Pshëndetje, miq të kësaj gazete!
Shumë herë kam dashur të shkruaj edhe unë historinë time te kjo gazetë, por ngurroja ngaqë më mbushen sytë me lot dhe vuaj shumë shpirtërisht kur kujtoj skenën e asaj dite që unë e quaj “dita e dhimbjes”…
Është dita ku m’u fikën ëndrrat e dashurisë sime.
Sapo kisha mbaruar klasën e tetë dhe si shumë prej shoqeve të mia, kisha filluar të dilja me një djalë nga fshati im. Kisha vetëm tre muaj që e kisha njohur, pasi ai kishte pesë vjet që jetonte në Angli. Ai quhej Edison dhe kuptohet se dashuria në moshën e adoleshencës është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një njeriu. Ai ishte vëllai i shoqes sime më të ngushtë. Që herën e parë që e takova, filloi të më rrihte zemra për të. Ai ishte aq i bukur sa nuk mund ta përshkruaj. Në atë kohë, do të rrinte një muaj në Shqipëri, pasi kishte ardhur me pushime. Unë shkoja shpeshherë në shtëpinë e shoqes sime, me justifikimin se do të bënim detyrat të dyja, por në fakt, shkoja për të takuar Edin. Ai ishte kaq i mirë dhe i dashur me mua! Gjithmonë më thoshte se i pëlqeja shumë, “por historinë tonë të vërtetë do ta fillojmë kur ti të rritesh të paktën sa të shkosh në vitin e dytë të shkollës së mesme”, shtonte. Kjo që më thoshte më bënte ta doja edhe më shumë. Kur e takoja, rrinim të dy te dhoma e shoqes. Ajo e kuptonte se ishim shumë të dashuruar me njëri-tjetrin dhe na linte gjithmonë vetëm. Ai nuk guxonte të më prekte me dorë sepse unë i dukesha si fëmijë. Ndoshta ishte mësuar me mentalitetin atje sepse këtu, një djalë në ato rrethana, do të sillej ndryshe. Ditët po kalonin dhe Edi duhet të kthehej në Angli. Unë ndjehesha shumë keq dhe nuk mund t’i ndalja dot lotët përpara tij. Ai m’i fshinte shumë ëmbël dhe më puthte në faqe.
“Muajt do të kalojnë shumë shpejt dhe ne do të takohemi në verë, e vogla ime” më thoshte ai, por kjo më bënte të ndjehesha akoma më keq. Ai më kishte blerë një telefon që e përdorja fshehtas prindërve pasi ata nuk më linin të përdorja telefon, duke më thënë se isha ende e vogël.
Ditën që Edi iku, më puthi në cep të buzës dhe më tha: “Kujdesu për veten dhe mëso në shkollë”. Atë ditë kam qarë aq shumë sa nuk e mblidhja dot veten. Largësia me të m’i bënte gjërat shumë të vështira. Më dukej sikur ai nuk më donte sa e doja unë. Ai më merrte në telefon dhe flisnim natën vonë, kur prindërit e mi flinin. Kishte ditë që e gdhinim duke i shkruar njëri-tjetrit. Me pak fjalë, unë kisha rënë në dashuri kokë e këmbë, madje edhe shkollën e kisha lënë mbas dore. E gjithë kjo ëndërr e bukur zgjati deri një muaj para se të kthehej Edi nga Anglia. Prindërit e mi kanë një biznes privat dhe të shumtën e kohës e kalonin atje. Ishte ditë e premte kur unë nuk kisha shkuar në shkollë, pasi kisha ndenjur duke folur me Edin gjithë natën dhe më dhimbte shumë koka. Vëllain e kisha tre vjet më të madh, ai ishte maturant dhe atë ditë nuk ishte kthyer akoma nga shkolla. Befas dëgjova një trokitje në derë dhe e hapa menjëherë, pa pyetur se kush ishte, pasi mendova se do të ishte vëllai. U habita kur pashë elektricistin. Ai zakonisht vinte për të parë sahatin kur ishin prindërit e mi në shtëpi, ndaj e pyeta se pse kishte ardhur pikërisht në atë orar kur nuk ishin prindërit. Ai e hapi rrugën duke më shtyrë pak lehtë te krahu dhe më tha:
– Mos bëj pyetje të kota! Më mirë më lër të shikoj sahatin se kam punë të tjera! – Nga përgjigjja që dha, dukej se ishte i dehur se binte era alkool. – Kam dëgjuar se je rritur para kohe, ke zënë edhe të dashur, apo s’është kështu? – vazhdoi bisedën elektriçisti, i cili kishte moshën e babait tim. – Do t’ia them disa fjalë babait tënd për ty. I gjithë fshati e di që je lidhur me atë emigrantin e Anglisë, ndërsa prindërit e tu nuk dinë asgjë.
– E ç’të duhen ty këto gjëra… – i thashë e nevrikosur, por ai nuk më la ta mbaroja fjalinë, më kapi prej krahu, më shtrëngoi fort dhe më tha:
– Unë edhe mund të mos ua them prindërve të tu ato që kam mësuar për ty, me një kusht që ti të sillesh mirë me mua, të mos nxjerrësh zë. – Krahun ma kishte kapur aq fort sa nuk po dija si të shpëtoja.
– Më lësho! – i thashë, por ai nuk dinte të ndalej. Dukej si një kafshë e egër që donte të shijonte gjahun që sapo kishte zënë. E tmerruar fillova të bërtisja, por ai ma kishte mbyllur gojën me dorën e tij të shëmtuar. Mundohesha ta largoja trupin tim nga i tiji, por ishte e kotë…
Era e alkoolit kundërmon edhe sot në hundën time. Trupi i tij i pështirë më shfaqet edhe sot në ëndërr. Në ato momente, një pjesë e imja ishte e vdekur. Gjëja e parë që më vinte në mendje në ato çaste ishte fakti se doja të vdisja, nuk doja të jetoja më me atë turp, por mendoja për prindërit e mi që më rritën me shumë mundime. Menjëherë shkova në dhomën time dhe e para gjë që bëra, ishte që theva telefonin që më kishte dhuruar Edi. Historia ime me të nuk kishte më kuptim. Ai më kishte ruajtur mua si një fëmijë dhe unë tani s’mund t’i tregoja për atë që më kishte ndodhur. Isha mbyllur në dhomën time dhe vetëm qaja e nuk doja t’i flisja njeriu. Prindërit filluan të dyshonin, ata më pyesnin dhe unë, herë pas here, gjeja ndonjë justifikim të rastit, ndërsa Edi ishte çmendur duke i rënë telefonit. Menjëherë më takoi motra e tij dhe unë i thashë se lidhja ime me të kishte marrë fund. Ajo u habit dhe më pyeste se cili ishte shkaku. Asnjërit nuk mund t’i tregoja, madje as shoqes sime të ngushtë, sepse nuk doja që të më hapej nami, pasi unë jetoja në fshat dhe nuk doja që familjen time ta fusja në sherr për një njeri të atij niveli. Motra e Edit më thoshte se ai ishte mërzitur shumë për këtë që po i bëja. Lotët e mia nuk kishin të mbaruar, mbyllesha në dhomën time me pretekstin se do të mësoja dhe nuk dija ta ndalja të qarët. Një muaj kaloi shumë shpejt dhe Edi u kthye nga Anglia, për të kaluar pushimet në familjen e tij. Unë tashmë e kisha kaluar periudhën më të keqe, edhe pse dhimbja nuk më largohej. Çdo ditë mendohesha se çfarë justifikimi do t’i tregoja Edit për këtë sjelljen time. Një ditë, Anila erdhi në shtëpinë time. Tashmë shkolla kishte mbaruar dhe ne takoheshim rrallë. Sa e pashë, filloi të më rrihte zemra fort. “Me siguri do të ketë ardhur Edi”, po mendoja me veten time. Pa mbaruar mirë mendimin, ajo më kapi nga krahët dhe më tha: “Ka ardhur Edi. Vishu shpejt që të shkojmë ta takojmë”.
Një det më lot më rrëshqisnin mbi faqe dhe s’dinin më të ndalonin, njëqind mendime më vinin mbi kokë. Çfarë do t’i thoja atij? Ai më donte me të vërtetë shumë; në jetën time nuk do të gjeja më njeri të tillë. Anila më përqafoi dhe më tha:
– Pse bën kështu? Çfarëdolloj problemi të kesh, ai do të të kuptojë.
Fjalët e saj sikur më qetësuan dhe fillova të bëhesha gati për të shkuar në shtëpinë e saj. Në dhomë më priste Edi. Sa hapa derën, ai nuk priti, por më përqafoi me gjithë forcën e tij. Nga sytë e mi sikur u hap rubineti i lotëve që nuk mbaronin. I habitur ai fillojë të më bënte njëqind pyetje…
Pasi e mblodha veten, i thashë:
– Nuk të dua më! Dua dikë tjetër…
Ishte e kotë. Ai as që ua vuri veshin fare fjalëve të mia, e kuptoi që ishte një gënjeshtër e sajuar në moment. Edhe po të ishte e vërtetë, motra e tij do ta kishte kuptuar dhe do t’ia kishte thënë e para. Ai më lutej që unë t’i tregoja të vërtetën dhe unë s’kisha rrugë tjetër. Ai m’u betua që nuk do t’i tregonte njeriu dhe që ky do të ishte sekreti ynë. Fillova t’ia tregoja ngjarjen me detaje, ashtu siç ndodhi në të vërtetë. Edhe Edit iu mbushën sytë me lot dhe me zë të ulët, mërmëriti:
– Si mban kjo tokë monstra të tillë?! – Më pas më përqafoi dhe, duke më fshirë lotët, më tha: – Mos u mërzit… Ti, më shumë se për një të dashur, në këto momente ke nevojë për një shok që të të kuptojë dhe të të mbështesë. I tillë do të jem unë për ty. Edhe pse do të jem larg, do të më kesh shumë pranë me fjalët e mia, me dashurinë time; do të jem një mik i vërtetë për ty!
Fjalët e tij më bënë të ndjehesha akoma më keq. Më dukej sikur po më merrte me të mirë për të më larguar nga vetja e tij. Unë prisja që ai të më thoshte se unë do të vazhdoja të isha dashuria e tij e vetme, ashtu siç më thoshte dikur, por ai nuk e bëri këtë. Më dukej sikur gjeti një mënyrë më pak të dhimbshme për të më hequr qafe. I thashë se e falënderoja për miqësinë që po më ofronte, por nuk kisha nevojë për të dhe ashtu, e zemëruar dhe e përlotur, u largova duke ia mbyllur derën në fytyrë.
Sot jam në vitin e katërt të shkollës së mesme dhe, që prej asaj dite të takimit tim me Edin, i jam betuar vetes se nuk do ketë më mashkull në jetën time që do të mund të më lëndojë. Iu përkushtova shkollës dhe jam e para e klasës. Kam vendosur që të vazhdoj Juridikun dhe të mbroj të gjitha ato gra e vajza të cilat kanë patur fatin tim të zi.