Ai është një ndër emrat më të lakuar në gazetarinë kosovare, por jo më pak edhe në atë shqiptare.  Shumë VIP-a e kanë pirë “Një kafe me Labin”, në emisionin e tij, ku edhe kanë rrëfyer shumë gjëra interesante për veten dhe jetën e tyre, ndërsa tashmë është momenti që vetë Labi të tregojë aftësitë e tij në një tjetër gjini, në kërcim… në “Dance vvith Me”.  Edhe pse mund të duket e vështirë ta bësh lidhjen mes një gazetari dhe kërcimit, mos u çuditni aspak, sepse Labi dhe kërcimi kanë një lidhje të vjetër më njëri-tjetrin. 18 vite më parë, Labi ka qenë kërcimtar e tashmë, spektakli “Dance vvith Me” po e zgjon këtë pasion tek ai.  Me partneren e tij, Arilenën, arrijnë të kuptohen shumë mirë. Një gazetar me një këngëtare arrijnë ta gjejnë gjithmonë gjuhën e përbashkët jo vetëm në të folur, por edhe në atë të trupit. Por në këtë intervistë nuk kemi qëndruar vetëm brenda rrezes së “Dance vvith Me”, kemi biseduar me Labin edhe për gjëra të tjera shumë interesante të jetës së tij…

 

Mia Buci:Labi, përshëndetje! Mos më thuaj që edhe tani që po flasim bashkë, je duke përshkuar Rrugën e Kombit! Kam parë të publikosh shpesh foto teksa je aty…

Labi: – (Qesh) E vërtetë, Rrugën e Kombit, që aq shumë e pritëm, e kaloj deri në katër herë gjatë javës, me vajtje-ardhje. Për fat, jam nga ata tipat që pëlqej udhëtimet e bile, edhe kur vozis vetëm, i shijoj.

– Të ka ndodhur ndonjë situatë interesante në këtë rrugë që ia vlen ta përmendim?

– Më interesantja është që unë gjithmonë jam duke “fluturuar” në ato rrugë, gjithmonë është dikush apo ndonjë punë që më pret ne Tiranë ose në Prishtinë dhe unë që nuk ia përtoj të bllokohem diku e të vonohem. Megjithatë, për fat, kam mirëkuptimin e kolegëve dhe miqve. Ndërkohë, të kalosh nga Rruga e Kombit aq shpesh e të mos shohësh aksidente tragjike, është e pamohueshme, por për to më mirë të mos flas.

– Një javë më parë pyeta Arilenën se sa kuptohet një këngëtare me një gazetar… Po ti, ç’do të më thuash?

–  Të dyja profesionet paguhen për fjalë, zë dhe mimikat e trupit. E si të mos kuptohen më së miri?! (Buzëqesh)

–  Çfarë e frymëzon dhe e ushqen pasionin tënd për gazetarinë?

– Dinamika e punës. Jam tip që nuk më zë vendi vend, si dhe më pëlqen të marr përgjegjësi, të cilave u kushtohem për finale të suksesshme. Është edhe komunikimi me njerëzit e ndryshëm dhe unë që nuk di të mërzitem nga ata. (Buzëqesh)  Mbi të gjitha, është dashuria dhe respekti që të tjerët të japin pasi të kanë parë në një transmetim plot emocione. A ka më mirë se t’i bësh të tjerët të të duan për punën që bën?  E pra, kjo e bën të veçantë profesionin tonë. (Buzëqesh)

– Dhe vijmë te “Dance vvith Me”… Si ka ardhur ky spektakël te ti?

– Siç edhe e thashë, i dua përgjegjësitë dhe mbi të gjitha, më pëlqen të futem në sfida. Por,  duhet ta them që vallëzimi nuk ka qenë diçka e panjohur për mua, pasi kam qenë valltar këtu e mbi 18 vjet më parë, edhe pse jam angazhuar me punën e gazetarit. Tash po i ndez motorët dhe, përkundër kohës së kufizuar që kam, unë po përkushtohem me gjithë forcat për të dalë mirë në paraqitjet e të hënave.

–  Pas 6 javëve spektakël, a mund të themi se “Dance vvith Me” e rizgjoi këtë pasion tëndin?

– Duke qenë se unë kam qenë valltar i një grupi kërcimi në qytetin e Pejës dhe kemi pas mjaft performanca në qytet e kudo në Kosovë, e mira është që këtu po ushtrohem me profesionistë të vërtetë dhe çdo ditë mësoj diçka nga ata.

– Këshilla që të ka dhënë e fejuara në lidhje me këtë spektakël?

– Kij kujdes me valltaret! (Qesh)  Të të  them të vërtetën,  ajo i merr edhe më afër zemrës gjërat me të cilat merrem unë dhe shpesh, pa thënë asgjë, e kuptoj nga fytyra e saj se çfarë mendon për atë që kaloj.

–  …dhe a është kjo e fundit një arsye që jua kufizon shumë kohën për të ndenjur bashkë?

Edhe asaj po i bie të udhëtojë… Më shpesh tash po shihemi në Tiranë sesa në Prishtinë. E vërtetë, jam i angazhuar aq sa shpesh mendoj që s’po gjej kohë të mjaftueshme për veten, por e mira është që kam dhe po marr përkrahjen e Qëndresës dhe njerëzve që më rrethojnë. Kjo po ma kursen edhe kohën për ta menduar më shumë këtë pjesë.

– E keni problem këtë apo jeni me atë shprehjen “Më mirë rrallë e për mall”?

Jo, jo, më mirë gjithmonë përballë! (Qesh)

–  Më mirë të kesh apo të mos kesh të njëjtin profesion me vajzën që ke në krah?

–  Qëndresa po përfundon studimet për artiste grimi dhe jemi shumë mirë me njëri-tjetrin. (Buzëqesh)

– “Dance vvith Me” e sheh më tepër si një sfidë apo thjesht si një eksperiencë të bukur?

Sfidë dhe eksperiencë plot emocione. Mbi të gjitha, më ka bërë ta dua Tiranën si asnjëherë tjetër. Ndoshta sepse më shpesh se në Tiranë kam qenë në Evropë dhe ardhja në “Dance vvith me” më ka afruar shumë me Tiranën. Këtu po ndihem si në Prishtinë. E dua këtë qytet me këta njerëz kaq pozitivë dhe të komunikueshëm.

– Këtë periudhë që  je mes Tiranës dhe Prishtinës, çfarë po i shijon më shumë njërës dhe çfarë tjetrës?

– Përveç të mirave që më sjell puna në të dyja qytetet, të dyja qytetet po më bëjnë të ndihem si në një vend. Ah, se harrova, s’e di pse ma kishin thënë që ekspresët dhe makiatot nuk i bëjnë të mira në Tiranë! E kundërta… Edhe kafet po ma bëjnë edhe më të lehtë afërsinë e Prishtinës me Tiranën. (Buzëqesh)

– Në një shkallë nga 1 në 10, sa emocionuese është jeta jote tani?

8, meqë edhe 8-shet nuk po më hiqen nga juria te Klani. (Qesh)

– Nëse nuk do të ishe përfshirë në televizion, ku do ta gjeje veten tani?

– Me siguri, në biznesin e kafeterive. Kam punuar edhe si kamerier e menaxher i disa lokaleve në Prishtinë.

–  Në cilat raste vlejnë fjalët “kurrë” dhe “gjithmonë”?

– Për televizionin, pa dyshim. Televizioni më përmbush dhe plotëson emocionalisht e shpirtërisht. Efekti që ka tek unë puna në televizion është i pakrahasueshëm.

– Nga eksperienca jote, a mendon se suksesi dhe fama, kryesisht, i prishin artistët duke ua bërë më të lehtë të bien pre e abuzimeve të ndryshme, me alkool etj.?

– Ka edhe të tillë, madje së fundmi shoh më shumë, por mendoj se gjithçka varet nga tipat e njerëzve, jo edhe aq nga profesioni. Nëse e bëjnë vetëm pse janë artistë, ta keni të sigurt që do ta bënin edhe nëse do të ishin në politikë.

–  …dhe përsëri, nisur nga eksperienca, çfarë ke akoma të freskët dhe çfarë të është kthyer në monotone në punën tënde?

– Çdo gjë të freskët e kam. Asnjëherë nuk e lejoj të bëhet monotone.

– Të gjithëve na kap nostalgjia e fëmijërisë. Ty, të ndodh shpesh?

– Jo shpesh. Jam tip që nuk kthehem shumë nga e kaluara. Ndoshta edhe pse nuk kam shumë kohë për t’i kujtuar kohërat e kaluara, ngase aq shumë më jep e marr nga e tashmja. Por në retrospektivë, gjithmonë më kthejnë fotot, sidomos ky version i fundit i Facebook-ut, kur më kthen në foto të para 5 e më shumë viteve.

– Çfarë kujton me mall?

–  Gjithmonë dhe shpeshherë babain tim. Mbetet engjëlli im. Edhe pse nuk është në këtë botë, e ndjej afërsinë e shpirtit të tij.

– Rikthehemi pak te “Dance vvith Me”… Çfarë dëgjon të thonë shpesh, qoftë edhe kur je rrugës duke ecur?

– Policët, ka disa herë që më ndalin për shkak të shpejtësisë dhe ma kanë thënë disa herë: “O Labo, kujdes me shpejtësinë se do mbetemi pa ty në “Dance vvith Me””.

– Kanë kaluar 6 javë… Cila ka qenë java që të ka dhuruar më shumë emocione?

– Çdo javë ka qenë e veçantë në formën e saj, por do të veçoja pak më shumë performancën pas lojës së kombëtarës sonë me Serbinë. Vallëzim dhe një natë plot emocione ka qenë ajo e hënë dhe kupa që e kishim për ëmbëlsirë.

Pas çdo jave që kalon, çfarë të motivon të japësh maksimumin nga vetja?

– Të dal më i miri, pra! (Qesh)  Jo, e thashë me humor… Është thjesht dëshira për të qenë çdo herë më i mirë.

–  Në fund…

– Se mos ma publikon në faqen e fundit këtë intervistë! (Qesh)  TUNG e punë të mbarë.

 

 

 

Një kafe me Labin…

 

– Një person me të cilin e ke kënaqësi të pish kafe?

– Do ta kisha me shumë qejf ta pija një kafe me Edi Ramën. Kafe llafe me të do të ishte kënaqësi edhe për shikuesit.

– Zakonisht, si e pi kafen?

Si pa frymë (qesh) dhe gjithmonë me telefonët e mi nëpër duar.

– Personi që të shoqëron gjithnjë në kafen e mëngjesit?

– Ose e dashura, ose e pi vetëm.

– Bisedat që konsumon zakonisht në një kafe, përveç atyre të punës?

– Hedh një sy në rrjetet sociale.

– Kryesisht, të ftuarit e tu janë personazhe të njohur të shoubizit, por cila do të ishte një figurë historike të cilën do të doje ta kishe të ftuar në “1 kafe me Labin”?

Skënderbeun. Do të kisha shumë pyetje për të e mbi të gjitha, do t’ia ofroja një kafe të mirë Kosove. (Buzëqesh)

– Kush nuk e ka pirë ende “një kafe me Labin”?

– Në emision, vetëm mami ka mbet pa më ardh. (Qesh)

– Personi që të telefonon më shpesh për kafe?

– Ka shumë persona. Që nga mëngjesi filloj me ta duke pirë kafen e mëngjesit.

– Kujt nuk i thua asnjëherë “jo”?

– Punës nuk i them jo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *