– Dua të pyes Dr. Dashamirin rreth diabetit.
Kush mendoni ju se janë ata persona që rrezikohen nga diabeti
dhe cila është dieta më e përshtatshme që duhet ndjekur?
E bëj këtë pyetje sepse kam frikë se kam tendencën për t’u sëmurur nga kjo sëmundje, aq më tepër që një pjesëtar i familjes sime e ka pasur. Pres një përgjigje. Jam 39 vjeçe.
Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- – Ju falënderoj për pyetjen shumë interesante që më keni drejtuar. Do të thoja që mosha kur ka tendencën të fillojë diabeti, është rreth 40 vjeç dhe bëhet fjalë për diabetin e tipit dy, ndërsa tipi i parë i diabetit mund të fillojë që në moshën e hershme fëminore e deri në dekadën e tretë. Ky tip është më i rrezikshëm sepse komplikohet shpejt dhe mjekimi i tij bëhet vetëm me insulinë. Por, le të kthehemi edhe një herë te pyetja jonë, pra, te diabeti i tipit të dytë, sepse ky është më i shpeshti e përbën rreth 90 për qind të të gjithë diabetikëve. Sot, në botë, ky tip i diabetit po rritet në mënyrë galopante; gati 10 % e popullatës botërore konsiderohet diabetike.
– Kjo sëmundje, vetëm emrin ka të ëmbël sepse në lidhje me problemet, kufizimet dietike dhe komplikacionet që sjell, është më farmak se barnat vetë. Cila është popullata në shënjestër të diabetit të tipit të dytë dhe ata që duhet ta matin medoemos nivelin e sheqerit në gjak?
– Të gjithë njerëzit mbipeshë.
– Të gjithë personat që kanë të afërm diabetikë.
– Të gjithë personat mbi 40 vjeç, që bëjnë jetë joaktive fizike.
– Të gjithë të sëmurët me hipertension ose tension të lartë.
– Të gjithë të sëmurët që vuajnë nga teprica e jodit.
– Të gjithë të sëmurët që përdorin ilaçin kortizon.
– Pasi vendoset diagnoza ku niveli i sheqerit në gjak duhet të jetë mbi 126 mg-ml esëll dhe mbi 180 mg-ml 2 orë, pas ushqimit, atëhere fillon mjekimi i diabetit, ku rol të rëndësishëm ka dieta që duhet mbajtur. Në përgjithësi, parimet e dietës në diabet janë të tilla që sërish 50-60% të kalorive ditore, duhet të vijnë nga sheqernat, por jo ato sintetike. Kryesisht, flitet për sheqerna që vijnë nga drithërat, nga frutat, perimet, brumrat etj. 20-30% e kalorive ditore duhet të vijnë nga yndyrnat dhe këtu duhet të bëjmë shumë kujdes sepse yndyrnat e këqia e rëndojnë diabetin dhe bëhen shkak për dëmtime të zemrës e të trurit. Këto yndyrna duhet të vijnë nga produktet bio-natyrale, siç janë: Mishi, peshku, veza, djathi, bulmetrat etj. 10-20 % e kalorive duhet të vijnë nga proteinat dhe, kryesisht, nga ato bimore e shtazore. Diabetikët duhet të hanë rregullisht 3 vakte, por në sasi më të kufizuara. Që të mos kenë shumë uri, u këshillohet që, mes vakteve ushqimore, të marrin nga një frut. Diabetikëve u ndalohen të gjitha produktet me sheqer, mjaltë, pije të ndryshme si: Ivi, Cola, Fanta etj. U ndalohen kategorikisht ushqimet e skuqura. U lejohet të marrin sasi pa kufizim të të gjitha perimeve dhe zarzavateve, ujit të pijshëm, kafesë, çajit pa sheqer etj. U sugjerohet të marrin 400-500 mg. fruta në ditë. Më të rekomanduarat janë: Kivi, pjeshka, agrumet, molla jeshile etj. U ndalohen fruta të tilla, si: Fiku, banania, rrushi, qershitë etj. Në sasi të kufizuar, duhet të merren edhe brumërat, vezët, bulmetrat, picat etj. Nëse vlerat e sheqerit vijnë në normë, lejohet pak sasi alkoolike. Më të këshillueshme janë: 1 birrë e vogël, ose 1 gotë verë, ose 1 teke raki. Si përfundim, po e mbyll me një shprehje shqiptare: “Lumi fle, armiku (diabeti) nuk fle”. Mos harroni, diabeti është sëmundje shumë e rëndë dhe e rrezikshme për jetën tuaj, prandaj kujdes me mjekimet, dietën, kontrollet periodike mjekësore dhe shtoni lëvizjet.