Kur isha e vogël, kisha një shok në pallat me të cilin shkoja shumë mirë dhe gjithnjë e kam dashur.
Mbase, dashuri nuk e dija ç’do të thoshte, por e di që pa të nuk rrija dot.
Kur isha 16 vjeçe, ai më propozoi për herë të parë dhe unë pranova, pasi edhe unë e ndjeja shumë që ta kisha gjithnjë pranë.
Për disa vjet u dashuruam në fshehtësi. Më pas, të dy vendosëm t’u tregonim familjeve për atë që ndjenim, duke qenë se ishim edhe në një moshë që tashmë mund të merrnim një vendim. Familja ime, fillimisht, e priti pak keq. Ne ishim komshinj dhe nuk e donin këtë lidhje, pasi i druheshin mentalitetit dhe kishin frikë se po të ndodhte ndonjë gjë, do t’u vinte turp nga komshinjtë. Familja e tij, me aq sa më kishte thënë ai, e kishin pritur mirë. U lumturova se thashë se të paktën kisha mbështetjen e prindërve të tij. Ne filluam të shkonim në familjet e njëri-tjetrit, por tanët nuk ishin ende dakord që të takoheshin dhe ta bënim zyrtare fejesën tonë. Asnjëherë nuk e kuptova përsenë, gjersa ne të dy duheshim dhe duhet ta pranonin këtë gjë. Gjithsesi, ne dashuroheshim pa masë. Unë shkoja shpesh te shtëpia e tij dhe fillova të vija re se e ëma nuk më kishte shumë qejf, aq sa një ditë, pas një debati pa rëndësi që patëm me njëra-tjetrën, më tha se isha njeri pa vlera para djalit të saj. Mbeta e shokuar dhe e zhgënjyer njëkohësisht sepse nuk e kisha menduar kurrë që mamaja e njeriut që dashuroja do të ma shprehte aq shpejt dhe aq hapur antipatinë që kishte ndaj meje. Të nesërmen fola me të dhe ai më tha të mos shqetësohesha pasi më premtoi se do të fliste ai me të ëmën. U qetësova disi, por ndërkohë, vendosa të mos shkoja më në shtëpinë e tij, derisa e ëma të më telefononte vetë, por kjo nuk ndodhi kurrë. Kaluan disa kohë dhe ne takoheshim kudo, përveçse në shtëpinë e tij. Për disa kohë, unë u sëmura dhe iu nështrova disa analizave për tre muaj. Çdo sëmundje, madje edhe të keqe, prisja që ta kisha, por mbeta e shokuar kur zbulova se isha tre muajshe shtatzënë. Isha edhe e gëzuar, pasi në barkun tim po rritej fruti i dashurisë tonë, por ndërkohë, isha edhe e shqetësuar sepse ende nuk kishim një punë dhe një shtëpi për t’u sistemuar. Menjëherë vendosa t’ia jepja atij lajmin se do të bëheshim prindër, por edhe ai mbeti i habitur dhe atë ditë thuajse nuk folëm fare. Mendova se edhe ai ndjehej konfuz si unë për të njëjtën gjë dhe nuk i bëra shumë pyetje. Të nesërmen u takuam sërish dhe ai ishte bërë si bishë, më kapi nga krahët me forcë dhe më pyeti i kujt ishte fëmija. Nuk doja t’u besoja syve e veshëve dhe e pyeta: “Po tallesh, apo çfarë?”, por ai e përsëriti sërish dhe më tha se fëmija që po prisja, nuk mund të ishte i tiji. Fillova të qaja e dëshpëruar pasi nuk mund ta besoja që njeriu i vetëm që unë kam dashur në jetën time, po më thoshte ato fjalë. Kaluan disa ditë dhe shkova ta kërkoja në shtëpi, duke qenë se ai nuk ishte bërë më i gjallë. Në derë më doli e ëma dhe me fjalë ofenduese, më tha:
– Çfarë kërkon në shtëpinë time, lavire? Kërkon të na hedhësh hi syve duke na thënë gjoja se fëmija që pret është i tim biri?!
Edhe pse u mundova t’ia shpjegoja, ajo më tha se i biri kishte shkuar në Belgjikë tek e motra, për të mos u kthyer më. Nuk e besova dhe mendova se ishte larguar për pak kohë për të qartësuar idetë, por koha kalonte dhe mua kishte filluar të më dukej barku, kurse prindërit e mi ende nuk ishin në djeni të kësaj shtatzanie. Më në fund, mora guximin që t’u tregoja, duke qenë se nuk kisha më asnjë mbështetje. Babai im sigurisht që nuk e priti mirë, por ajo që u bë si histerike ishte nëna ime, që më detyroi ta hiqja fëmijën, pasi nuk donte që të turpërohej nga të tjerët. Më kërcënoi madje me një thikë dhe i thashë se edhe po të më vriste, do t’i duhej të më vriste bashkë me fëmijën që kisha në bark sepse nuk do ta hiqja kurrë fëmijën që prisja. Më në fund, ajo u dorëzua, vendosi të më qëndronte pranë dhe më dha mbështetjen e saj, së bashku me babain tim. Koha kalonte dhe shtatzania ime sa vinte e avanconte, ndërkohë që i dashuri im nuk bëhej i gjallë. Më në fund, u dorëzova dhe vendosa që fëmijën që po prisja ta rrisja vetë dhe të ishte vetëm imi. Erdhi dita që u bëra nënë. Fëmija lindi dhe ishte një vajzë që kishte tërësisht tiparet e të atit. Isha shumë e lumtur se të paktën sytë e saj do të më kujtonin gjithmonë atë. Me mbështetjen e prindërve të mi, vajzës sime nuk i mungoi asnjëherë asgjë. E vetmja gjë që i mungonte ishte figura atërore. Kaluan tre vjet dhe një ditë, teksa zbrisja shkallët e pallatit me vajzën në dorë, u përballa me të. M’u drodhën gjunjët kur e pashë, por njëkohësisht, mblodha forcat dhe vendosa të largohesha pa e përfillur. Çuditërisht, ai nuk më ndaloi, vetëm më ndoqi me sy derisa u largova. Gjatë gjithë këtyre viteve, mamaja e tij gjithmonë më ka parë me vajzën në dorë dhe kurrë nuk më ndaloi dhe kurrë nuk ishte kurioze ta njihte mbesën e saj. Unë jam shumë e lumtur që Zoti më fali një dhuratë kaq të çmuar si vajza ime, por ndonjëherë më vjen keq për veten që desha vetëm një njeri në jetë. Ka shumë vajza që lidhen me meshkuj të ndryshëm, që i pranojnë edhe fëmijët e tyre si të jenë të vetët, ndërsa vajza ime nuk pranohet nga babai i saj, i cili nuk e merr kurrë mundimin të zbulojë se ajo është vërtet fëmija i tij.