Skip to content Skip to footer

Dashuria e nënës, më tronditi jetën!

Historia ime do t’ju duket e ngjashme me atë të një filmi, por në fakt është e vërtetë, e jetuar dhe e përjetuar tmerrshëm.

Jetoja në një qytet të Shqipërisë së Mesme.

Isha vajzë e vetme dhe kisha dy vëllezër.

Jetoja me mamin, pasi prindërit ishin ndarë. Lidhja ime me babin ishte e fortë, por ligji vendosi të jetoja me mamin. Kurrë deri në atë moshë nuk i kisha kuptuar arsyet e ndarjes së prindërve. Gjëja më e mirë që kishin prindërit e mi ishte se asnjëri nuk e bënte tjetrin fajtor për ndarjen e tyre. Unë isha 16 vjeçe, kur më filloi jeta…

Ishte kjo koha kur u njoha me Gentin. Në këtë moshë, mamaja mendoi të më fejonte. Genti ishte 10 vjet më i madh se unë, por fiziku dhe fytyra e tij nuk e tregonin këtë. Ishte simpatik, i qeshur dhe kujdesej shumë për mua. Kalova një lidhje-fejesë shumë të bukur. Kisha siguri, dashuri, qetësi, pra, me pak fjalë, isha e plotësuar, por kjo qetësi mori fund atëherë kur ai filloi të fliste keq për mamanë time. Më thoshte se nëna ime ishte e përdalë, se shkonte me këdo i dilte përpara dhe për këtë arsye, ishte ndarë nga babai im. Unë e kundërshtoja, por ai ishte i bindur. Në fakt, unë s’kisha si të dyshoja, pasi ajo sillej mirë me mua, më donte e më trajtonte mirë, po më kushtonte vitet më të bukura të jetës së saj.

Unë me Gentin kishim ndarë datën e martesës. Unë në fakt nuk isha e bindur, por mamaja këmbënguli që të martoheshim. Ceremonia e dasmës ishte e bukur dhe u kënaqa shumë. I ftuar në dasmë ishte dhe im atë. Kjo e shtoi gëzimin tim. Edhe Genti u kënaq në të dyja ditët e dasmës. Tani ne po jetonim në një shtëpi më vete dhe larg të dyja familjeve, por shumë pak kohë më pas, filloi monotonia në marrëdhënie. Isha e qetë, por kisha frikë se mos im shoq fillonte të fliste keq për nënën time dhe, në të vërtetë, nuk kaluan shumë ditë e ai filloi ta bënte këtë. Unë i kisha thënë se do t’i besoja vetëm kur të më sillte fakte dhe prova se në të kundërt, nuk i besoja. Ai m’u përgjigj se gjatë kohës që nuk më kishte folur për të, kishte mbledhur pak fakte, por donte edhe të tjera, që të më bindte tërësisht. Kaluan muajt dhe vëmendja u përqendrua diku tjetër. Unë isha dy muajshe shtatzënë. Shtatzania po kalonte dhe barku po rritej. I kisha binjakë, një djalë dhe një vajzë. Kishim vendosur që fëmijëve t’i vendosnim emrin Arjol djalit dhe Gentjana, vajzës. Fëmijët lindën të shëndetshëm dhe të gjithë i donin.

Një ditë, mami im më erdhi në shtëpi. Genti ishte vetëm me të dhe kishte filluar t’i fliste me ironi. Këtë gjë ma tha nëna ime. Unë fillova të ankohesha tek ai dhe këtu, nisën krisjet e para në çift. Atë natë ai filloi të bëhej xheloz dhe të dyshonte për marrëdhënien dhe mbrojtjen që i bëja nënës sime duke më thënë se unë doja dhe besoja më shumë nënën sesa burrin. Atë natë ai më erdhi në shtëpi i dehur për herë të parë, pasi nuk e kishte vënë kurrë pijen në gojë. Këtu u zhgënjeva shumë dhe e kuptova se martesës sonë po i vinte fundi. I kërkova nënës sime të vinte të më takonte dhe i tregova gjithçka që kishte thënë Genti për të. Ajo u prek. Pas dy ditësh, Genti më solli foton e nënës sime me një burrë, duke dalë nga një lokal. Unë nuk e njihja këtë njeri. Kjo më mërziti e më shkatërroi tërësisht dhe venda ta ndiqja vetë nënën time. Pas dy javësh ndjekjeje, një ditë e pashë të dilte nga shtëpia e saj, me atë burrin që kisha parë në foto. Kjo skenë më bëri të thoja me vete: “O Zot, bëj të lutem që kjo të mos jetë e vërtetë!”. Si do të reagoja tani kur ta kisha mamin përballë? Si do të justifikohej ajo apo cila do të ishte e vërteta e kësaj historie? Të ishte vërtet nëna ime ashtu si e konsideroi burri im?!

Çfarë do të bëja tani? Mbas asaj që pashë, takova babin dhe i tregova gjithçka në lidhje me nënën. Ai nuk tha asgjë, por heshtja e tij më pohonte gjithçka. Atë ditë, ai më tha vetëm diçka: “Dëgjo, bija ime! Nëna jote nuk është e keqe. Përpara se ta gjykosh, dëgjo ato që ka për të të thënë ajo dhe më pas trajtoje situatën si ta mendosh vetë. Një gjë mos e harro kurrë: Unë gjithmonë do të jem babai yt!”.

Më zuri një ankth aq i madh sa nuk po e kuptoja se çfarë po më thoshte im atë. Po më zihej fryma, po më dridhej i tërë trupi. Mendova të dëgjoja këshillën e tim eti dhe shkova të takoja nënën time. Kur e takova, kisha ndjesinë që ka një njeri kur e takon dikë për herë të parë. Njeriu që më kish dhënë jetën, ishte e huaj për mua. Ajo e vuri re ftohtësinë time dhe më pyeti se çfarë kisha, se mos kisha probleme me tim shoq apo se mos kisha probleme shëndetësore. Iu kundërpërgjigja me këtë frazë:

“Kush ishte ai burri që të shoqëronte në mëngjes kur po dilje nga shtëpia dhe me të cilin të kanë parë të pish kafe nëpër lokale?”.

Ajo u ul në kolltuk dhe bëri një psherëtimë therëse. Dukej se nuk kishte frikë, por dhimbje, nga ajo që fshihte.

“Ah, moj bijë, asgjë nuk mbahet e fshehtë për gjithë jetën dhe uroj që ti të më kuptosh për këtë që do të të them. Kur isha 20 vjeçe, rashë marrëzisht në dashuri me një djalë. E donim shumë njëri-tjetrin, por familjet na kundërshtuan. Më detyruan të ndahesha nga ai dhe më martuan me një tjetër, pa dëshirën time. Unë isha një muajshe shtatzënë kur u martova. Burri e kuptoi këtë, por nuk bëri asgjë kundër meje, të rriti dhe të edukoi ty sikur të ishe vajza e tij… Nuk e kisha harruar kurrë babin tënd biologjik dhe kjo gjë e bëri të pamundur bashkëjetesën me burrin që më dhanë, me atë që ti e njeh si baba. Tani, pas shumë kohësh, mora vesh se ai nuk ishte martuar dhe e takova. Kuptova se e duam njëri-tjetrin me po atë forcë, si para shumë vitesh. Për shkak të mentalitetit, jemi te detyruar ta jetojmë dashurinë tonë në fshehtësi. Kjo është e gjithë ajo çfarë fsheh unë, bija ime”.

E shokuar, u largova nga shtëpia e nënës sime. Si do të rridhte jeta ime tani? Si do të sillesha me nënën time? U ktheva në shtëpi dhe aty gjeta tim shoq, të dehur, si gjithmonë. U përpoqa t’ia shpjegoja situatën atij, por nuk dëshironte të më dëgjonte, vetëm vazhdonte të pinte. Kaluan disa kohë dhe pasi arrita të rimerrja veten nga ky lajm, vendosa të takoja babin tim biologjik. Fala nënën time dhe, duke parë dashurinë që ekzistonte mes tyre, i thashë se unë nuk e kisha problem që ata të jetonin bashkë. Nëna ime ishte shumë e lumtur për këtë, ndërsa jeta ime, u shkërmoq. U divorcova nga im shoq… Tani kam një punë dhe, bashkë me fëmijët, jetoj me dy prindërit, ndërsa babin tjetër, atë që më rriti, e takoj shumë shpesh dhe e dua po aq, madje edhe më shumë se atë biologjikun.

Leave a comment

0.0/5