Keni rënë në dashuri me një burrë 20 vjet më të madh në moshë (ose anasjelltas).
Është diçka e keqe?
Jo, thjesht nganjëherë e ndërlikuar, sepse, megjithëse në parim më i riu kërkon në fillim babanë ose mamanë e vet në këtë lidhje (nuk ka gjë të keqe, nëse e pranon diçka të tillë), dashuria nuk njeh moshë dhe nuk llogaritet me numër vitesh!
1. Është e dukshme…
Kini parasysh që ndodh shumë më shpesh që një burrë të joshet nga një grua më e re, sesa nga një më e madhe në moshë dhe kjo pranohet e kuptohet më lehtë nga shoqëria.
2. Në jetën e përditshme
Secili sjell diçka në lidhje, njëri eksperiencën, tjetri freskinë dhe kjo, për të mirë e për të keq! E mirë është se mund t’i zbulosh tjetrit shumë gjëra (kulturë, gjëra të përjetuara, kënaqësinë seksuale…), të harruara ose të panjohura. Në këtë rast 10, 15, 20 vjetët e diferencës janë një plus për tjetrin. Përsa i përket së keqes…
3. Ana e keqe
Të përjetosh këtë diferencë me një anë atërore (ose mëmësore) është pak e vështirë. “Kam përjetuar një histori me një burrë shumë më të madh se unë, deklaron Ana, dhe sa më shumë shkonte koha, aq më shumë kisha përshtypjen se po shkoja me tim atë… Ndihmë!”. E vështirë të përjetohet edhe ana moralizuese: “Unë jam më i madh se ti”, pra, “di më shumë”, ose fraza klasike e stilit “në kohën time…”, që e thekson më kot këtë diferencë.
4. Po juve, ju duket zbabitëse?
Shpesh, është humori (i vullnetshëm, apo jo), që ju bën të gëlltisni pilulën e hidhur. “Më kujtohet, thotë Diana, që i dashuri im, 21 vjet më i madh se unë, më fliste kohët e fundit për një koncert të mrekullueshëm të vitit 1982… Problemi është se në atë kohë, unë isha 4 muajshe!”. Vetëm bashkëpunimi mund të bëjë të bien barrierat e kohës dhe të funksionojë me sukses kjo lloj lidhjeje.
5. Po fëmijët?
Problemi më i madh është se personi më i madh në moshë, ka fëmijë nga lidhja e parë, me të cilët përballet personi më i ri, jo pa vështirësi, sidomos nëse ata nuk e pranojnë. Çelësi i suksesit është të krijosh me ta një lidhje, por jo shumë të ngushtë, në mënyrë që të mos dëgjosh fraza të tipit “ti nuk je nëna ime”. Nëse gjithsecili bën një përpjekje, ekuilibri gjendet.
6. Fëmijët që do të vijnë…
Problem tjetër është fëmija i ri që do të vijë. Nëse për gruan, mosha është një frenim, për burrin (kur ai është dakord!) është ankthi i përllogaritjeve: “Çfarë moshe do të ketë ai, kur unë të jem…”. Nga ana tjetër, ai është shpesh më i disponueshëm e më i ndërgjegjshëm që jeta duhet jetuar plotësisht!
7. Harmonia
Mjafton të pranosh dhe bile, të ndjehesh mirë me miqtë e tjetrit, të pranosh lehtësisht mbrëmjet që bën secili me miqtë e tij, sepse po ia bëre tjetrit të ndjejë ndryshimin e moshës, do të dështoni me siguri. Duhet të kesh besim te tjetri dhe të mos ndjesh frikë se lidhja nuk do të zgjasë, se personi më i ri do të largohet dhe do të kërkojë të gjejë një bashkëmoshatar/e. Gjithashtu, kini parasysh se një person nuk mund ta mbash me forcë dhe, me gjithë diferencën tuaj, disa persona duan të krijojnë familje edhe me njerëz më të mëdhenj në moshë… Atëhere, pse të mos e shihni të ardhmen ngjyrë rozë?