Sot jam një grua 55 vjeçare, e kompletuar nga ana ekonomike, por brengat shpirtërore që kam kaluar në rininë time, nuk mundem t’i harroj.
Isha vetëm 16 vjeçe kur njoha dashurinë e vërtetë.
Unë jetoja në një fshat afër Beratit dhe familja jonë ishte e varfër, ashtu si shumë të tjera në atë kohë.
Komshinj me familjen tonë kishim nga ata njerëz që partia i quante me përbërje të “keqe”. Në familjen time flitej shumë keq për ta, pasi njëri nga djemtë e asaj familjeje ishte arratisur në Amerikë. Si të thuash, familja e tyre ishte si një tabu për të gjithë fshatin, asnjë nuk i donte e as nuk i përkrahte. Në atë kohë, unë isha një vajzë shumë e bukur, shumë çapkëne dhe më pëlqente rreziku. Njërin për djemve të asaj familjeje e kisha njohur në një nga mbledhjet që organizonte fshati në atë kohë. Ai quhet Bujar dhe shpeshherë binte në sy për mënyrën se si krihej e vishej dhe kjo gjë nuk i pëlqente partisë, por mua, që isha një vajzë adoleshente, më pëlqente shumë. Ai dukej si ata djemtë pak të hedhur që nuk kishin frikë nga asgjë. Kjo gjë e bënte atë më tërheqës, pavarësisht se shumë vajza nuk i afroheshin, nga frika e llafeve. Ai i kishte mbushur gati të tridhjetat dhe nuk ishte fejuar akoma, pasi këto familje e kishin të vështirë të bënin miqësi. Në një nga mbledhjet e radhës që organizonte organizata bazë e rinisë së asaj kohe, ai u kritikua shumë rëndë për faktin se i mbante flokët e gjata mbi vesh. Për mua, ky ishte thjesht një justifikim që nxirrte partia për ta kritikuar para të gjithëve. Të gjithë e shikonin Bujarin me urrejtje, kurse unë e shikoja me dhembshuri. Edhe ai e kishte kuptuar një gjë të tillë, madje në atë mbledhje nuk m’i ndante sytë për asnjë sekondë. Teksa të tjerët diskutonin, ne shikoheshim në fshehtësi. Kot nuk thonë se gjëja e ndaluar të tërheq më shumë. Që prej asaj mbledhjeje, gjërat kishin ndryshuar për mua. Gjithë ditën dhe natën mendoja vetëm për të. “Vallë, po ai, a mendon për mua?”, thoja me veten time. Ishin dy gjëra që na pengonin të lidheshim: Përbërja e tij klasore dhe diferenca e moshës. Sikur babai im ta merrte vesh një gjë të tillë, do të më vriste, por kalonin ditët dhe unë e vuaja dashurinë për të. Ai më dukej djali më i bukur në fshat dhe unë nuk kisha sy për të tjerë. Gjithë ditën rrija e mendoja se si do ta takoja. Fillova të zija miqësi me motrën e tij dhe ashtu, si padashur, më dilnin vetë pyetjet nga goja. Doja të dija çdo gjë për Bujarin, edhe pse nuk doja që ajo ta kuptonte se unë e doja. Kjo iniciativa ime, ishte e rrezikshme, por nuk tërhiqesha dot. Sa më shumë mundohesha t’i ndrydhja ndjenjat e mia ndaj tij, aq më shumë më shtoheshin ato. Me sa duket, interesi im për vëllain asaj i pëlqeu shumë dhe nuk vonoi e një ditë më drejtoi një letër. U habita kur më tha:
– Merre, ta ka dërguar Bujari!
Zemra po më rrihte fort; ishte një ndjenjë që nuk e kisha provuar më parë. E habitur, e pyeta se pse më kishte shkruar letër, se ç’lidhje kishte letra e tij me mua. Ajo po qeshte dhe më tha:
– Ti lexoje njëherë, sqarimet i ke të gjitha brenda.
Edha doja, edhe s’doja ta lexoja atë letër, megjithatë, dëshira për të parë se ç’më kishte shkruar ai ishte aq e madhe, sa nuk i rezistova dot. Kurrë nuk e kisha menduar se marrja e asaj letre do të ishte një mallkim që do të më ndiqte nga pas kudo. Shkova në shtëpi dhe në fshehtësinë më të madhe, e lexova letrën duke m’u dridhur duart. Edhe sot kur e mendoj, them: “A ishin vërtet të sinqerta ato fjalë që më shkruante Bujari apo ishin thjesht një mjet shpëtimi, sikur të isha e vetmja femër për të mbi dhé?!”.
Fjalët e tij më emocionuan shumë. Ai më shkruante se më kishte parë që të vogël teksa rritesha dhe qëkur unë isha fëmijë, ai kishte ushqyer ndjenja për mua. “Mezi të kam pritur që ti të rriteshe dhe të bëheshe nusja ime”, më thoshte. Ai më shkruante se gjithmonë në mëngjes teksa hapte dritaren, mundohej të më shikonte teksa fshija oborrin e shtëpisë. Më thoshte se më donte, se unë isha dashuria e tij e parë dhe e fundit. Të gjitha këto më emociononin pa masë. Letrën e tij e mbaja gjithmonë me vete dhe fillova ta doja gjithnjë e më shumë.
Kështu, nisi historia jonë, duke i shkruar njëri–tjetrit dhe motra e tij u bë postieri ynë. Një ditë kishim vendosur të takoheshim. Ishte verë dhe unë u kisha thënë njerëzve të mi se do të rrija te halla që kishim në fshat, por në të vërtetë, shkova në shtëpinë e Bujarit. Njerëzit e tij kishin shkuar në qytet sepse kishin një dasmë dhe Bujari i kishte përgatitur shumë mirë gjërat që ta kalonim natën bashkë. Kisha filluar ta doja aq shumë sa bëja çdo gjë që më kërkonte ai. Nuk e di pse, por as nga njerëzit e mi nuk kisha frikë. Në atë kohë, dashuria më kishte verbuar komplet. Ishte nata e parë që po rrija me Bujarin dhe kisha shumë frikë se si do të rridhnin gjërat më vonë. Në atë kohë, gjëra të tilla nuk lejoheshin dhe ne kishim marrë një iniciativë të guximshme, por dashuria na jepte forcë të përballonim çdo gjë, pa e ditur se çfarë e ardhmje na priste. Shtëpia e Bujarit ishte e thjeshtë, ashtu siç ishin gati të gjithë shtëpitë e fshatit në atë kohë, po mua nuk më bënin përshtypje orenditë e shtëpisë, veç ajo që po ndodhte midis nesh. Mbaj mend se Bujari më rrëmbeu në krahë dhe unë, e mbaja të përqafuar shumë fort. Ai filloi të më puthte ngadalë në faqe e më pas, në buzë. Ndjehesha e përhumbur në krahët e tij dhe as që i mendoja pasojat që do të kisha. E doja Bujarin marrëzisht dhe ajo natë ishte aq magjike sa nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. Iu dhashë e tëra atij, pa asnjë lloj pendimi. E doja dhe kaq. Doja që ajo natë të na lidhte përgjithmonë, por me keqardhje ju them se ndodhi krejtësisht e kundërta. Halla ime u tregoi prindërve se unë nuk kisha qenë në shtëpinë e saj atë natë dhe, që nga ai moment, vetëm sherr kishte në shtëpinë tonë. Ata kërkonin me ngulm të mësonin se ku dhe me kë e kisha kaluar natën. Unë nuk guxoja të tregoja. E dija se do të shkatërroja gjithçka që kishim ndërtuar me Bujarin. Edhe pse ishte një dashuri e ndaluar, ajo ishte një dashuri e bukur edhe sikur gjithë jetën ta kalonim në fshehtësi, unë do ta pranoja.
Nuk u kisha treguar prindërve për atë natë deri në momentin kur kuptova se diçka po ndodhte me trupin tim. E ndjeja veten të lodhur, nuk më hahej, madje disa herë më kishte rënë edhe të fikët. Prindërit kishin filluar të bëheshin merak dhe më çuan në spitalin e fshatit. Shumë shpejt, ata dhe unë bashkë, mësuam se kisha mbetur shtatzënë. Ajo ka qenë një nga ditët më të tmerrshme të jetës sime! Nuk kisha ç’të bëja, isha e detyruar t’ua tregoja emrin e djalit që doja. Prindërve sa nuk u ra pika. Bujarin e denoncuan për përdhunimin e një të miture, edhe pse unë këmbëngulja që nuk ishte kështu. Atë e futën në burg, ndërsa fëmijën ma morën dhe ma çuan në jetimore. Di vetëm se linda vajzë; asgjë tjetër. Vitet kaluan dhe unë nuk dija për kë të qaja më parë, për vajzën që ma rrëmbyen në mënyrë të pamëshirshme apo për Bujarin, që e futën në burg për fajin tim.
Në një pikë tët jetës, rrethanat më detyruan që edhe unë, si shumë vajza të tjera, të martohesha. Gabimi që kisha bërë nuk më falej dhe e detyruar nga kushtet, u martova me një burrë që kishte qenë i martuar dhe i kishte vdekur gruaja. Ai kishte një djalë që e rritëm bashkë, përkrah katër fëmijëve të tjerë që bëmë të dy. Me ardhjen e demokracisë, fëmijët emigruan jashtë shtetit dhe sot, ne kemi një nivel të lartë jetese, por edhe pse jeta vazhdoi, ende zemrën e kam të plagosur për vajzën që nuk kam mundur ta gjej dot. Kam marrë vesh se Bujari u lirua nga burgu vetëm me ardhjen e demokracisë dhe është martuar në moshë të madhe. Kjo ishte drama e jetës sime. Dashuria ime e parë e kurorëzuar me një vajzë, ishte një mallkim që do të më ndjekë gjatë gjithë jetës, ndërsa vuaj sepse kurrë nuk e gjeta ku është vajza ime…