Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Gruaja e dytë u dashurua me djalin tim

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një burrë rreth të gjashtëdhjetave.

Në jetë kam bërë gabime, por një ndër ata po më bën të vuaj shumë.

Ai ka qenë martesa me një grua shumë më të re se unë. Në fillim të jetës sime isha shumë në rregull. U martova me një grua të mrekullueshme. Kjo martesë u kurorëzua me lindjen e një djali dhe të një vajze. Ishim një çift i lumtur dhe shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin. Që në fillimet tona na eci edhe gjendja ekonomike. Në fillim ishim në punë të mira se ashtu ishte sistemi e kur erdhi demokracia, ne punuam privatisht e na eci shumë. E zgjeruam aktivitetin, nga një lokal i thjeshtë e bëmë një lokal dasmash nga më të preferuarit. Mirëpo, ja që edhe neve na trokiti e keqja në derë. Gruaja ime pësoi një infarkt papritur. Ishte një gjë që mua gati sa nuk më çoi në çmendinë. Fëmijët nuk ishin shumë të vegjël. Djali ishte 20 e vajza 18, ndërsa unë isha 53 vjeç, në një moshë ku ke nevojë për dashurinë e të gjithëve, se sapo ke kaluar në mesomoshë dhe ndien që po plakesh. Mbi të gjitha, njeriu e sidomos burri në këtë moshë, pas të 50-tave ka nevojën e një gruaje. Unë, siç ju thashë, i kisha fëmijët e rritur. Djalin e kisha në vit të dytë në universitet dhe vajza sapo mbaroi gjimnazin. Ishte një nxënëse e mirë në mësime, por vdekja e gruas e preku shumë dhe ajo vitin e parë nuk shkoi në shkollë të lartë.

Advertisement

– Nuk jam në gjendje të mësoj baba. E di se po të shkoj do të ngel e pastaj do të mërzitem më shumë, – më tha.

E lashë të bënte si të donte, mjafton që ajo të ishte mirë, por më erdhi keq se ia kisha frikën se po ta linte vitin e parë, ndoshta nuk do të kishte dëshirë ta vazhdonte më tej. Ajo kishte shumë dëshirë të merrej me organizimin e dasmave, kështu që i dhashë lekët e nevojshme dhe filloi të merrej me organizime dasmash. E kishte patur ëndërr gruaja ta shihte nuse, se gjithmonë kur bënim dasma në lokal thoshte:

– Ah, kur të shoh vajzën time nuse, të veshur me vello të bardhë, sa e lumtur do të jem!

E nga ta dinte ajo se nuk do ta arrinte këtë ditë?! Biznesi vajzës po i ecte shumë mirë. Ajo bënte dasma të njerëzve të njohur me të cilat fitonte mjaft, por dhe të gjithë ndaheshin të kënaqur, sepse ajo ishte e lindur për atë punë.

Djali mbaroi shkollën për ekonomik dhe punonte si menaxher i biznesit tonë. Pra, gjithçka edhe pas vdekjes së gruas po ecte shumë mirë, vetëm unë ndihesha i vetmuar dhe kisha shumë nevojë të kisha një shoqe. Kishte tre vjet që më kishte vdekur gruaja dhe ende nuk më ishte mbushur mendja të martohesha përsëri. Isha 56 vjeç, por nuk dukesha për moshën që kisha. Një kushëri më prezantoi një grua rreth të 50-tave dhe unë dola me të të pija një kafe. Ajo kishte qenë e martuar dhe ishte ndarë sepse nuk bënte fëmijë. Ishte e mbajtur, por nuk e di pse nuk më ngjiti dhe nuk dija çfarë difekti t’i nxirrja kushëririt, kur më pyeti a më kishte pëlqyer. I thashë se më pëlqeu, por ishte e madhe në moshë. Ai qeshi dhe më tha se ishte vetëm 6 vjet më e vogël se unë.

– Ë, çfarë je ti! Do zoçka të reja. Hajt se flasim edhe për këtë punë, – më tha dhe pa pritur përgjigjen time, e bëri fakt të kryer. Pas një jave më tha se më kishte rregulluar njërën, ashtu siç e doja unë. Unë përsëri dola të pija kafe me të zgjedhurën e radhës. Kur u takova me të, mbeta i shtangur. Ajo ishte një vajzë e re gati te të 28-tat dhe mendova se kushëriri po tallej me mua, por pastaj e kapa në dorë situatën, u qetësova dhe u ula të pija kafe.

Pasi u prezantuam, ajo u fut në muhabet lirshëm me mua, sikur kishte një jetë që më njihte. Më tregoi se kishte qenë e fejuar dhe e kishte ndarë të fejuarin sepse e kishte tradhtuar me shoqen e saj.

– Unë jam shumë xheloze! Do të ta marr shpirtin po më tradhtove – e bëri ajo fakt të kryer se do të martoheshim.

– Po ne një kafe po pimë, s’është se…

– Ç’kafe mo?! Ne tani u bëmë një! Unë, qëkur dole nga makina, thashë: “Ky është burri im!” – ma preu fjalën në dysh.

Ishte e shkathët dhe veçanërisht shumë e bukur. Atë ditë na shkoi kafeja nja dy orë. Mua m’u duk pak e hedhur, megjithatë u magjepsa pas saj. Kisha parë edhe herë të tjera kësisoj femrash, por kjo m’u duk si ilaçi që më duhej mua.

– Ta mori mendjen ë? – më tha kushëriri.

– Ishte e mirë, por…

– Por… thua për këtë rast? Kësaj nuk ke çfarë i thua!

– Jo, jo. Është e mirë desha të them, por është e re për mua.

– Hë dhe ti! Një e re, një e vjetër. Vendos tani.

Dhe ashtu bëra. Vendosa. Mora edhe miratimin e fëmijëve të cilët nuk hezituan aspak, kështu që me një mbrëmje të bukur festive të përgatitur nga vajza, unë e mora në shtëpi dhe jeta ime ndryshoi 180 gradë. Tani më dukej sikur kisha rilindur. Ajo ishte energjike dhe plot jetë. Muajin e mjaltit e bëmë jashtë shtetit e me të vërtetë ishte mjaltë i tëri. “Ku paskam qenë?”, mendoja shpesh.

Edhe me fëmijët ajo shkonte mirë. Ishte gati moshatare me ta e nganjëherë më dukej sikur kisha bërë mëkat duke marrë një grua aq të re, por kur ajo më fuste në botën e saj, i harroja të gjitha këto gjëra. Pas nja një viti ajo më tha:

– Po mërzitem në shtëpi. Ti m’i ke plotësuar të gjitha, por unë nuk kam me se ta kaloj ditën. Pse nuk vij edhe unë te biznesi dhe të filloj të mësoj?

– Po deshe hajde zemër, por kam frikë se mos lodhesh.

– Po kur të lodhem, pushoj.

– Mirë.

E kështu ajo vinte te puna dhe i vumë një tavolinë te zyra e djalit që ta mësonte mbi menaxhimin. Tani ajo u kompletua dhe unë atë kisha si qëllim, që ajo të mos mërzitej e të kishte të plotësuar çdo nevojë. Ajo më jepte fuqi që të përballoja çdo vështirësi. Pra, po shkonte gjithçka mirë.

– Hë si dukesh, po mëson ndonjë gjë? – e pyeta një natë.

– Zemër, me atë mësues që më ke vënë ti, unë mësoj si të ndërtoj një raketë.

– I ka ngjarë babit apo jo? – i thashë.

– Po, zemër, ai është kopja jote. Je me fat që ke një djalë të tillë.

Kaloi një kohë e gjatë dhe ajo ia mori dorën mirë punës. Punonte me djalin tim dhe dukej se shkonin mirë. Një rast i rrallë që njerka të shkojë mirë me fëmijët, por ja që gjithmonë ka ndonjë kleçkë. Djali kishte arritur të lidhej me disa biznesmenë turq që e kishin ftuar në Turqi për të vizituar biznesin e tyre.

– Duhet të shkoj dhe unë, – tha nusja.

– Ja, shkojmë të tre! – i thashë unë.

– Por… ata kanë sjellë vetëm dy ftesa. Mirë, shko ti zemër me djalin tënd.

– Ç’thua baba? Duhet të jemi ne të dy, për ty nuk kanë sjellë ftesë.

– Mirë, – thashë si gjithmonë. Në fakt më erdhi pak keq.

– Herë tjetër shkojmë bashkë, zemër. – më qetësoi si gjithmonë ajo.

Ata ndenjën një javë. Pastaj erdhën turqit në biznesin tonë. Kudo i shoqëronin nusja me djalin, unë isha në plan të dytë. Edhe pse u mërzita pak, e dija se rinia është një hap më para se unë gjithmonë. Mirëpo në disa raste turqit kur flisnin me ta, u drejtoheshin sikur të ishin një çift bashkë dhe jo me mua. “Ah, pleqëri, mendova, po filloj të dyshoj te djali e te nusja! Eh, sa keq qenka të plakesh, fillon e mendon idiotësira”.

Ia hoqa vetes këtë mendim dhe e mora si punë të përbashkët të të dyve që biznesi ynë të ecte para. E në fakt, ashtu ishte; biznesi po ecte përpara me në krye ata të dy.

Megjithatë, këto dyshime nuk po më largoheshin, por po më shtoheshin. Ata të dy e kalonin gjithë ditën bashkë e kishte raste që rrinin edhe natën vonë. Unë nuk është se nuk merresha me biznesin, por isha mësuar ta bëja gjithçka vetëm. Një natë ajo u vonua shumë. Kur u largova unë për të takuar një biznesmen tjetër me të cilin kisha takim për një marrëveshje i lashë në zyrë të dy duke punuar dhe kur mbarova, mendova se do ta gjeja në shtëpi.

– Ku je moj zemër? – e mora në telefon.

– Ja, po pi një kafe me djalin tënd.

– Në fakt, është bërë si djali yt, se gjithë ditën me të rri.

– Zemër, nuk je mirë? – tha ajo. – pse më dukesh i shqetësuar?

– Unë mirë jam, por më mirë flasim kur të vish në shtëpi.

Ajo nuk vonoi dhe erdhi menjëherë.

– Zemër, çfarë ke?

– Çfarë kam unë? Atë që nuk e ke ti! Tani i ke vënë syrin djalit tim ë? U ngope me mua e tani do të marrësh atë?

– Zemër ke pirë? Ç’janë këto fjalë? Ç’është kjo akuzë?

– Atë do të ma thuash ti. Gjithë ditën i je qepur djalit tim e tani po i qepesh edhe natën.

– Këto që po thua janë një idiotësi. Po ta dinte ai se ti mendon kështu…

– Ja, ta thërrasim edhe atë tani. – mora telefonin dhe i thashë djalit të vinte. Ai erdhi menjëherë sepse mendoi se çfarë më kishte ndodhur.

– Babai yt mendon se ne jemi të dashuruar. Ja, pse të ka thirrur!

– Ç’janë këto fjalë baba? Ke pirë gjë?

Ai dukej shumë serioz dhe mua m’u duk se po i fajësoja pa faj, kështu që e zbuta bisedën. Por vetëm për djalin tim e bëra këtë se në vazhdim ende më rrinte në mendje çdo moment ky mendim, andaj i kërkova nuses të shkonte tek e motra për disa ditë. Doja ta largoja e të shihja a mund të rrinin larg njëri-tjetrit. Ajo në fillim nuk deshi, por unë gati e detyrova. Kaloi një javë e nuk i telefonova. As ajo mua. Kur shkova në zyrë, pashë disa dokumente që ajo i kishte firmosur para dy ditësh.

– Si i firmosi ajo këto dokumente? – e pyeta djalin.

– E thirra unë, se ishin urgjente.

– Po mua, pse nuk më the?

– Që të mos dyshoje, ja pse!

Në fakt, mua dyshimi m’u shtua edhe më.

– Mos e thërrit më pa e ditur unë.

Unë përsëri nuk e mora një kohë të gjatë në telefon. Ajo e kuptoi atë që doja të bëja dhe më mori vetë një ditë. U takuam dhe biseduam, por edhe unë nuk i tërhoqa akuzat e mia. Edhe ajo vetë kuptoi se nuk mund të rrinte me mua përderisa unë dyshoja, kështu që e ndava. Ishte apo nuk ishte e vërtetë atë nuk e mora vesh, por unë besoj shumë te vetja, prandaj e di se 80 për qind ajo donte të lidhej me djalin tim…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Young Zerka: Ronelën e kam gocë teze...!

Next Post

Nga Miss u bëra prostitutë..!

Advertisement