Përshëndetje!
Po jua dërgoj këtë letër pa qenë e sigurtë nëse do të mund ta shoh të botuar, pasi unë jetoj në Francë, bashkë me fëmijët e mi.
Kam një brengë në shpirt që nuk di se kur do të marrë fund. Jeta ime është shkatërruar plotësisht.
Falënderoj Zotin që më ka dhënë dy fëmijë si yje, për të cilët them se ia vlen të jetoj, pasi e di se nuk kisha për ta shtyrë këtë jetë me hallin që më ka zënë.
Aktualisht, unë jam 38 vjeçe. U martova kur isha vetëm 18 vjeçe. Ai ishte një djalë i bukur që ma mori mendjen me ata sytë e zinj, kur vinte të më shihte sa herë dilja nga fabrika ku isha punësuar qëkur isha shumë e re, pasi familja ime e varfër kishte nevojë për paratë e mia. Kam qenë gjithmonë një vajzë e përulur, pasi më ka përulur gjithmonë fati im i keq, që jam rritur pa nënë, e cila më vdiq kur unë isha shumë e vogël. Kështu, unë u njoha me Danen. Ai më dukej djalë i mirë. E shihja gjithmonë vetëm dhe më dukej shumë i trishtuar. Kjo më bëri ta doja edhe më shumë pasi mendoja se ndoshta edhe ai, si unë, kishte patur fatkeqësi në jetë. Një natë, kur sapo kisha dalë nga turni i dytë, u nisa vetëm për në shtëpi, pasi shoqja ime e punës kishte ikur më herët ngaqë i kishte fëmijët sëmurë. Atë natë, Dania përfitoi nga rasti për të më folur për herë të parë. Me thënë të drejtën, u tremba, pasi mendova se duke qenë natë, ai mund të përfitonte nga një femër të pambrojtur si unë, por në fakt, ai u tregua shumë i dashur. Më tha se donte të më shoqëronte deri në shtëpi, pasi, siç tha, ma dinte shtëpinë. Nuk i ktheva përgjigje, por ngadalësova hapat që ai të më arrinte edhe kështu, ai e mori përgjigjen pohuese nga ana ime. Gjatë të gjithë rrugës, unë nuk fola gati-gati asnjë fjalë. Fliste vetëm Dania. Ai më tregoi për gjithçka në familjen e tij. Më tha se ishte vëllai i vetëm i tre motrave dhe se kishte një nënë të mirë të cilën e donte shumë. Më erdhi mirë kur e dëgjova këtë dhe të them të drejtën, e pata pak zili. I thashë se mua më kishte vdekur nëna ime dhe ai më tha se e dinte.
– Hajde se kur të martohemi bashkë, do të kesh nënën time në vend të tëndes – më tha ai. – Vetëm ta shohësh si është, shpirt njeriu!
Këto fjalë më bënë të dridhesha, por njëkohësisht, më erdhi mirë kur i dëgjova. Megjithatë, nuk munda të mos i ndalja hapat. Kur e pa habinë time, ai nisi të qeshte me të madhe dhe më tha:
– Pse, ti nuk do që të martohesh me mua? Jam djalë i mirë…
Kështu, unë u njoha me Danen, i cili, për një vajzë të padalë si puna ime ishte si një mrekulli. Kështu njiheshim ne në atë kohë… Pas vetëm një muaji ai erdhi të më kërkonte në shtëpi dhe im atë, që mezi ç’priste të më hiqte qafe, pasi isha bërë shpesh mollë sherri mes tij e së shoqes, pranoi menjëherë, madje pa pyetur fare për të e familjen e tij. Gjithsesi, më duhet ta pranoj se pata fat me këtë martesë. Dania ishte me të vërtetë njeri i mirë. Ai më donte e më respektonte. Edhe nëna e tij ishte shpirt njeriu, siç më kishte thënë ai. E doja si nënën time që nuk kisha mundur ta njihja kurrë, ndërsa ajo kujdesej për mua si për fëmijët e saj. Pas vetëm një viti martesë mua më lindi një vajzë, të cilën Dania e donte shumë. Shumë shpejt mbeta sërish shtatzënë dhe kështu lindi fëmija ynë i dytë, që ishte djalë. Edhe një gëzim tjetër në jetën tonë… Megjithëse ishim të varfër e mezi e siguronim jetesën e bukën e përditshme, unë ndihesha mirë me familjen e re që kisha krijuar. Mendoja se më në fund do të isha e lumtur, por me sa duket, nuk është e thënë që fati t’u trokasë në derë jetimëve.
Pikërisht në vitin ’97, në shtëpinë tonë pllakosi fatkeqësia. Im shoq në atë kohë merrej me një biznes të vogël privat dhe ne kishim filluar ta merrnim veten ekonomikisht, por ajo periudhë ishte shumë e rrezikshme. Një ditë, nuk e di pse kisha një parandjenjë të keqe e mezi po prisja që Dania të kthehej në shtëpi. Isha e sigurtë që do të ndodhte diçka e keqe, ndaj atë ditë s’e çova fare vajzën në shkollë. Djali akoma s’e kishte filluar shkollën, por atë ditë s’e lashë as të dilte jashtë për të luajtur me fëmijët e tjerë. Vjehrra ime po habitej me sjelljen time. Nga dreka më zuri ankthi e nisa të qaja, por nuk doja që ajo të më shihte, ndaj u futa në dhomë. Pikërisht nga aty dëgjova se si u përplas fort dera e jashtme dhe ndjeva piskamën e fortë të vjehrrës sime. Dola jashtë me vrap e me zemër të ngrirë. Në mes të oborrit pashë Danen tim, të shtrirë përtokë e krejt të përgjakur. E tmerruar, iu afrova dhe pashë me frikë se si hapi sytë e më tha vetëm kaq: “Ruaj fëmijët!”. Pastaj, ra pa ndjenja. Nuk e dinim ç’kishte ndodhur me të, por e çuam menjëherë në spital. Mjekët na thanë se kishte marrë vetëm disa plagë jo të rënda për shkak të disa goditjeve dhe se do të bëhej mirë shumë shpejt. Nuk e përshkruaj dot gëzimin që ndjeva kur ai u përmend, por pikërisht atëhere do të niste edhe një makth tjetër, akoma më i madh për ne.
Ai më tha se krejt padashje ishte përfshirë në një sherr. Disa persona po rrihnin një fëmijë dhe ai ishte sulur për t’i ndalur, por në atë moment aty kishte ardhur edhe babai i fëmijës me ca të afërm të tij dhe sherri ishte bërë aq i madh sa kishte përfunduar me vdekjen e një personi mes asaj bande.
– Duhet të ikim! – tha ai. – Duhet të ikim patjetër jashtë shtetit që të shpëtojmë fëmijët tanë, pasi me ta nuk bëhet shaka…
– Ç’më thua? – i thashë e habitur – Po ti s’ke bërë gjë! Ti… e vrave?
– Jo! – tha ai duke buzëqeshur – Mos më thuaj që nuk më beson…
– Të besoj… – i thashë – por s’e kuptoj se ç’punë kanë ata me fëmijët tanë! Ti thjesht u përpoqe të ndihmoje një fëmijë.
– Eh, moj e mira ime! – psherëtiu ai – e ku do ta gjejmë ne të drejtën?
I dhashë të drejtë Danes, kur vetëm dy ditë pasi ai ishte në spital, im bir më tha se një burrë i panjohur e kishte pyetur ku e kishte të atin dhe kishte qeshur, pa pritur përgjigje. U tremba për vdekje dhe nisa menjëherë të përgatisja plaçkat për të ikur nga Shqipëria. S’kam për t’i harruar kurrë lotët e sime vjehrre ndërsa na përcillte drejt një bote tjetër, pa e ditur në do të mund të na shihte më neve dhe djalin e saj të vetëm. Nuk po përshkruaj gjithë çfarë hoqëm në rrugën tonë, fillimisht për në Greqi e prej andej, për në Francë. Po ju them vetëm se dhimbjet tona nuk kishin fund. Megjithatë, mes mundimesh, arritëm të bënim dokumentet dhe të rregulloheshim në Francë. Pas disa vjetësh, edhe falë punës së Danes, ne ishim njerëzit më të respektuar në zonën ku jetonim, por jeta do të na jepte një goditje tjetër. Mësuam se në Shqipëri ishte bërë një gjyq për të gjetur vrasësin e personit të vdekur atë ditë dhe im shoq, nuk di në ç’mënyrë e se si, ishte dënuar me 25 vjet burg, megjithëse në mungesë. Me sa duket, vrasësi i vërtetë, kishte arritur të fshihej dhe im shoq, duke mos qenë i pranishëm, mund të dënohej lehtësisht. Kjo na shtyu që për vite të tëra të mos mbanim asnjë lidhje me atdheun tonë, megjithëse zemra na pikonte gjak. Kanë qenë vite të një ankthi të tmerrshëm për ne. Pa shkak, po fshiheshin si kriminelët dhe i druheshim edhe një letre që vinte në adresën tonë.
Por, e keqja nuk do të vononte të vinte. Një ditë, policët e Interpolit do të na trokisnin në derë për ta marrë tim shoq e për ta futur pas hekurave të burgut. Me gjithë protestën e banorëve të zonës ku jetonim, që këmbëngulnin se im shoq ishte njeri i respektuar, urdhërat ishin të qarta. Im shoq quhej “njeri në kërkim” dhe duhet të kthehej për të vuajtur dënimin në atdhe. Jam përpjekur ta hap sërish çështjen e tij gjyqësore, por ka qenë e pamundur. Ngado më premtojnë e më kërkojnë para, por askush nuk më ka ndihmuar deri në këtë moment. Kështu, Dania tashmë ndodhet pas hekurave të burgut dhe unë me fëmijët e mi duhet të përballojmë jetën, kokulur… të vrarë shpirtërisht e moralisht. Tashmë, jeta s’ka asnjë kuptim për mua. Vazhdoj të jetoj në Francë, por vij herë pas here në Shqipëri për të parë Danen tim, që është shndërruar në tjetër njeri, atje, pas hekurave, vetëm e vetëm sepse deshi të mbronte një fëmijë të pafajshëm. E ku do ta gjej drejtësinë? Askund. Më duhet vetëm të bindem e të vuaj, unë, im shoq e fëmijët e mi… Kështu paska qenë e shkruar për ne!