Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E ndava gruan për një ëndërr!

Përshëndetje!

Unë që po ju shkruaj jam Aureli nga Tirana.

Sot mbush një vit që jam ndarë nga bashkëshortja ime.

Advertisement

Ndjehem i penduar për ofendimin që i bëra njeriut që doja më shumë në këtë botë, Liljanës. Ajo është një lexuese e rregullt e gazetës suaj, prandaj sot, në një vjetorin e ndarjes sonë, i lutem asaj të kthehet sërish tek unë. Më vjen shumë turp t’jua them, por shkaku i ndarjes sonë ka qenë pikërisht një ëndërr e parë në gjumë nga Liljana. Që ju ta kuptoni më mirë, po jua tregoj historinë time me detaje.

Liljanën e kam njohur qëkur ajo ishte 15 vjeçe. Në atë kohë, unë isha 30 vjeç dhe punoja kamerier në lokalin ku Liljana vinte çdo ditë. Aty u pamë për herë të parë. Unë e adhuroja atë, ishte vajza më e bukur dhe më çapkëne që kisha njohur ndonjëherë! Me thënë të drejtën, më është dashur shumë punë që t’ia arrija qëllimit tim. Arrita deri aty sa pronari më përzuri edhe nga puna, pasi Liljana u ankua tek ai për ngacmim nga ana e punonjësve të lokalit. Nga një anë, dalja nga puna më bëri mirë se kisha kohën e duhur për ta bërë Liljanën për vete. Ju nuk e keni idenë sa jam lodhur me atë vajzë! Ajo këmbëngulte se ishte e vogël dhe se unë isha shumë i madh, deri një ditë, kur e takova dhe i thashë: “Të betohem se derisa të mbarosh shkollën e mesme, nuk do të të kërkoj asnjëherë të takohemi, thjesht do jem këtu për të të parë, për të shuar mallin, dua të di çdo lëvizjen tënde. Dua që edhe ti të dish se është dikush që të pret dhe lë kokën për ty”.

Atëhere ajo e kuptoi se unë e kisha seriozisht dhe më tha: “Atëhere, le të jetë kjo një lloj prove për të vërtetuar se deri ku arrin dashuria jote”. Ajo sa kishte filluar vitin e parë dhe unë, për të vërtetuar sa shumë e doja, vija në mëngjes afër shkollës, e shikoja nga larg dhe e adhuroja. Edhe në drekë bëja të njëjtën gjë. Ajo, herë më shikonte me bishtin e syrit, herë më buzëqeshte e herë bënte sikur nuk më shikonte; lajkat e saj më çmendnin fare. Për të mos e zgjatur në detaje të tilla, dua të them se dashuria për Lilin më ka kushtuar shumë, derisa e bëra për vete. Ne, bëmë fejesën, më pas martesën dhe mund të them me plot gojën se çift më të përsosur se ne, në të gjitha drejtimet, nuk e besoj se kishte. Unë e trajtoja Lilin si fëmijë, e puthja, e përkëdhelja dhe nuk ngopesha duke ndenjur me të. Mbas një viti, jeta jonë u bë akoma më e bukur sepse erdhi në jetë djali ynë, Endri. Unë fillova punë si menaxher në një lokal, pronari i të cili ishte njeriu ynë. Jeta jonë ishte shumë e qetë, unë e doja shumë Lilin dhe ajo më donte shumë, por gjithë kjo lumturi zgjati deri në një moment kur në shtëpinë tonë erdhi një kushëriri im, me të cilin unë shkoja jashtë mase. Shpeshherë dilnim për kafe ose për drekë a darkë me familjen e tij. Atë ditë, ai erdhi vetëm në shtëpinë tonë dhe unë e mbajta për drekë. Liljana na bëri një drekë shumë të shijshme, ashtu siç di të gatuajë vetëm ajo. U kënaqëm shumë duke pirë ndonjë gotë verë dhe më pas, ai u largua. Ajo ditë kaloi normalisht, si gjithë ditët e tjera, mirëpo çudia ndodhi në darkë, kur ne flinim gjumë. Liljana thirri në ëndërr emrin e kushëririt tim: “Blendi, mos ik”. Unë dëgjova zërin e Liljanës që bërtiti dhe u ngrita nga gjumi, ndërsa ajo përsëriste emrin e tij. Nuk bëra asnjë veprim për ta zgjuar, thjesht, po dëgjoja se çfarë xhevahiresh të tjera do të nxirrte ajo nga goja, por ajo nuk foli më. Atë natë, thuajse e kam gdhirë pa gjumë! Çfarë nuk sillja nëpër mendje, ishte hera e parë që ndjeva xhelozi për Lilin, sepse ajo asnjëherë nuk më kishte dhënë shkak për një gjë të tillë. Mezi prisja të vinte mëngjesi që t’i kërkoja llogari për atë që dëgjova kur ajo ishte në gjumë. Sa u zgjua Lili, nuk m’u durua më, por i thashë: “Çfare ëndrre pe dje?”.

Ajo u habit nga pyetja ime dhe m’u përgjigj se nuk kishte parë asnjë ëndërr, mirëpo kjo përgjigje nga ana e saj m’u duk si një gënjeshtër. Atëhere e qëllova me gjithë fuqinë time dhe i thashë: “Ti më tradhton me kushëririn tim, Blendin”. Ajo u habit nga gjithë kjo që po i thoja, filloi të qante dhe më tha: “Çfarë i ke këto që thua? Je çmendur?”. Që pas asaj dite, Liljana u largua nga shtëpia bashkë me djalin dhe nuk u kthye më. Unë, nga xhelozia e madhe, shkova të takoja edhe kushëririn dhe e qëllova me grusht në sy të gruas së tij, duke e akuzuar për tradhtinë që më kishte bërë prapa krahëve. Edhe ai më kapi nga krahët dhe më tha: “Mblidh mendjen! Ç’janë këto që po thua? Nëse ty nuk të intereson familja jote, mua nuk më bëhet vonë, por ti s’ke të drejtë të vish këtu në shtëpinë time e të më shkatërrosh familjen për një ëndërr që ka parë jot shoqe”.

Ajo periudhë ka qenë më e keqja në jetën time. I gjithë ky mendim prej budallai që unë fantazova, u përhap në të gjithë fisin, si në timin, ashtu edhe në atë të Liljanës. Të gjithë më flisnin nga fisi im, duke më thënë se ishte shumë e turpshme e gjithë ajo që po bëja, më thoshin se nuk prishet martesa për një shenjë xhelozie. Ata më këshillonin se nëse unë kisha dyshime, duhet ta ndiqja dhe të gjeja prova për të vërtetuar tradhtinë. E dija që Liljana nuk më tradhtonte, e ndjeja se ajo më donte shumë, por xhelozia e përzier me frikën, më bënë që të humbisja logjikën. Pas asaj që bëra, u pendova shumë, por pendimi im nuk vlejti për asgjë. Liljanën e vrava në shpirt, e akuzova për gjëra që nuk i çonte as në mendje e jo më t’i bënte. Ajo tashmë jeton te prindërit e saj dhe, prej ditës që u zumë, nuk ka dashur të më flasë më. Ajo hapi gjyqin e divorcit dhe mbas një viti e fitoi, ndërsa unë nuk u paraqita kurrë në atë gjyq, që simbolizonte vdekjen time.

Vendosa ta rrëfeja historinë time në gazetën tuaj, me mendimin se Liljana do ta lexojë. Dua t’i kërkoj asaj të falur për të gjithë dhembjen që i shkaktova për një ëndërr të mallkuar, dua që ajo të paktën të më takojë një herë të vetme, dua t’i them se e dua shumë atë dhe djalin tonë. Dua të bëj gjithçka për ta fituar përsëri Liljanën. Dënim më të rëndë nuk kishte për mua, sesa fakti që njerëzit që dua më shumë në këtë botë, t’i kem larg. Në këtë jetë, më mban gjallë vetëm shpresa se ajo një ditë do të kthehet dhe do të jetojmë të lumtur si dikur. Për Liljanën prita katër vjet derisa ajo më pranoi, kurse tani, jam gati të pres një jetë, derisa ajo të kthehet sërish tek unë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nexhi këngë emocionuese për motrën, shumë shpejt projekti i ri

Next Post

Merita Merja ka disa këshilla për kacurrelat; Ja si të duken bukur gjatë gjithë kohës...!

Advertisement