– Unë që po ju shkruaj jam një zonjë nga Tirana,
41 vjeçe, e pamartuar.
Prej tre vjetësh vuaj nga sëmundja e diabetit për të cilën po mjekohem me disa barna nga goja.
Doja të dija, a mund të krijoj unë familje? A mund të kem fëmijë në të ardhmen? A do të kenë rrezik ata të lindin me këtë sëmundje? Pres një përgjigje nga ju, faleminderit.
Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- E nderuar zonjë, diabeti është sëmundje kronike jo fortë e lehtë për çdo individ që e mbart, por për fatin e mirë, nëse i sëmuri mjekohet rregullisht, ndjek siç duhet këshillat në lidhje me dietën, aktivitetin fizik etj., kjo sëmundje nuk përbën pengesë në jetën e përditshme të diabetikut. E trajtuar në këtë kontekst, gjen përgjigje edhe pjesa e parë e pyetjes suaj, që nënkupton se me një mjekim të mirë dhe ekuilibrim të diabetit, çdo grua e shëndoshë nga shëndeti riprodhues mund të ketë shansin të konceptojë një apo shumë fëmijë në të ardhmen. Me pak shqetësim do të trajtoja moshën tuaj, e cila për hir të së vërtetës, është relativisht e vonë për një femër si shtatzani e parë. Por, megjithatë, nëse gjendja te ju është e mirë, asgjë e keqe nuk duhet të prishë ëndrrat tuaja. Le të rikthehemi te sëmundja juaj për të cilën me elegancë ma sqaruat që merrni barna nga goja, domethënë, që ju vuani nga tipi 2 i diabetit. E bëj këtë ndarje sepse zakonisht në këtë moshë haset jo rrallë edhe tipi i diabetit 1, i cili mjekohet me insulinë.
– Nëse e ardhmja do t’jua bëjë të mundur që ju të mbeteni shtatzënë, duhet medoemos që në momentin e parë të konceptimit të jeni me vlera normale të sheqerit e së dyti, duhet të merrni kontakt me një specialist diabetolog, për të bërë modifikimet e duhura të skemës së mjekimit. Jo rrallëherë, barnat që merren për të mjekuar diabetin mund të kenë efekte të padëshiruara në shtatzani, por edhe mbi shëndetin e bebit. Ndjekja e diabetit gjatë shtatzanisë është një sfidë në vetvete, një sfidë për vetë ju në aspektin e vetëkontrollit dhe monitorimin e rreptë të vlerave të sheqerit, por është një sfidë edhe për stafin mjekësor, për të gjetur skemat e duhura të mjekimit. Kjo për të dhënë udhëzimet e duhura në lidhje me çdo të papritur që mund të ndodhë përsa i përket si vetë shtatzanisë, ashtu edhe çrregullimit të diabetit. Kur vlerat e sheqerit gjatë shtatzanisë nuk do të jenë të kontrolluara, me shumë gjasa, lindja juaj do të jetë e vështirë, pasi fëmijët që lindin nga nëna diabetike të pamjekuara si duhet, janë fëmijë të mëdhenj. Përsa i përket peshës dhe përmasave, edhe kjo mund të krijojë vuajtje për vetë bebin, por edhe për procesin e lindjes fiziologjike. Shanset që fëmija juaj të lindë diabetik janë të vogla dhe thuajse të përafërta me shanset që kanë fëmijët e lindur nga prindër që nuk vuajnë me diabet. Duke përfunduar këtë sqarim të problemit tuaj, ju këshilloj ta merrni seriozisht këtë situatë e të trajtoheni rregullisht me barna apo insulinë që në fillim e deri në fund të shtatzanisë, në mënyrë që të ndiheni normale dhe të parandalojmë ndonjë çrregullim të shëndetit të fëmijës e tuajin, që mund të precipitojë nga mosekuilibrimi i mirë i sheqerit në gjak. Ju uroj fat dhe shëndet!