Sëmundjet kardiovaskulare janë të vjetra sa bota
Sëmundjet kardiovaskulare ekzistojnë që prej 4000 vjetësh, pra, nuk janë një e keqe e lidhur me mënyrën e jetës moderne.
Ky është përfundimi në të cilin ka arritur një studim i bërë me mbi 100 mumje egjiptiane dhe amerikane, të cilat paraqesin shenja të arteriosklerozës, sëmundjes që bllokon arteriet e zemrës.
Studiuesit kaluan në skaner 137 mumje, nga të cilat, 76 vinin nga Egjipti, 51 nga Peruja dhe 10, nga SHBA-ja jugperëndimore. Një e treta e këtyre mumjeve prezantojnë disa shenja «të sigurta ose të mundshme» të arteriosklerozës. «Është e çuditshme të vihet re se arterioskleroza haset po aq shpesh në këto qytetërime të lashta kudo në botë në një periudhë kohe kaq të shtrirë, mes njerëzve kaq të ndryshëm gjenetikisht e me mënyrë jetese dhe të ushqyeri kaq të ndryshme», thonë studiuesit. «Nuk bëhet fjalë vetëm për një sëmundje të lidhur me mënyrën e jetesës, por për një karakteristikë të plakjes në të gjitha popullsitë botërore», shtojnë ata. Mosha mesatare e vdekjes së mumjeve të ekzaminuara në studim ishte 36 vjeç, por ato që vuanin nga arterioskleroza ishin më të mëdha në moshë në momentin e vdekjes, me një moshë mesatare 43 vjeçare. Jetëgjatësia në kohën e lashtë ishte afro 40 vjeç, gjë që forcon hipotezën sipas së cilës “arterioskleroza shkaktohet nga plakja”. Kjo nuk pengon të veprohet te faktorët e kontrollueshëm, si: Ushqimi, sporti, duhani, kolesteroli dhe tensioni arterial.
7 ushqime që duhen evituar për të mbrojtur zemrën tuaj
Në Evropë, kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare janë patologjitë përgjegjëse për numrin më të madh të vdekjeve. Në Francë, për shembull, prej sëmundjeve të zemrës vdesin çdo vit 40 mijë gra, megjithëse mendohet, gabimisht, se këto patologji prekin më shumë burrat. Ky numër është edhe më i madh në vendet anglo-saksone. Megjithatë, me anë të një ushqimi më të shëndetshëm dhe fizkulturë, mund të evitohen shumë prej këtyre rreziqeve. Në revistën «Huffington Post» përmenden edhe njëherë ushqimet që duhen evituar për të ulur nivelin e kolesterolit të keq, presionin e gjakut ose shfaqjen e pllakëzave që veshin arteriet. Kështu, është mirë të mos konsumoni ushqime me bazë mishi të transformuar, si sallami dhe bejkoni, të cilat përmbajnë një sasi të lartë natriumi dhe konservantësh. Mishi i transformuar thuhet se është shkaktar i rritjes së numrit të diabetikëve dhe kancerit të pankerasit. Mishi i kuq shumë i pasur me yndyrna të ngopura e gjithashtu, është mirë të evitohet. Preferoni pra mishin e bardhë ose atë pa dhjamë. Edhe picat nuk këshillohen, për shkak të pranisë së acideve yndyrore të ngopura, ashtu si ëmbëlsirat, që favorizojnë “kolesterolin e keq”. Edhe ushqimet e skuqura duhen kufizuar për të njëjtën arsye. Megjithatë, disa vajra, si për shembull ai i ullirit, janë të mirë për zemrën. Edhe pijet freskuese nuk janë miq të mirë të shëndetit tuaj. Ato kanë një efekt shumë negativ në nivelin e insulinës e obezitetit dhe tani dimë që insulina «ka shumë lidhje me zhvillimin e arteriosklerozës», shkruhet në revistë. Në fund, mos harroni edhe fast-foodin, ushqimet e të cilit përmbledhin pak a shumë gjithë defektet e përmendura më sipër!
“Zemra e thyer” të mbron nga krizat kardiake?
Pranohet nga të gjithë se, pas një stresi të fuqishëm, shtohet rreziku i një krize të zemrës. Megjithatë, disa studiues kanë studiuar sindromën e quajtur «zemra e thyer» dhe kanë vënë re se, përkundrazi, një shok emocional mund të kishte një efekt mbrojtës…
Pas një shoku emocional, sidomos te personat e moshuar, rreziku i një infarkti është më i madh. Megjithatë, studiuesit britanikë të kolegjit mbretëror të Londrës kanë vënë re se mund të ndodhte e kundërta. Studimi i tyre është botuar në gazetën «Daily Mail». Sipas tyre, kjo shpjegohet me të ashtuquajturën «sindromë e zemrës së thyer». Kjo është konstatuar tek afro 1-2% e personave që janë diagnostikuar me ndalim të zemrës. Njerëzit që vuanin nga zemra kishin pësuar kohët e fundit trauma psikologjike: Një zënkë, një fatkeqësi. Një studim i realizuar te minjtë, tregon se kjo sindromë, e njohur edhe me emrin Tako-tsubo, e mbron zemrën nga një ndalim kardiak i vërtetë. Ndërkohë që personi paraqet të njëjtat simptoma të jashtme me infarktin, analizat kanë treguar se në fakt, nuk ka pasur një bllokim të arterieve të zemrës. Këto të fundit kanë pësuar spazma me origjinë nervore, të cilat e pengojnë zemrën të sigurojë funksionin e pompimit që bën zakonisht. Zemra «fryhet» dhe nuk arrin të kontraktohet si duhet.
Sindroma e “zemrës së thyer” kthen mbrapsht efektin e adrenalinës
Ky studim i bërë me minjtë ka treguar se, gjatë sindromës së zemrës së thyer, trupi ndryshon reagimin e tij ndaj çlirimit të adrenalinës së shkaktuar nga stresi. Në vend që të luajë rolin e stimulueses së zemrës, adrenalina do të reduktojë fuqinë pompuese të këtij organi. Ky ndryshim shkaktohet për të mbrojtur zemrën. «Adrenalina ka një efekt stimulues mbi zemrën dhe na ndihmon të marrim më shumë oksigjen në situatat stresuese, por prania e saj me tepri mund të dëmtojë zemrën, nëse vazhdon shumë gjatë. Te pacientët e sëmurë nga sëmundja e zemrës Tako-tsubo, adrenalina funksion në mënyrë të ndryshme dhe ngadalëson zemrën. Kështu, ajo duket se e mbron atë nga një mbieksitim», shpjegon profesori Harding, një nga përgjegjësit e studimit. Megjithëse sindroma e zemrës së thyer shkakton një insufiçencë kardiake akute, shumica e pacientëve e marrin veten krejtësisht brenda disa ditëve ose javëve. Studiuesi thotë se është thelbësore të diagnostikohet mirë kjo sindromë, me qëllim që të mos i jepet pacientit një kurë jo e përshtatshme që mund të rëndojë gjendjen e tij. Ky studim hap perspektiva të reja mbi mënyrën se si zemra mbrohet kundër stresit. Por «ne duhet të kemi parasysh se është një studim i bërë te minjtë dhe rezultatet duhet të konfirmohen te njerëzit, me qëllim që të jemi të sigurtë për të», përfundon doktori.
Si të mbrohemi nga infarkti?
Në vendet në zhvillim, niveli i vdekshmërisë së shkaktuar nga një infarkt është në ulje. Në Francë, vdekshmëria prej tij është ulur nga 13,7% në 4.4% brenda 15 vjetëve. Kjo shpjegohet me përmirësimin e përkujdesjeve dhe fushatave të informimit që sensibilizojnë viktimat e mundshme. Për kujtesë, një infarkt mund të shkaktojë simptomat e mëposhtme:
- Dhimbje ose bezdi në pjesën qëndrore të gjoksit.
- Dhimbje ose bezdi në nivelin e krahëve, shpatullës së majtë, bërrylave, nofullës, ose shpinës.
Si evitohet një infarkt?
Në përgjithësi, infarktet shkaktohen nga bllokimi i një arterieje që pengon gjakun të shkojë në zemër. Ata shkaktohen nga depozitimi i dhjamit në paretet e brendshme të enëve të gjakut që ushqejnë këto organe. Një infarkt është shpesh i lidhur me një mënyrë jo të shëndetshme të të ushqyerit ose me një mungesë të aktivitetit fizik, si edhe përdorimit të duhanit dhe alkoolit. OBSH-ja ka publikuar një studim të realizuar në shkallë botërore (Brazil, Egjipt, Indi, Indonezi, Iran, Pakistan, Rusi, Sri Lanka, Tunizi dhe Turqi) dhe në të cilin, në përgjithësi, të sëmurët ishin të ndërgjegjshëm për efektin pozitiv të lënies së duhanit për zemrën (82%), të një regjimi ushqimor të shëndetshëm (89%) dhe të një aktiviteti fizik të rregullt (77%).
Te gratë, më shumë vdekje shkakton infarkti sesa kanceri i gjirit
Federata Franceze e Kardiologjisë kujton se ende numërohen 400 vdekje në ditë dhe 20 milionë francezë që vuajnë gjithë jetën nga një sëmundje kardiovaskulare. Infarkti është shkaku i parë i vdekshmërisë te gratë dhe personat mbi 65 vjeç. Ai është edhe shkaku i dytë i vdekjeve, pas kancerit, te burrat. Gratë ndjehen shpesh të mbrojtura nga ai, për shkak të mbrojtjes së pareteve arteriale nga ana e estrogjeneve, por mbrojtja hormonale ka kufijtë e saj, për shkak të pirjes së duhanit, nivelit të lartë të kolesterolit, mbipeshës, obezitetit dhe jetës sedentare. Në fakt është në rritje numri i grave që pinë duhan, ndërkohë që «para moshës 50 vjeçare, mbi gjysma e infarkteve te gratë janë të lidhur me duhanin». Për më tepër, shtimi i koagulimit të gjakut nga pilulat kontraceptive i shton rreziqet. Kardiologët thonë se «ndërprerja totale e duhanit redukton me 33% rrezikun vaskular pas dy vjetësh».
Kështu, gratë që vuajnë nga hipertensioni, duhet të ndërpresin duhanin dhe të mos përdorin pilulën, nëse sëmundja e tyre nuk është nën kontroll dhe nëse kanë precedentë flebiti (formimi i copëzave të koaguluara në gjak) ose probleme me arteriet. Goditja në tru (ndalimi i gjakut në tru), ashtu si infakti, është një nga shkaktarët më të shpeshtë të vdekjeve. OBSH-ja kujton se «deri në vitin 2030, afro 23,6 milionë njerëz do të vdesin nga një sëmundje kardio-vaskulare, sidomos nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru».