Skip to content Skip to footer

Vrava engjëllin tim!

Unë jam një vajzë fatkeqe nga Durrësi.

E quaj veten time kështu sepse çdo gjë që ka ndodhur deri tani në jetën time ka qenë e mallkuar.

Të gjithë më thonë që jam njeri i mirë dhe faktikisht ashtu jam.

I dua të afërmit e mi, bëj sakrifica për ta dhe nuk ia uroj asnjeriu një fat të zi si ky i imi.

Kur isha ende e vogël, babai, që vuante nga një sëmundje e pashërueshme ndërroi jetë. Ishte një tronditje e madhe për mua dhe dy motrat e mia. Përveçse na u desh të përballonim një dhimbje kaq të rëndë, problemi tjetër për ne ishte mbijetesa. Me asistencën që na jepte shteti nuk ia dilnim dot mbanë. Mbetëm katër femra në shtëpi dhe fare të vetme, pa praninë e një figure mashkullore që ta kishim si “prijës”. Me rrogën e mamasë nuk mund të jetonim, ndaj edhe motrave të mia më të mëdha se unë në moshë, iu desh të hynin në punë shumë shpejt për të siguruar jetesën. Ato kanë bërë lloj-lloj punësh, por e rëndësishme për ne është që kemi punuar gjithnjë ndershmërisht dhe për këtë na respekton gjithë fisi. Jemi fis i madh dhe të gjithë kur kanë mundësi na ndihmojnë. Për mamanë ka qenë shumë e vështirë të rrisë tre fëmijë krejt e vetme, aq më tepër ne që ishim vajza që duhet të tregonte një kujdes maksimal se tani çfarë nuk po ndodh!…

Unë jam në gjimnaz dhe në pushimet e verës kur të gjitha shoqet e mia shkojnë në plazh, punoj për të përmbushur sadopak nevojat e mia financiare. Gjatë verës së fundit, tek punoja në një fast-food u njoha me një djalë që punonte si kamarier te lokali ngjitur. E kuptova që edhe ai më pëlqente, pra, ishte një ndjenjë e ndërsjellë. Ai vinte shpesh të më takonte. Më sillte ndonjëherë kafenë, vinte porosiste sanduiçë ose kur mbaronte turnin, ngulej aty dhe hante ndonjë gjë të bërë nga “duart e specialistes”, siç më thërriste ai me shaka. Të gjitha vajzat që punonin aty e kishin vënë re këtë gjë, ndaj edhe më thonin të pranoja të dilja me të për kafe.

Kështu, unë pranova që një ditë të harroja mërzinë që më kishte mbërthyer prej vitesh dhe dola me të. Ia kaluam shumë mirë. Në momentin që ai më rrëmbeu një puthje u ndjeva aq e lumtur sa më dukej sikur po fluturoja drejt një gëzimi që e kisha harruar. Lidhja jonë vazhdoi të ishte shumë e bukur. Problemet dhe hallet e mia më dukeshin më të thjeshta tani që i diskutoja me të. Alternonim turnet bashke dhe kur ishim turni i dytë që të dy, iknim paradite nga plazhi, ndërsa kur ishim të dy turni i parë, dilnim pasditeve dorë për dore nga bregu dhe shijonim perëndimin e diellit, teksa pinim një kafe në breg të detit.

Ç’mund t’ju them?! Për mua, lidhja që po përjetoja ishte si parajsa vetë.

E doja aq shumë Çimin sa i dhurova edhe virgjërinë time. Marrëdhëniet tona nuk ishin shumë të shpeshta për shkak të mundësive dhe kohës, por atëhere kur ndodhnin ishte mrekullia vetë.

Një ditë kur po punoja ndjeva që m’u përzie dhe shkova me vrap në tualet. Mendova se mos e isha nga vapa apo nga erërat e ndryshme, ndaj e anashkalova këtë si një gjë të parëndësishme. Pas disa ditësh fillova të bëhesha merak. I lutesha e i përgjërohesha Zotit të mos më jepte ndonjë sëmundje të rëndë. Pastaj, kur po më vonoheshin edhe menstruacionet më lindi një fije dyshimi se mund të kisha ngelur shtatzënë. Nga njëra anë e dija se Çimi gjithnjë përdorte masa mbrojtëse, por kisha dëgjuar që edhe ato nuk ishin 100 % të sigurta.

Bleva një test shtatzanie dhe doli vërtet që isha shtatzënë. M’u duk sikur më ra qielli mbi kokë. Nuk dija ç’të bëja, kujt t’i tregoja, ç’vendim të merrja. Ishte shumë herët që unë të martohesha dhe t’i jepja këtij fëmije një familje. Nuk kisha as kushtet ekonomike. As Çimi nuk ishte gati. E takova një ditë dhe i thashë se doja t’i tregoja diçka të rëndësisshme… Ai u vrenjt menjëherë se kujtoi mos do t’i kërkoja të ndaheshim. Kur i thashë për fëmijën, u trondit dhe më pyeti menjëherë se ç’do të bëja. I thashë se nuk isha gati për të rritur një fëmijë dhe ai, sigurisht, më pohoi të njëjtën gjë. Më këshilloi të bisedoja me motrën e madhe (meqë me atë hapesha më shpesh).

“Gjithsesi”, më tha, “unë do të jem me ty në çdo moment, por nuk të premtoj që do të martohemi, sepse jam ende i vogël!”

Ai kishte të drejtë. Ishte 19 vjeç, ndërsa unë vetëm 17.

Bisedova me motrën dhe ajo më tha që nuk mund ta mbaja fëmijën. Përveç pamundësisë financiare, do të më shante i gjithë fisi për këtë gjë të “pamoralshme”. Edhe ajo kishte plotësisht të drejtë. Nuk mund ta mbaja këtë fëmijë. Caktova një takim në një klinikë private (pasi Çimi më tha se do ta paguante ai abortin në klinikën më të mirë) dhe shkova për të kryer mbase “mëkatin më të madh të jetës sime”.

Këtë fëmijë e doja shumë pa lindur ende… Tani i kërkoj falje Zotit dhe i them që një mëkat të tillë nuk do mund ta bëj më, në çdo kohë apo moshë. Ajo ishte një dhuratë nga ai, të cilën unë e hodha tutje…

Shpresoj që kur të krijoj një familje në të ardhmen, të mund të bëj ndonjë fëmijë që të jetë djalë, meqë familjes tonë i ka munguar shumë një i tillë!

Leave a comment

0.0/5