1. Fontana di Trevi. Romë

Legjenda thotë se nëse hedh një monedhë pas kurrizit, në Fontana di Trevi (Shatrivani i Trevit), e ke të garantuar kthimin në Romë.

Ka aq shumë turistë në Romë, sa në shatrivan mblidhen afro 3000 euro çdo ditë (Çfarë ndodh me këto monedha?).

Ky shatrivan masiv barok shënonte fundin e një ujësjellësi dhe është ndërtuar prej shtufi, i cili është përdorur edhe për të ndërtuar një monument tjetër të famshëm romak.

2. Shatrivani i Prometeut, Qendra Rokfeler, Nju Jork

Prometeu ishte një perëndi greke që u dhuroi njerëzve zjarrin dhe nderohet për këtë dhuratë me një monument prej bronzi të veshur me ar, në një shatrivan që ndodhet në sheshin e Qendrës Rokfeler, në Nju Jork. Monumenti është bërë nga skulptori Pol Menship, është vënë atje në vitin 1933 dhe është një nga vendet më të famshme të Nju Jorkut.

3. Shatrivani Bakingam Memorial, Çikago

Shatrivani Bakingam Memorial është qendra e njërit nga parqeve kryesorë të Çikagos, Grant Parkut, i ndërtuar në vitin 1927 (park që shënon gjithashtu pikënisjen e njërës prej autostradave më të famshme amerikane). Shatrivani ka 134 currila uji, disa prej të cilave, e hedhin ujin 45 metra lart mbi strukturën e mermerit rozë. Janë 820 drita që e ndriçojnë shatrivanin dhe uji hapet e mbyllet çdo orë, nga prilli, në mes të tetorit, kur shatrivani është në punë. Kohët e fundit, kanë vënë edhe muzikë për të kompletuar shfaqjen.

4. Kështjella e Versajës, Francë

Mbreti Diell i Francës, Luigji i XIV, nuk i bënte gjërat gjysmake, duke përfshirë këtu edhe shatrivanet në Kështjellën e tij të Versajës, jashtë Parisit. Dy më kryesoret janë Shatrivani i Neptunit, me 44 currila, ku perëndia e oqeanit është i rrethuar nga dragonj deti e kupidë dhe Shatrivani i Apollonit, që tregon perëndinë greke të diellit që ngrihet nga uji me karrocën e tij të tërhequr nga katër kuaj (Apolloni, sigurisht, i referohet vetë Mbretit Diell). Duke filluar nga mesi i qershorit, në pallat zhvillohet Shfaqja e Natës e Shatrivanëve, të shtunën nga ora 21.00-23.00, ku kopshtet, shatrivanët dhe hauzët “kërcejnë” me drita dhe muzikë.  

5. Mirage Volcano, Las Vegas

Monumenti i shatrivanit Mirazhë në bulevardin e Las Vegasit, “ka shpërthyer” aty që prej vitit 1989, por në vitin 2008, iu bë një restaurim gjigand që kushtoi 25 milionë $. Tani, çdo orë, që prej fillimit të muzgut e deri në orën 23.00, vizitorët mund të shohin toptha “zjarri” që fluturojnë 3 metra lart në ajër, si edhe ujin e “llavën” të rrjedhin nga vullkani, të gjithë këto nën muzikën e kompozitorëve Miki Hart dhe Zakir Husain. Ujë, zjarr, muzikë, drita! Këtë spektakël (që është falas) mund ta ofrojë vetëm Las Vegasi!

6. Shatrivani Gaia, Siena, Itali

Gaia do të thotë “gëzim”, një emër i përshtatshëm për shatrivanin e ndërtuar në vitin 1343, për të festuar ardhjen e ujit në Piazza del Campo, në Siena, një vit më parë. Shatrivani që shihni ju sot, për fat të keq, nuk është origjinali. Ai u zëvendësua në vitin 1419 dhe më pas, ky version u kopjua në mesin e viteve 1800. Skulpturat e versionit të vitit 1419, të gdhendura nga skulptori Jakopo Dela Kuerçia, ndodhen tani në spitalin Santa Maria della Scala. Ia vlen t’i vizitosh ato, si edhe thesare të tjera të historisë dhe arkeologjisë së Sienës që mbahen në këtë vend.

7. Samsoni dhe Luani, Shën Petersburg, Rusi

Pallati i Peterhofit, shpesh quhet edhe Versaja e Rusisë, sepse është frymëzuar nga pallati francez, që nga ndërtesat kryesore e deri te shatrivanët e tij. Pallati ndodhet afro 24 km larg Shën Petersburgut dhe ka qenë rezidenca e carëve rusë, qëkur u ndërtua nga Pjetri i Madh, më 1725. Kopshtet e Poshtme kanë disa shatrivanë të tillë, të bukur. Atje është Ujëvara e Madhe, një shkallë e madhe me pllaka në të cilën rrjedh uji, që ka në të dy krahët statuja të veshura me ar. Është edhe hauzi, që ka në qendër të tij grupin skulpturor të Samsonit dhe Luanit, në kujtim të fitores së Rusisë ndaj Suedisë, në Luftën e Madhe Veriore. Për çudi, në këto shatrivane nuk përdoren pompa. Ujëvarat dhe currilat janë krijuar duke ndryshuar presionin e ujit.

8. Shatrivani i Dubait

Wet Design, shoqëria kaliforniane që ka krijuar Shatrivanin e Dubait, e përshkruan këtë shatrivan si një “performancë fantastike e dritave, tingujve dhe skulpturave të lëngshme”. Shatrivani mbin nga uji i liqenit artificial Burj Khalifa, me sipërfaqe 130 mijë m2, ai është krijuar në vitin 2009 dhe tani në të dëgjohen çdo ditë këngë të ndryshme, që nga “I Will Always Love You” e Uitnei Hjustonit e deri te këngë në gjuhën suahili, të Afrikës  Perëndimore.

9. Bellagio, Las Vegas

Shfaqja me ujë dhe muzikë në Bellagio, ndërpritet çdo gjysëm ore gjatë ditës dhe çdo 15 minuta, pas orës 7 të darkës, kështu që është një nga pamjet më familjare të Las Vegasit dhe është falas. Ky shatrivan është dizenjuar nga e njëjta shoqëri që ka krijuar edhe Shatrivanin e Dubait dhe Mirage Volcano. Ai është i hijshëm, romantik e fantastik dhe është bërë një nga pikat e detyrueshme të vizitës së Bulevardit, qëkur u vendos në liqenin arficial prej 36 mijë m2, më 1998. Fansat e filmave do ta njohin këtë shatrivan pasi është përdorur për mbylljen e filmit “Ocean’s Eleven”. 

10. Jet d’eau (currili i ujit), Gjenevë, Zvicër

Shatrivani Jet d’eau i Gjenevës, e hedh ujin në një lartësi 139 m dhe është sot për sot shatrivani që e hedh ujin më lart në botë. Megjithatë, në fillim, ai nuk u krijua për këtë qëllim. Në vitet 1800, inxhinierët hapën një valvul për të çliruar presionin e ujit të shkaktuar nga turbinat hidraulike, kurse sot, shatrivani i lartë përdoret thjesht për qëllime estetike, por është një pamje mbrësëlënëse gjithsesi dhe është bërë një ikonë e këtij qyteti zviceran.

11. Shatrivani i Luanëve, Alhambra, Spanjë

12 luanë prej mermeri mbajnë bazenin në këtë kompleks maor të Alhambrës, në Spanjë. Shatrivani ndodhet në qendër të dy rruginave që kryqëzohen në Oborrin e Luanëve dhe është i rrethuar nga një galeri me harqe të gdhendura e dyzina kollonash prej mermeri të bardhë. Shatrivani është një triumf i sistemit të sofistikuar të ujit (për epokën), krijuar në këtë kompleks që u ndërtua nga viti 1363 dhe 1391, në një kodër përmbi qytetin e Granadës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *