjenja e xhelozisë dhe e smirës  midis tyre. Motra u fejua me mblesëri dh ajo u përshtat në atë familje me rregullat e tyre. Ajo kishte  një kunat dhe dy kunata, të cilat u martuan pasi motra ime po jetonte në familjen e tyre.  Historia është pak e gjatë, por po mundohem që t’ju tregoj vetëm thelbin. Motra ime kishte pesë vjet martesë, dhe ajo u bë me dy fëmijë një vajzë dhe një djalë. Ajo jetonte me prindërit e burrit dhe me kunatin e vogël. Prindërit e kunatit ishin shumë të kënaqur nga sjellja e motrës time, sepse të tillë edukatë kishim marrë nga familja jonë. Kjo kishte bërë që ata të krijonin një simpati për motrën time, por jo vetëm për të, por edhe për mua. Atëherë ata vinë dhe i thonë babit se duan të bëhen dy herë miq me ne. Babi u habit shumë dhe për momentin nuk dinte se çfarë përgjigje t’ju jepte, por ata e kuptuan situatën dhe për të mos e vënë në siklet tim atë, i japin atij kohën e nevojshme për t’u menduar. Unë isha vetëm njëzetë vjeçe në atë kohë. Prindërit e mi dëshironin shumë që edhe unë të shkoja në atë familje, sepse siç ju thashë më sipër, ata ishin një familje shumë e mire dhe nga motra kishim dëgjuar vetëm fjalë të mira për ta. Unë kunatin e motrës e kisha takuar vetëm dy herë, por asnjëherë nuk e kisha parë me syrin se ai mund të ishte burri im. Ashtu si edhe prindërve dhe mua më pëlqeu fakti që do shkoja nuse në atë shtëpi, jo se kisha ndonjë simpati për djalin që do bëhej burri im më pas, por, më tepër i gëzohesha faktit se unë për kunatë, do të kisha motrën time. Kjo gjë më gëzonte shumë, po pa e ditur se kjo histori me motrën time “kunatë” do më ndryshonte jetën mua si njeri. Gjërat filluan të ndryshonin menjëherë  dhe unë vetë nuk po arrija ta kuptoja se çfarë po ndodhte me jetën time. Në fillim u bë fejesa, më pas martesa. Dhe dy vitet e para të martesës ishin vitet më të bukura që kam kaluar në jetën time. Albani bashkëshorti im, ishte një njëri shumë punëtorë, dhe shumë i përkushtuar për familjen, ai punonte ekonomist në një firmë ndërtimi. Siç ju thashë edhe më lart, ata kishin rregulla strikte në familje, dhe im shoq edhe burri i motrës, ose më saktë kunati im, sa herë që merrnin rrogën, ata lekët i dorëzonin te nëna e tyre. Ajo i administronte dhe ne sa herë që kishim probleme, ose duhet të psonisnim, i drejtoheshim asaj.  Në fakt unë nuk isha mësuar me këtë lloj jete, por kjo gjë në fillim nuk është se më shqetësonte, sepse Albani nuk më linte asnjë gjë mangët, madje dhe me pushime kishim shkuar ne vendet me ne mode dhe nuk kisha pse të shqetësohesha për këtë gjë. Me motrën, po kaloja shumë mirë, ajo, në atë kohë kishte dy fëmije dhe unë kujdesesha për ta.  Ne të dyja rrinim në shtëpi, burrat tanë nuk donin që ne të punonim, kështu që atyre ju mjaftonin punët që ne bënim në shtëpi, sepse lekun ata e nxirrnin vet. Deri këtu gjërat shkonin për mrekulli në familjen tonë. Por për mua gjërat filluan që të vështirësoheshin në kohën kur kishin kaluar gati tre vite dhe unë akoma nuk kisha ngelur shtatzënë. Në fillim nuk e kishim problem sepse si unë edhe Albani mendonim se të rinj jemi, dhe jetën e kemi përpara. Fakti që unë nuk po ngelesha shtatzënë, filloi të shqetësojë, jo vetëm mua por, të gjithë familjen e burrit dhe familjen time gjithashtu. Atëherë ne ia nisëm nga vizitat nëpër doktorë, sipas tyre, çdo gjë ishte në rregull si për mua ashtu dhe për Albanin. Ata na këshillonin që ne duhet të bënim durim, dhe duhet të ishim që të dy shumë të qetë nga ana psikologjike. Dhe ne kështu bëmë kaluan pesë vjet martesë, por asnjë rreze shprese nuk kishte për ne, përsëri i vazhduam vizitat, përsëri na thoshin të njëjtat gjëra, por me një ndryshim mua më dhanë disa ilaçe, por ishte e kot as kjo nuk funksionoi. Ndërkohë, motra kishte mbetur shtatzënë me fëmijën e tretë, por asaj i vinte shumë zor që të ma tregonte mua, e dinte e gjithë familja përveç meje. Këtë gjë e kuptova vetëm kur asaj filloi dhe po i rritej barku, një ditë ishim vetëm dhe e pyes:

-Nela, mos je shtatzënë ti?

Ajo filloi dhe po ndryshonte muhabet, e kuptova që ajo donte të ma mbante të fshehtë këtë gjë, që unë të mos vuaja. Në ato momente, sepse m’u bë një lëmsh në stomak dhe po e ndjeja se po më bllokohej frymëmarrja. Ishin dy ndjenja të kundërta që po më ngacmonin në shpirt, edhe gëzohesha, se do bëhesha për herë të tretë teze dhe hallë njëkohësisht, por më tepër hidhërohesha që nuk e kisha unë fatin e motrës  dhe të mbaja në krahë një fëmijën tim. E ndjeja se situata po më rrëshqiste nga duar.

-Ti nuk duhet të ma kishe bërë këtë gjë, – i thashë  dhe lotët më rrodhën mbi faqe.

-Unë gëzohem për ju, dhe unë duhet të isha e para që duhet ta merrja këtë lajmë të gëzuar, dhe jo e fundit, – iu përgjigja e revoltuar.

Më pas shkova në dhomën time mbylla derën nga brenda dhe shpërtheva në lot, ishte një situatë që as një grua nuk do doja që ta provonte. Motra më thërriste te dera, unë nuk i përgjigjesha, por vetëm qaja. Doja që ta kaloja ata situatë pa ardhur prindërit e tim shoqi, sepse nuk doja që ata të mendonin se unë isha ziliqare ndaj motrës time. Duke qarë më kishte zënë gjumi, dhe në ëndërr shikoja sikur në krahë mbaja një fëmijë të vogël, isha shumë e gëzuar, aq sa nuk mund të tregohej, por ëndrrën ma prishi trokitja e derës. Ishte Albani, e hapa derën, ai e kuptoi se unë kisha qare, madje e kuptoi dhe arsyen se përse qava. Ai më përqafoi.

-Mos u mërzit zemra ime, sepse dhe ne shumë shpejt do të mbajmë fëmijën tonë në krah, -tha ai duke më përqafuar me shumë ëmbëlsi.

 – Në ditët e sotme nuk ka çift që të mbetet pa fëmijë sepse shkenca ka ecur.

Fjalët e tij më bënë që të ndihesha më e qetë. Sot unë po tregoj historinë time, por prapë nuk arrij ta shpjegojë me fjalë gjendjen time. Isha midis dy zjarreve, ose më saktë midis dy ndjenjave pozitive dhe negative, ato luftonin midis njëra- tjetrës.  Mendja më thoshte që të mos isha ziliqare për atë që kishte ime motër, por zemra më drithëronte dhe nuk më linte të merrja frymë lirshëm. Dukej sikur ndjenja e xhelozisë po shtohej te mua edhe pse mundohesha që ta mbaja përbrenda. Fëmijët e motrës më donin shumë, më rrinin me duar në qafë, por sa më shumë ata më afroheshin, unë aq ma keq ndjehesha, dhe gjatë gjithë kohës më rrinin sytë me lot. Fillova të dobësohesha shumë, dhe kjo gjë ra edhe në sy të Albanit. Ai ishte pasuria ime më e madhe, ai më donte pa asnjë lloj interesi, ai e kuptonte botën time, vetëm nuk dinte çfarë të më bënte. Një ditë vjen në shtëpi, më përqafon dhe më thotë:

-Kam një surprizë për ty.

Nga xhepi nxjerr një letër dhe ma drejton mua, e hap e lexoj, dhe shikoj se ishte  takim me një doktor gjinekolog. Nuk është se u entuziazmova shumë sepse shumë doktorë të tillë kisha takuar, por asnjë rezultat nuk kisha arritur.  Ai e kuptoi reagimin tim dhe vazhdoi:

-Këtë herë do jetë ndryshe, është një specialist i huaj në një nga klinikat private, dhe do përdorim metodën e fekondimit invitro.

Nuk e përmbajta dot veten dhe iu hodha Albanit në qafë, për një moment m’u duk sikur bota ishte e imja, m’u duk sikur një rreze shprese u çel për mua. Atëherë fillova të gjitha vizitat dhe analizat që më kishte këshilluar doktori. Ishte një proces i gjatë dhe e i lodhshëm për një grua, sepse do merrje shumë mjekime, do bëje vizita, por unë nuk po hyj në këto detaje. Të gjitha ato që unë bëja nuk më dukeshin asgjë, përpara dëshirës së madhe që unë kisha për t’u bërë me një fëmijë. Doktori, mbasi kishte vendosur vezën e fekonduar në mitrën time, më këshilloi se unë duhet të rrija dy javë shtrirë. Ashtu bëra, në familje kisha përkujdesjen maksimale , si nga motra ime, e cila më qëndronte në kokë për çdo gjë, por edhe nga pjesëtarët e tjerë të familjes.  Të gjithë dëshironin që unë  të kisha sukses në këtë lloj trajtimi që po bëja. Kaluan dhjetë ditë, dhe zemra më rrihte, ishin çastet e fundit ku unë do të merrja përgjigjen. Ditën që do shkoja në spital për të bërë analizën e gjakut, atë ditë në mëngjes më kanë ardhur dhe menstruacionet. Ai ka qenë zhgënjimi dhe dhembja më e madhe që kam kaluar. E kuptova që i gjithë ai mundim më kishte shkuar dëm kot. Si çdo grua e lënduar fillova të qaja, në krah kisha Albanin që më ngushëllonte. Atë ditë u zhgënjye edhe familja, e cila priste që unë të kisha rezultat, por siç thonë ca gjëra, i ka zoti në dorë. Edhe pse të mërzitur ata përsëri nuk ishin dorëzuar dhe më thoshin se ti do e përsëritësh prapë, pavarësisht se ajo lloj metode kërkonte shumë lek, dhe durim njëkohësisht. Mbas katër muajsh fillova përsëri trajtimin në një klinikë tjetër, mundohesha të mos e mërzisja veten, dhe të mos e mbaja mendjen aty, po ishte e pa mundur shikoja motrën, barku i së cilës rritej çdo ditë e më shumë dhe doja që dhe unë ta kisha atë fat. Fillova që një gjë të tillë ta kërkoja më çdo ngulm, por kjo ishte një ndjenjë që e mbaja brenda vetes, dhe nuk ua thoja të tjerëve, pavarësisht se ata  kuptonin pozicionin tim. Pa u zgjatur shumë po u them se dhe hera e dytë dështoi. Doktori nuk më jepte asnjë lloj shpjegimi sepse gjërat si për mua dhe Albanin ishin në rregull, ai e lidhte dështimin në këtë proces me anën time psikologjike.

Duhet të heqësh ngarkesat psikologjike dhe emocionale, mos e shiko këtë trajtim që ne bëjmë si shpëtimin e jetës tënde, por si diçka normale, – tha doktori.

Vërtet mjekësia bënë punën e saj, por pjesa më e madhe për të patur sukses në këtë lloj metode i takon pacientit,- shtoi ai.

Ai më këshilloi që ne të bënim pushime si unë dhe Albani. Dhe ashtu bëmë, por pushimet  zgjatën dy javë, pastaj fillonte rutina e përditshme. Kur shkoja në shtëpi dhe shikoja fëmijët e motrës, bëhesha shumë keq, ajo gjë më shkatërronte komplet. Akoma më keq u bëra kur në jetë erdhi fëmija i vogël i saj, atëherë shtëpia më dukej si një burg ku unë nuk merrja dot frymë. I  them Albanit se duhet të jetojmë në shtëpi më vete. Ai as që nuk e mori parasysh kërkesën time.

-Nuk mund t’i thyej unë rregullat e familjes, -tha ai.

-Më kërko çdo gjë tjetër, por këtë nuk mundem të ta plotësoi.

Ndoshta ai kishte të drejtë, por brenda meje po ndodhte diçka që po më transformonte si njeri, ndjeja xhelozi për motrën time dhe kjo ndjenjë më tmerronte akoma më shumë. çdo natë i lutëm zotit të ma largoj ligësinë nga shpirti. Tashmë po bëj dokumentet, që trajtimin e radhës unë ta bëj në Turqi, për këtë u bë sebep motra ime, ajo i tha Albanit që duhet të shkoni jashtë vendit, me mendimin se atje do jem më e çliruar nga ana psikologjike. Në fakt, jam e trishtuar që unë nuk po bëhem me një fëmijë, por nga ana tjetër e falënderoj zotin që më ka dhënë një burrë të mrekullueshëm, dhe një familje për t’u admiruar. Të gjithë ata më duan dhe jetojnë me shqetësimin tim, dhe unë prandaj i lutem zotit, që të ma heq ndjenjën negative që më trazon shpirtin. Kjo familje nuk e meriton që të kenë në gjirin e tyre një nuse që nga dështimi i saj të fus përçarjen në mes tyre. Siç ju thash dhe më lart shumë shpejt do të kem trajtimin e radhës për të mbetur shtatzënë, dhe i lutem zotit që të më ndihmojë të mbajë në duar edhe unë fëmijën tim. Po ndahem këtu me ju miq të gazetës, për t’ju rishkruar përsëri për atë që do më ndodh. Shpresoj që të marr bekimet e gjithë atyre grave që kanë provuar ndjenjën e të qenurit nënë. Gjithashtu shpresoj që  Zoti të m’i heq ligësitë nga shpirti dhe të më kthejë ndjenjën e dashurisë për motrën dhe fëmijët e saj.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Sa është periudha e rehabilitimit pas kryerjes së burgut?

Next Post

Suela e “Bel Eve” realizon ëndrrën në Paris me “Vogue Fashion Week”

Advertisement