– I nderuar instruktor, unë kam vetëm një pyetje: Si ta kuptojmë që kemi mungesë vitaminash?
Dua të di, çfarë shenjash jep trupi, në mungesë të vitaminave të caktuara? Faleminderit.
Diego Hoxha, fitness instruktor, Fitness&Box Sport Albania, Rr Bajram Curri, pranë maternitetit të ri, tel +35544534743:- Ndodh shpesh që ushqimi jo i përshtatshëm ose ekspozimi i tepruar ndaj lodhjeve të mëdha psiko-fizike, të çojë deri te mungesa e vitaminave dhe mineraleve të caktuara në organizëm. Për pasojë, kemi rënie të imunitetit dhe arrijmë gjer në sëmundje e anomali të ndryshme në trup. Unë do t’ju rendis më poshtë mungesën e secilës vitaminë dhe shenjat që jep organizmi ynë. Nëse kemi mungesë të vitaminës A, për pasojë, do të kemi tharje dhe irritim të lëkurës, humbje oreksi, lodhje, flokët duken pa shkëlqim, thonjtë thyhen shumë lehtë dhe shfaqen aknet, por më shumë shfaqet mungesa e saj te ndryshimet në sy. Mungesa e vitaminës B1 shkakton probleme neurologjike, konvulsione të muskujve, kujtesë jo të mirë, oreks të tepruar, nervozizëm dhe probleme metabolizmi. Vitamina B2 dhe mungesa e saj bën që plagët e shkaktuara të shërohen me vështirësi, shfaqen alergjitë, sytë janë të irrituar dhe shumë të ndjeshëm ndaj dritës. Mungesa e kësaj vitamine vihet re në fakt edhe te qoshet e buzëve, ku krijohen plagë. Tregues i mungesës së vitaminës B3 janë: Muskuj të dobët, lodhje, humbje oreksi, tretje problematike, lëkurë e acaruar dhe sëmundje të caktuara. Mungesa e B6, shfaqet me probleme në veshka, ngërçe te duart dhe këmbët, pagjumësi, anemi dhe nervozizëm. Mungesa e kësaj vitamine shfaqet më shumë te diabetikët, personat e moshuar, femrat shtatzëna dhe nënat që ushqejnë fëmijën me gji. B7 luan një rol të rëndësishëm në normalizimin e lëkurës, te flokët dhe thonjtë. Kur nuk gjendet me sasi të mjaftueshme në organizëm, lëkura fillon të ketë probleme, flokët kanë zbokth e për pasojë bien dhe thonjtë thyhen. Për më tepër, shfaqet humbja e oreksit. Vitamina B9 ose acidi folik, si edhe vitamina B12, kryesisht, u mungojnë femrave shtatzëna, atyre që pinë kontraceptivë dhe alkoolistëve. Mungesa e saj, përgjithësisht, shfaqet me humbje të peshës, dhimbje në shpinë, ndjesinë e shpimit të gjilpërës në duar dhe këmbë. Vitamina C dhe mungesa e saj, çon deri në shfaqjen e infeksioneve, vena të theksuara, mavijosje, gjakderdhje të shpeshta. Edhe në rastet kur kemi mungesë të jashtëzakonshme të kësaj vitamine, krijohet skorbuti, sepse bëhet fjalë për një vitaminë të rëndësishme për sistemin imunitar dhe luftën kundër baktereve. Duhet të hani më shumë fruta dhe perime të pasura me këtë vitaminë. Mungesa e vitaminës D do të sillte probleme tek eshtrat sepse këto të fundit varen nga kjo vitaminë. Kur vitamina D nuk është në sasi të mjaftueshme në organizëm, indi eshtëror vuan dhe te fëmijët shfaqet rakiti, ndërsa te të rriturit, osteoporoza. Së fundi, mungesa e vitaminës E shfaqet me dobësi të përgjithshme, pafuqi, djersitje të shpejtuar dhe të tepruar, por përgjithësisht, mungesa e kësaj vitamine, shfaqet te gjaku.