Të dashur lexues të gazetës!
Unë që po ju shkruaj jam një grua që për pak kisha humbur të gjitha
shpresat e tani ndjehem sikur kam lindur me këmishë.
Jam e divorcuar dhe kam një vajzë. Me burrin u ndava sepse nuk ishte shumë punëtor dhe nuk i kishte ecur. Mua më dukej se me të do të mbetesha gjithmonë e varfër. Jo se nuk mund ta tradhtoja me ndonjë tjetër, por doja të lidhesha me ndonjë të pasur që të më mbante me lekë, por edhe të isha e lirë. Kur isha e martuar, e kisha një të dashur e nuk më vinte aspak keq që e tradhtoja burrin. U ndava dhe mendoja se do ta gjeja një burrë të pasur. Ndarja me burrin ishte një vendim i mirë, tani që e mendoj, por të gjithë atëherë më thanë që po bëja një gabim të madh, sepse nuk kisha asnjë arsye që të prishja familjen. E pra, unë kisha nevojë për një burrë të pasur.
Pas ndarjes kisha disa raste, por asnjëri nuk më përshtatej. Nëse ishin të pasur, do të kishin ndonjë të dashur tjetër apo kishin familje e nuk mund të dilja hapur me të vetëm duke u fshehur. Asgjë nuk po më ecte. Rroga nuk më dilte për shumë gjëra dhe vajzës i mungonin gjërat kryesore. Më duhej të paguaja qiranë dhe të ushqeheshim, ndërsa për të dalë nuk na tepronin shumë lekë, megjithatë e nxirrja vajzën pasditeve që t’ia plotësoja nevojat, që ajo të ndihej mirë e të mos e ndjente shumë mungesën e të atit.
Isha shumë e mërzitur dhe po varfërohesha çdo ditë e më tepër, mirëpo asnjë moment nuk u mërzita pse isha divorcuar sepse e ndjeja se do të më vinte fati në derë.
Pas shumë kohe mundimesh, isha lodhur me përpjekjet për të gjetur një burrë të pasur. Ia kisha shprehur këtë edhe shoqes sime të ngushtë. I kisha shprehur se tashmë asnjë nuk do të gjeja, kështu që po bëja një jetë krejt tjetër nga ajo që kisha ëndërruar, por gjërat ndryshuan…
Kisha shkuar me vajzën te kodrat e liqenit. Ajo më kërkoi ta çoja në një vend ku të lozte, por unë kisha lekët e fundit në portofol derisa të merrja rrogën pas dy ditësh.
Isha ulur në kafe dhe kisha porositur një makiato për vete dhe vajzës ia kisha blerë lëngun e frutave në një dyqan që të mos harxhonim shumë lekë. Vajza po luante te lodrat e lokalit, ndërsa unë po lundroja si gjithmonë në Facebook. Tani, jo për të gjetur një burrë siç bëja herët e tjera, sepse të gjithë ata që kisha gjetur ishin jo ashtu siç i doja. Isha e përqendruar te telefoni, kur dëgjova një zë:
– Mirëmëngjes! Si jeni?
U ktheva njëherazi dhe e përshëndeta e çuditur, sepse nuk e njihja.
– Nuk më njihni, e di, por meqë ju pashë në Facebook, mendova se mund të bëhemi shokë. Edhe ju e përdorni shumë, besoj.
– Tani jo, por më parë, po.
– E keni problem të ulem me ju. Edhe unë jam vetëm…
– Po ku e dini se nuk po pres ndonjë?
– Ju kam parë që vini ose vetëm me vajzën tuaj, ose me vajzën dhe shoqen.
– Më paskeni vëzhguar me kujdes! – i thashë qetësisht. – Uluni. Jam vetëm me vajzën, s’ka problem.
– Më keni tërhequr vëmendjen, në fakt. Faleminderit që më lejuat të ulem me ju.
– S’ka gjë… As unë nuk po e shtyja kafen vetëm.
Biseduam dhe shkëmbyem adresat e Facebookut. Vajza u afrua dhe nuk u shqetësua aspak kur na pa të pinim kafe. Ky ishte një fillim i mirë. Ai pagoi edhe kafet. Ishte shumë i mirë e i edukuar. Shkova në shtëpi e ndjehesha shumë mirë. Jo vetëm se më pagoi kafen, por ndjeja se ai ishte i duhuri. Doja ta hapja Facebookun në kompjuter që të shikoja më mirë fotot, por nuk e kisha paguar, kështu që u mjaftova me celularin. Shkëmbyem edhe numrat e telefonit. Ai kishte numër me njëzet dhe kjo tregonte që ishte për mua! Mirë thonë: “Zoti vonon, por nuk harron”.
Nja dy ditë nuk e mora në telefon dhe nuk i bëra asnjë shenjë në profilin e tij. Doja të sigurohesha që nuk kishte ndonjë të dashur, sepse i martuar më kishte thënë se nuk ishte. E studiova mirë dhe u sigurova se nuk kishte asnjë lidhje. Kjo tregonte se do ta kisha shumë të lehtë me të. Në fakt, edhe si tip jam pak e hedhur, në kuptimin që, po desha, e arrij atë që dua me çdo mënyrë. Ndoshta më quajnë të keqe, por s’e kam shumë problem. Sidomos tashmë që kisha gjetur objektivin që po e kërkoja prej kohësh, pas dy-tre ditësh i çova një mesazh. I thashë se doja t’ia ktheja kafen që më kishte dhënë. Në fakt, nuk kisha me se ta paguaja, kështu që për siguri, nëse ai nuk do të paguante, ia mora shoqes sime një dhjetë mijë lekësh. Veçse, po të mos paguante, nuk do të dilja më me të. Interesi kishte pushtuar mendjen time dhe nuk e kisha ndërmend të bëja ndryshe. Ai pranoi menjëherë të dilnim. E kuptova se i kishte rënë në kokë për mua menjëherë. Dolëm, sigurisht, së bashku me vajzën.
– Desha të merrja makinën të dinim jashtë qytetit – tha ai, sapo më përshëndeti – por mendova se mos e merrje për keq ti.
– Në fakt, shumë mirë mendove… Nuk njihemi aq mirë… – i thashë unë që të dukesha sikur ishte një lidhje e zakonshme, por në fakt kënaqesha që kishte edhe makinë e ishte njeri që donte të dilte shumë e ta shijonte jetën.
Flisnim së bashku dhe unë i lija të kuptonte se isha një grua shumë serioze dhe herë-herë bëja sikur nuk isha e interesuar aspak për lekët. Ai ishte shumë naiv, mirëpo gjatë bisedës i ra telefoni njëherë. E kishin marrë nga shtëpia. Herën e dytë m’u duk sikur po fliste me një femër. Unë bëja sikur nuk dëgjoja asgjë. Merresha me vajzën, por veshin aty e kisha. Ah, një rrezik po na afrohej. Vërtet e kisha studiuar se nuk kishte të dashur, por isha gabuar. Kur po fliste me të, i ndryshoi fytyra dhe mendova se ai e dashuronte. Pra, më doli një pengesë përpara që të arrija planin tim, mirëpo ishim në fillimet tona e nuk duhet ta jepja veten. Pasi e mbylli telefonin, ai më kërkoi falje që kishte ndërprerë bisedën tonë, por ishte urgjente.
– S’ka problem! Unë jam tip shumë i hapur e nuk i vë re këto gjëra. – i thashë atij, ndërsa me vete thashë: “Do të t’i shkurtoj këto telefonata”.
E fsheha shumë mirë këtë shqetësim. Takimet vazhduan rregullisht, mirëpo herë pas here ai merrte nga një telefonatë të tillë. I kërkova të më tregonte se kush e merrte kaq shpesh. Ai më tha se ishte një shoqe e tij, por që nuk kishin asgjë bashkë. Në fakt, kështu mund të ishte sepse ai nuk gënjente asnjëherë, por siç dihet, nga miqësia lind dashuria më e fortë.
Vendosa ta merrja vesh kush ishte. Një ditë ajo i çoi një mesazh dhe unë ia ktheva menjëherë në telefonin e tij, duke i thënë që të na linte rehat, se tashmë ishim lidhur bashkë dhe ajo duhej të zhdukej nga jeta jonë. Pastaj menjëherë e fshiva mesazhin që të mos e shihte ai dhe ajo nuk u bë më e gjallë. Sa e lehtë ishte kjo punë! Mendoja se ajo do të ishte këmbëngulëse dhe do të bënte ndonjë gjë për ta mbajtur, por asgjë. Atëhere u kënaqa, por nganjëherë më duket se mos ajo e donte me gjithë shpirt prandaj u largua pa bërë zë, që ai të jetonte i lumtur. Nejse, këto gjëra janë për ato që dashurojnë me zemër e jo për mua që dashuroj me fjalë, madje kënaqem kur e di se fitova unë e jo ajo.
Tani, çdo gjë ishte shumë mirë. Me të, unë kisha një tjetër jetë. Filluan udhëtimet dhe drekat nëpër restorante. Ndryshoi veshja ime, kujdesi për trupin e çdo gjë tjetër. U njoha me fisin e tij. Çdo ditë e më shumë e kuptoja se kisha qëlluar në shenjë. Kishte përreth tij vetëm njerëz me kulturë dhe të qytetëruar. Tashmë, më duhej vetëm të fitoja zemrën e tyre. Këtë gjë unë e bëj shumë kollaj. Po ta vini re, në çdo film, sepse unë nuk jam tip që lexoj libra, por edhe në telenovela që i shohin të gjithë, vetëm tipat si unë arrijnë ta jetojnë jetën siç duhet. Ata që e vrasin mendjen shumë u ikën koha duke menduar se çfarë është mirë e çfarë është keq. Unë nuk e harxhoj kohën me gjëra të tilla. Arrita të kem atë që desha dhe të jetoj tamam, siç duhet. Rri pranë tij dhe në çdo çast, i kujtoj vlerat e mia, kërkesat që kam patur për t’u martuar e i kam refuzuar dhe shoh se pas kësaj, ai e shton përkushtimin ndaj meje dhe vajzës.
– Ti je dashuria ime më e madhe – i them. – Ti je njeriu që unë zgjodha të jetë babai i vajzës sime.
– Faleminderit! – thotë ai dhe më shtrëngon fort, me dashuri – Të dua shumë, sepse ti më ndryshove jetën.
Ndërsa ai thotë këto, unë kam sytë e mbyllur dhe e puth pafund kur kujtoj se si më nxori nga varfëria dhe mendoj se çfarë duhet të bëj në vazhdim që ta mbaj afër meje, që të jem gjithmonë mes të mirave.
Askund nuk do të gjeja një burrë si ai, që përkujdeset dhe nuk fle natën e rri e më vëzhgon, që më thotë që kisha qenë surpriza e jetës së tij dhe më mbulon me lekë e nuk e vë re që unë nuk e dua atë, por dua të jetë vetëm i imi sepse ai më duhet.