Ka shumë fëmijë që, edhe pas moshës 3 vjeçare, vazhdojnë të urinojnë natën në shtrat.
Më shumë, këtë problem e kanë djemtë sesa vajzat.
Sipas statistikave, 15-20% e fëmijëve 5-6 vjeçarë, ende urinojnë në shtrat natën dhe 8-12% e fëmijëve mbi 5 vjeç, vazhdojnë ta lagin dyshekun rregullisht…
Në moshën 15 vjeçare, vetëm 2% e tyre e kanë ende këtë problem. Ky është një problem i bezdisshëm për fëmijët dhe mamatë e tyre, por në fund të fundit, mbetet një problem i zgjidhshëm. Cilat janë shkaqet, masat që duhen marrë dhe kur duhet shkuar te mjeku?
– Pse fëmija im urinon natën në shtrat?
– Urinimi i pavullnetshëm në shtrat natën, në gjuhën shkencore, quhet enurezi. Dallojmë enurezinë primare, te një fëmijë që nuk e ka ndërprerë kurrë urinimin në shtrat dhe atë dytësore, që prek fëmijët që e kanë ndërprerë për të paktën 6 muaj, para se ta fillonin përsëri.
Shkaqet e enurezisë janë të shumta:
– Shkaku i parë është trashëgimia. Në fakt, është vërtetuar se, në shumicën e rasteve, të paktën njëri nga dy prindërit e fëmijëve e ka pasur këtë problem. Nëse këtë e kanë pasur të dy prindërit, fëmija i tyre rrezikon të preket prej tij në masën 77%. Urinimi në shtrat nuk është medoemos me origjinë psikologjike, siç mendohet shpesh. Nganjëherë, shkak është ulja e sekretimit të hormonit antidiuretik që ndalon normalisht urinimin natën. Gjithashtu, sistemi nervor i fëmijës mund të mos jetë mjaft i pjekur për të kontrolluar kontraksionet e fshikëzës së urinës, sidomos natën dhe në këtë rast, duhet vetëm durim! Ka edhe fëmijë që kanë frikë e ankth për t’u ngritur vetëm natën, në errësirë dhe preferojnë ta bëjnë urinën në shtrat. Ata, gjithashtu, mund të ëndërrojnë sikur janë në banjo (kjo u ndodh të gjithëve, edhe ne të rriturve!). Shkaku i fundit është se disa fëmijë e kanë gjumin aq të thellë sa nuk zgjohen kur duhet të shkojnë në banjo dhe nuk e kuptojnë kur e bëjnë në krevat!
– Si duhet reaguar përballë një problemi të tillë?
– Çdo nënë kërkon të dijë se si të sillet përballë një problemi të tillë. Duhet ta anashkalojë problemin apo ta qortojë fëmijën? Mos do të ishte më mirë që të përfshihej edhe ai dhe të merrte pjesë në heqjen e çarçafëve? Nënat janë të gjitha të ndryshme dhe reagimet e tyre, gjithashtu! Vetëm duhet të keni parasysh se bërja e urinës në shtrat është diçka e pandërgjegjshme nga fëmijët. Është gabim të thuhet se ai “e bën me qëllim”, siç mendojnë disa.
– Kur duhet të shqetësohemi vërtet për enurezinë?
– Nëse fëmija mbi 6 vjeç urinon në shtrat, kjo nuk është e jashtëzakonshme dhe ju duhet të ruani qetësinë e durimin. Në pedopsikiatri, nuk shqetësohemi nëse fëmija 7 vjeç e poshtë nuk e ka ndërprerë kurrë urinimin. Problem është kur fëmija ka qenë i pastër për shumë kohë dhe papritur, rifillon të urinojë në shtrat. Në këtë rast, duhet të konsultoheni me mjekun, për të zbuluar ndonjë problem mjekësor… Duke filluar nga mosha 11 vjeçare, nevojitet një trajtim mjekësor dhe nganjëherë, edhe një ndjekje nga psikoterapeuti. Kjo bëhet kur enurezia kthehet në një handikap ose një shqetësim real nga fëmija apo adoleshenti. Kështu, duke u rritur, një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve evitojnë të flenë gjëkundi tjetër, përveçse në shtëpi. Kjo mund të bëhet problematike nëse fëmija shkon në eskursion në një qytet tjetër dhe fle atje.
– Çfarë zgjidhjesh jepen në këtë rast?
– Më e rëndësishmja është të arrish të implikosh edhe fëmijën, pa e poshtëruar atë. I duhet dhënë të kuptojë se nuk është faji i tij, por që duhet të kujdeset për veten, pa e marrë këtë si një dënim. Ja çfarë masash mund të merren:
– Në darkë: Pasi ha zemër, kërkojini të pijë sa më pak ujë, por mos ia privoni krejt ujin, është e padobishme dhe e dëmshme për shëndetin. Evitoni supërat në darkë. Propozojini sistematikisht fëmijës të urinojë para se të shtrihet në shtrat dhe krijoni kështu një ritual të pandryshueshëm.
– Në mëngjes: Nëse fëmija nuk ka urinuar gjatë natës, përgëzojeni. Kujtohuni sa të kënaqur ishit ju dhe ai kur filloi të urinonte në uturak dhe sa nxitej ai nga motivimi juaj. Atëhere, vazhdoni! Në rast se ka urinuar, kërkojini t’ju ndihmojë të ndërroni çarçafët dhe të rregulloni krevatin. Krijoni me të një kalendar të “meteorologjisë në shtrat”: Nëse nuk ka urinuar, vizatoni një diell në ditën përkatëse, nëse po, një re me shi. Do të shihni me gëzim, me kalimin e javëve dhe muajve, se kalendari do të mbushet me diej dhe do të ketë më pak shi! Kjo i jep mundësinë të shohë se përpjekjet e tij kanë dhënë frytet e tyre dhe shumë shpejt ai do ta lërë urinimin. Ekzistojnë edhe versione të tilla në internet! Inkurajojeni duke i treguar se i kushtoni më shumë rëndësi faktit që ai të jetë i pastër, sesa problemit të larjes së rrobave. Kështu, do t’i jepni më shumë besim në vetvete.
Për të thjeshtuar jetën, ndiqni këto këshilla:
– Vini një uturak pranë abazhurit.
– Mbani një dritë të vogël ndezur, nëse fëmija ka nevojë të ngrihet vetë.
– Vërini një mbrojtëse dyshekut.
– Kini gjithmonë gati një palë pizhama në fund të shtratit, të cilat mund t’i kërkoni fëmijës t’i ndërrojë vetë natën kur laget.
– Nëse fëmija do të shkojë në eskursion me shokët ose diku tjetër gjetkë, jepini ndonjë ilaç nga goja, të tipit Ditropan ose një tjetër, në formë sprai.
Pyetjet e nënave:
– A duhet ta zgjoj fëmijën natën që të urinojë?
– Jo, kjo do të ishte e kotë dhe, me kalimin e kohës, ky lloj zakoni mund të dëmtojë gjumin e fëmijës.
– Do ta çoj fëmijën te doktori për ta zgjidhur këtë problem. Çfarë do të bëjë ai?
– Zakonisht, mjeku, për të bërë diagnozën, i bën disa pyetje prindërve dhe fëmijës. Pastaj mund të propozohen edhe analiza, si ajo e urinës, ekografia, etj.
– Çfarë metodash të tjera ekzistojnë kundër enurezisë?
– Ka raste që mjekët japin disa ilaçe. Ekzistojnë edhe pelenat speciale për “fëmijët e mëdhenj”. Më në fund, në treg ekzistojnë edhe dispozitiva alarmi kundër urinës. Bëhet fjalë për pelena ose një pllakë që vihet poshtë çarçafit, e pajisur me dedektorë lagështie, të lidhura me një sistem alarmi. Që në pikën e parë të urinës, fillon alarmi që zgjon fëmijën, që kështu mund të shkojë në tualet. Kjo metodë, shpesh e kritikuar, nganjëherë rezulton shumë efikase. Këto alarme, të shoqëruara me masat klasike, mund të zhdukin urinimin në shtrat brenda disa muajve. Sido që të jetë, nëse nuk arrini të keni sukses, duhet të keni vetëm durim dhe të prisni kur fëmija do ta lërë vetë urinimin.