Unë që po ju shkruaj quhem A.
dhe ju shkruaj nga burgu i grave këtu në Tiranë.
E lexoj gjithmonë gazetën tuaj dhe sot vendosa që edhe unë të bëhem pjesë e historive nga jeta.
Burrin tim e mora me mblesëri, u fejova në një nga fshatrat e Tiranës. Burri më donte shumë dhe unë po ashtu, por gjithë kjo gjë po shikohej me xhelozi nga vjehrra ime. Unë kisha një tip që isha shumë e qeshur dhe e dashur me të gjithë njerëzit, si të mitë, ashtu edhe të burrit. Kush vinte në shtëpinë tonë, i thoshte vjehrrit dhe vjehrrës: “Lum ju, çfarë nuseje keni marrë!”. Vjehrrit i bëhej shumë qejfi për këtë. Ai është njeri i mirë dhe më ka përkrahur gjithmonë, por problemi qëndronte te vjehrra. Ajo nuk e duronte dot faktin që të tjerët më lëvdonin. Miri, burri im, për këtë më donte më shumë sepse unë isha njeri i sinqertë që i doja dhe i respektoja të afërmit e prindërit e tij. Për punë shtëpie nuk kishe ç’të më thoje, se isha rritur në një familje që dhe fijen e flokut nuk e linte të binte përdhé. Me ardhjen time, në shtëpinë e Mirit filloi të ndryshonte çdo gjë rrënjësisht; mënyra se si mbaja shtëpinë, mënyra si gatuaja, mënyra si sillesha me pjesëtarët e familjes dhe jashtë saj, por të gjitha këto nuk e kisha kuptuar asnjëherë se do të shikoheshin me xhelozi nga vjehrra ime. Unë me Mirin kishim gati dy vjet të martuar dhe unë nuk po ngelesha shtatzënë. Ajo, këtë fakt, e përdori për ta hedhur Mirin kundra meje. Ajo gjithmonë na hidhte fjalë: “Po hë, moj nuse, kur do na e bësh atë djalin ti?”. Këtë shprehje kishte filluar ta përdorte gati çdo mëngjes. Miri nuk e prishte shumë terezinë, por unë bëhesha shumë keq. Në familjen tonë nuk përdornim shprehje dhe fjalë për të ofenduar apo për ta vënë në siklet tjetrin. Disa herë, ajo kishte tentuar të më fuste në sherr me Mirin, duke më hedhur llafe, gjoja Miri donte një vajzë tjetër. Ajo kishte arritur deri aty sa më kishte thënë se: “Nëse nuk mbetesh shtatzënë brenda dy muajve, nuk do të jesh më nuse në shtëpinë tonë”. Fillova të stresohesha shumë fare, fillova të mos haja ushqim, më kishte mbërthyer stresi. Prindërit e mi e kishin kuptuar gjendjen time dhe donin të më hiqnin nga ajo familje, por Miri më donte dhe kurrsesi nuk do të më linte për fjalë të tilla. Ai arriti deri aty, sa i tha së ëmës: “Nëse do vazhdosh me të tilla shantazhe, jam i detyruar të ndahem prej jush dhe të marr shtëpi tjetër”.
Nga ky kërcënim i Mirit ajo sikur filloi te reflektonte dhe nuk kishte më sherre e llafe në familjen tonë, por gjithë kjo heshtje sikur kishte filluar të më trembte. Këtë shqetësim ia kisha thënë edhe bashkëshortit tim, por ai ma ktheu: “Tani po e tepron, keq kështu e keq ashtu, s’di si të sillet njeriu me ty!”. Fjalët e tij më lënduan shumë, por unë këtë e vuaja në heshtje. Mundohesha të kuptoja çdo lëvizje që bënte vjehrra në shtëpi, për të kuptuar nëse ajo të gjithë këtë heshtje e kish seriozisht, apo po thurte ndonjë plan të radhës, siç kish bërë gjithmonë, për të më ndarë nga burri im.
Ai që po më habiste ishte vetëm fakti se në shtëpinë tonë kishte filluar të vinte shpesh një dajua i Mirit, i cili ishte rreth të 50-ave. Ai vinte herë vetëm, herë i shoqëruar nga e shoqja. Njëherë, duke bërë muhabet në prani të vjehrrit dhe vjehrrës, ai më shkeli syrin. Këtë e bëri në një moment kur ata nuk e kishin mendjen. Unë u bëra flakë e kuqe dhe kuptova se më mbuluan djersë të ftohta. “Edhe kjo më duhej tani!”, thashë me veten time. Nuk dija si të bëja, t’ia thoja Mirit këtë gjë apo jo?! E dija se edhe po t’ia thoja, ai nuk do të më besonte asnjëherë. Përsëri ditën tjetër erdhi dajua në shtëpi. Unë bëra kafen dhe ia çova pa i ngritur sytë fare, por ndjeja se duart më dridheshin nga frika se mos ai bënte ndonjë nga ato skenat e tij prej budallai. Nuk e di pse, po prej atij njeriu kisha filluar të kisha shumë frikë, ishte i fiksuar pas meje dhe sa herë vinte në shtëpinë tonë, më dukej sikur vinte enkas për mua. Në këtë përshtypjen time nuk kisha gabuar, pasi këtë e vërtetova pikërisht një ditë kur ndodhesha vetëm në shtëpi. Nuk më ndodhte shpesh të rrija vetëm në shtëpi, pasi nëse nuk ishte vjehrra, do të ishte vjehrri ose Miri, por atë ditë ata dy kishin shkuar për një sebep te xhaxhai i Mirit. Vjehrra nuk e dija se ku ndodhej pasi ajo asnjëherë nuk më tregonte se ku shkonte dhe çfarë bënte. Atë ditë ndjeva trokitjen e derës dhe shkova menjëherë për ta hapur, kur ç’të shikoja?! Ishte pikërisht dajua i Mirit, që unë nuk e kisha menduar se do të vinte pikërisht atë ditë ku unë nuk kisha asnjë njeri brenda. Për momentin, shtanga dhe m’u mpi trupi komplet, nuk dija si të reagoja, çfarë të bëja… E vetmja gjë që më mblodhi mendjen ishin fjalët e tij kur më tha:
“Nuk po më fut brenda, moj nuse?”.
“A po, më falni. Urdhëroni brenda!”, i thashë.
Ai hyri brenda dhe unë e lashë derën gjysmë të hapur. Ai u ul në divan dhe unë fillova të bëja kafen, por më parë piva pak ujë sepse e ndjeja se nuk po qëndroja dot në këmbë. Ai u ngrit nga divani dhe ma kapi gotën, duke më thënë: “Dua të pi edhe unë pak ujë sepse jam nxehur shumë”.
Në ato momente filloi të më rrihte zemra shumë fort. Nuk dija çfarë të bëja. Edhe vetë isha e hutuar. Fillova të përgatisja kafen, por ai më kapi nga krahu dhe më tha: “S’është nevoja të bësh kafe, po eja e ulu në divan me mua”. Unë e tërhoqa krahun, por ai ma kapi përsëri, më tërhoqi mbas vetes dhe filloi të më puthte nga faqja, te gusha dhe po ulej më poshtë. Fillova ta qëlloja dhe po mundohesha të lirohesha prej tij, por e kisha të pamundur. Ai më tërhoqi zvarrë, më shtriu në divanin e sallonit dhe më hipi sipër. Unë mundohesha të çlirohesha prej tij, por më kot… Në ato momente dëgjova që u hap dera dhe fillova të bërtisja edhe më shumë, po ç’të shikoja? Ishte vjehrra që më ruante mbi kokë dhe qeshte, duke më thënë: “Edhe këtë e bëre moj k…?” . Ai u ngrit me vrap dhe i bërtiti së motrës: “Edhe ti, tani e gjete të vije?”, rregulloi rrobat dhe doli menjëherë nga shtëpia.
Ai doli, por aty filloi më e keqja për mua. Ajo më akuzonte se unë kisha joshur vëllanë e saj, se kushedi sa herë mund të kisha shkuar me të dhe për këtë do të mbaja përgjegjësi. Të gjithë atë skenë, ajo do t’ia komentonte Mirit sipas qejfit dhe, përveç kësaj, do t’i tregonte edhe të tjera gjëra për mua. Në ato momente m’u errën sytë dhe rrëmbeva shishen e rakisë nga e cila do t’i hidhja dajës së Mirit dhe e qëllova me sa fuqi pata. Ajo u shtri përdhé dhe prej kokës i rrodhi shumë gjak. E tmerruar nga skena kërkova ndihmë deri në momentin kur erdhi policia dhe ambulanca. Ajo arriti t’i shpëtonte vdekjes dhe ia tregoi Mirit të gjithë historinë ashtu si ajo e mendonte, ndërsa unë u dënova me 10 vjet burg.
Miri erdhi vetëm dy herë të më takonte në burg dhe, edhe pse i betohesha, asnjëherë nuk më besoi, por unë i kam bërë një betim vetes: Vetëm mos dalsha e gjallë që këtej, se po dola, vjehrra ime do shkojë atje ku unë e nisa para tre vjetësh, në ferr! Jam penduar që nuk e lashë të vdiste atë ditë kur ajo më akuzoi për gjëra të paqena, ndërsa Mirin e urrej dhe uroj që një ditë ta kuptojë gabimin që bëri me mua, duke dyshuar për ndershmërinë time. Ndoshta një ditë ai do ta njohë nënën e tij në të vërtetë, se ajo kështu do sillet edhe me nusen tjetër që do të marrë ai, por pendimi i tij atëherë do të jetë shumë vonë.