Përshëndetje miq të gazetës!
Dua të ndaj me ju një rrëfim që ka kohë që më mundon në shpirt.
Unë jam nga Tirana, mirëpo njerëzit e gruas i kam në Lushnjë.
Me gruan time shkoj shumë mirë, edhe pse kemi kaluar kohë të vështira, si çdo çift. Gruaja ime është një nënë e përkushtuar dhe, edhe pse nuk është shumë e mbajtur, është një bashkëshorte për t’u pasur zili. Unë jam munduar gjithmonë që familjes sime të mos i mungojë asgjë. Për fatin tim të mirë, punoj prej shumë vitesh me kamion dhe paratë në shtëpinë tonë nuk kanë qenë kurrë problem. Kam dy fëmijë të mrekullueshëm që studiojnë jashtë tashmë prej dy vjetësh.
Kur unë isha 48 vjeç, bëja rrugën e Sarandës me kamion dhe, ngaqë rruga ishte e gjatë, shpesh ndaloja te njerëzit e gruas. Ata më donin shumë e më respektonin si fëmijën e tyre. Edhe unë i kisha ndihmuar gjithmonë me para dhe me ndere, sepse ishin familje e varfër. Pikërisht këtu fillon edhe mërzia ime, sepse si çdo burrë, edhe unë u përfshiva nga ndjenjat kafshërore, pa e ditur se do të pendohesha kaq shumë. Një ditë dimri po kthehesha nga Saranda dhe mendova të ndaloja për drekë te vjehrri. Po binte shumë shi. Trokita dhe në derë më doli nusja e re që atë vit e kishim martuar. Ishte S., nusja e vëllait të vogël të nuses. U futa e ajo më priti shumë mirë. Më tha se pleqtë kishin ikur te kunata ime, në një fshat të afërt dhe se po na shtronte ta hanim drekën bashkë. Nuk vonoi shumë dhe ajo e mbushi tavolinën. Deri këtu çdo gjë ishte në rregull, sepse unë, sa herë shkelja në atë shtëpi, pritesha më së miri. Hëngrëm dhe bëmë shaka. Ajo ishte 28 vjeçe edhe ishte jashtë mase e bukur. Duke bërë shaka, muhabet mbas muhabeti, më rrëfeu se burri që i jetonte jashtë, kurrë nuk e kishte kënaqur në shtrat. Për momentin, ngela i shtangur. Mendova se po më bënin veshët. Nuk kishte mundësi që nusja e re të bënte ato muhabete me mua, kur ne nuk kishim as konfidenca bashkë. Nuk dija si të reagoja dhe në një moment mendoj se jam skuqur.
– Nuk është e rëndësishme vetëm kjo për të pasur një martesë të lumtur! – i thashë. – Më shiko mua që rropatem për fëmijët e nusja më është bërë si shoqe…
Ajo qeshi dhe si nën zë, më tha: – Gjithsesi, është diçka për të cilën femra ka nevojë!
Nuk e di t`jua shpjegoj me fjalë sa jam tronditur kur ajo papritmas m’u afrua. – Do të bëjmë një lojë së bashku, – më tha. – Gjithmonë më ke pëlqyer dhe do të argëtohemi pak…
Unë shtanga në vend. Isha edhe shumë i lodhur dhe realisht, nuk po e kuptoja se si ajo arriti të më ulej në prehër. E shtyva dhe reagova shumë keq, por ajo nuk u tërhoq. Insistoi që ta prekja. Atëhere filloi edhe ajo duke më prekur dhe ne përfunduam duke u puthur. Gjërat e tjera ndodhën sa hap e mbyll sytë.
– Si do të kem guxim ta shikoj në sy nusen time, apo njerëzit e saj?! – i thashë.
– Unë e kam tradhtuar disa herë burrin tim. Normalisht, çfarë pretendon ai, të rrijë në Itali me femra të tjera e unë ta pres këtu? Këtë ta harrojë! – u përgjigj ajo.
Nuk qëndrova shumë pas kësaj që ndodhi dhe ika. Sapo erdha në Tiranë, bëra një dush dhe mendova momentet që kishim kaluar bashkë. Më dukej çmenduri! Kur më pyeti nusja ime, i thashë që isha te familja e saj e S.-ja më shtroi një drekë të mirë. Më pyeti si ishin dhe nëse kishin folur me të vëllain, por unë iu përgjigja vetëm:
– Mirë. Po!
Ajo filloi të më thoshte një mijë fjalë të mira për nusen e vëllait të saj. Nuk e dinte se ç`lloj femre kishin futur në shtëpi! Këtë gjë ia rrëfeva vetëm shokut tim të ngushtë, i cili më tha se ajo ishte femër pa karakter, por nëse po i bënte qejfet e veta me tjetër njeri, përse të mos i bëja unë me të?! Kjo bisedë nuk më pëlqeu dhe e kundërshtova. “Absolutisht, me mua jo më!”, i thashë.
Ishte periudha më e keqe e jetës sime. Disa ditë më vonë më erdhi një mesazh. E hapa dhe lexova këto fjalë: “Dua të të takoj. Eja këtë të shtunë sepse pleqtë vijnë mbas orës 4 në shtëpi. Të puth”.
E kuptova kush ishte sepse nuk kisha asnjë lidhje me femër tjetër. Nuk i ktheva përgjigje dhe nuk ika ta takoja kurrë më. Një mesazh ma dërgoi edhe pas disa ditësh, duke më thënë se nuk më kishte harruar dhe se donte lidhje me mua. As atij nuk i ktheva përgjigje. Nuk e di a më besoni, por edhe shumë kohë pas asaj që kisha bërë, ndihesha shumë në faj. As që e mendoja ta bëja të njëjtin gabim, sepse kur shtrihesha në krevat me nusen time, mezi e shikoja në sy. Shumë herë më kishte pyetur përse nuk kisha shkuar më nga prindërit e saj, por unë i thoja që nuk më kishte premtuar koha. Gjeja lloj–lloj justifikimesh ose e merrja me makinë, e lija aty dhe kthehesha ta merrja ditën tjetër, sepse unë nuk flija dot më në atë shtëpi. Pas një viti, patëm një dasmë në Lushnje dhe u detyrova të shkoja. Atë kohë kishte ardhur edhe vëllai i nuses nga Italia. Më iku fytyra kur e pashë e kur i dhashë dorën. Doja t’ia thoja në fytyrë çfarë femre ksihte në krah. Ai dukej i lodhur si çdo emigrant tjetër që punon e copëtohet për të krijuar familje, ndërsa kjo ishte krekosur a thua se ishte bose. Ia dhashë edhe asaj dorën. Me pafytyrësinë më të madhe më qeshi sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Më iku fytyra! Po kjo femër, kaq e pafytyrë të ishte vallë sa t’i afrohej gruas sime e të bënte sikur po e respektonte?! U ulëm në banket dhe ajo me qeshte gjatë gjithë kohës, mirëpo asnjeri nuk kuptonte asgjë. Me siguri, ajo vazhdon ta tradhtojë të shoqin që është ende në Itali dhe ajo ikën me viza tre mujore.
Unë, që atë ditë, nuk shkoj më te njerëzit e gruas. Ata më kanë pyetur pse nuk shkoj, por unë jam justifikuar me punën. Nuk kam si të shkoj, të ha bukën e të përmbys respektin që më kanë bërë prej vitesh. Ndihem shumë në faj dhe e di se kështu do të ndihem për shumë kohë. Kam menduar shumë herë t’ia rrëfej këtë ngjarje nuses, por jam i sigurtë që nuk do të ma falë. Pastaj, jam i sigurtë se sapo të rrëfej unë historinë, S.-ja do të shpifë sikur e kam joshur unë, apo ku di çfarë do të sajojë. U bënë disa vite dhe ajo nuk lind dot fëmijë. Kur e diskutojnë në shtëpi si femër të mirë e me virtyte, më vjen të plas. Pse duhet ta shkatërronte raportin e bukur që kisha me miqtë e mi?! Kësaj i thonë të fusësh në derë një virgjëreshë e të bëhet e përdalë brenda vitit! Femrat e tilla gjithmonë i kam urryer, madje edhe një tradhti nuk ua bëj hallall. Kushedi sa famije do të prishë ajo ndyrësirë e kushedi sa ia ka ulur reputacionin familjes së gruas sime në Lushnje.
Ju kërkoj ndjesë për shkrimin, por nëse e lexon këtë shkrim S.-ja, dua t’i them vetëm kaq: Uroj të të dalin në shesh gjithë çfarë ke bërë!