Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Duhet t’i ruhesha asaj gruaje

Ishte ditë e diel dhe unë e kisha pushim.

Atë ditë më zgjoi zilja e një mesazhi që më erdhi në telefon.

E hapa dhe lexova se në telefon më kishin ardhur 10 mijë lekë (të vjetra). Ishte një numër i panjohur vodafon, me kontratë.

Advertisement

U habita. “Me siguri do të kenë ngatërruar numrin”, po mendoja me veten time dhe, duke ndjekur shembullin e mamit, që më thoshte gjithmonë: “një gjë që s’është e jotja, mos e merr, se më shumë ke për të humbur”, vendosa t’ia ktheja prapë lekët, po kjo gjë ishte e pamundur sepse ai ishte numër me “20” dhe nuk mund t’i transferoje lek. Për mirësjellje, vendosa ta merrja në telefon në mënyrë që ta informoja se m’i kishte hedhur lekët gabimisht. Edhe doja, edhe s’doja, pasi kisha frikë se mos më dilte ndonjë burrë dhe kush merrej me të pastaj?! Dija shumë raste kur shoqet e mia provokonin burra që kishin numra me kontratë dhe më pas, ata binin pre e mashtrimeve të tyre, vetëm për t’u mbushur telefonin. Por mua nuk më pëlqente një gjë e tillë. Sapo kisha filluar fakultetin dhe studioja shumë, nuk doja që të lidhesha me një njeri për interes, siç bënin shumë shoqe të miat. Pasi u mendova pak, vendosa ta merrja në telefon personin, i cili kishte ngatërruar numrin dhe u qetësova menjëherë kur në telefon më doli një zë gruaje. I thashë se gabimisht kishte ngatërruar numrin e telefonit dhe m’i kishte dërguar mua lekët. Ajo u tregua shumë e sjellshme, duke më thënë: “Ke të drejtë, po nuk ka problem, se i solli Zoti te ty” dhe unë, e çliruar nga ato që më tha gruaja, ia ktheva: “Epo, Zoti e dinte se unë isha studente dhe më duheshin lekët”. Të dyja po qeshnim dhe ajo më pyeti se për çfarë studioja. Gjithashtu, më dha edhe adresën, duke më thënë se nëse më nevojitej ndonjë gjë, mund ta gjëja te zyra se saj në Bllok. Ajo më tha se në atë zonë kishte disa dyqane dhe unë mund të shkoja për t’i vizituar. Kishin kaluar disa ditë dhe unë gati e kisha harruar këtë bisedë, kur më ra telefoni dhe një zë gruaje më përshëndeti e më tha se ishte Vjollca, gruaja që kishim biseduar disa ditë më parë. E kuptova se kush ishte dhe e pyeta se përse më kishte marrë. “Sot jam e lirë. Po të duash, dalim për kafe”, më tha. Nuk e di se si u ndjeva në ato momente; edhe doja të shkoja, edhe jo. Vjollca ishte njeri i panjohur për mua dhe kisha frikë ta takoja, edhe pse ajo ishte grua. Ua tregova shoqeve dhe ato thanë se duhet të shkoja të paktën nga kurioziteti apo sepse mbase më ndihmonte me ndonjë punë. E mora në telefon dhe i thashë se do të shkoja ta takoja në zyrë. Shkova, trokita në derë dhe e hapa. Aty, pashë një grua rreth të pesëdhjetave, e cila qëndronte e ulur në një kolltuk meshin dhe u rrotullua drejt meje.

– Ti duhet të jesh Mira, vajza qe kemi komunikuar në telefon… – Unë tunda kokën dhe buzëqesha. Ajo u ngrit në këmbë dhe vetëm më përqafoi: – Përveçse je e zgjuar, qenke edhe një vajzë e bukur, – m’u drejtua ajo.

Ajo mori çantën dhe u drejtuam për në lokal ku do të pinim kafen. Ajo më pyeti për shumë gjëra, për moshën, shkollën, për familjen time, po kështu më pyeti edhe nëse isha e dashuruar. Ajo pyeste dhe unë përgjigjesha. Vjollca po më tregonte edhe për jetën e saj. Ajo nuk kishte qenë asnjëherë e martuar. Sipas asaj, sepse gjatë gjithë jetës së saj ishte marrë me biznes dhe kjo e pengonte për të pasur një familje normale. Nuk e di pse, por biseda me të më pëlqente shumë. Më dukej sikur kishte shumë sinqeritet brenda saj. Kur unë e pyeta se përse më kishte ftuar për kafe, ajo m’u përgjigj:

– Biseda që bëmë në telefon më bëri të kuptoja se ti je një vajzë e sinqertë dhe shumë e ndershme. Asnjë vajzë tjetër nuk do ta kishte bërë veprimin për t’i kthyer përsëri lekët. Për këtë, dua të të kem mike dhe të të ndihmoj me të ardhura për të vazhduar shkollën. Unë kam disa dyqane ku shes rroba dhe ti mund të vish aty e të zgjedhësh çfarë të duash.

– Jo, nuk mund ta bëj këtë, nuk mund të përfitoj nga mirësia jote… – ia ktheva unë, por ajo më ndërpreu duke më thënë se këto nuk ishin asgjë përkundrejt atyre që fitonte ajo. E gjithë ajo bisedë më bëri që të mendoja shumë. Ua tregova ngjarjen shoqeve, por ato e morën me shumë sportivitet dhe më ngacmonin duke me thënë “ty të paska rënë telebingo”.

Ditët kalonin dhe Vjollca më merrte më shpesh në telefon. Përveçse dilnim për kafe, ne filluam të hanim dreka e darka nëpër restorante shumë të shtrenjta. Kur e mendoja të gjithë këtë ngjarje më kapte një ndjenjë frike dhe thosha: “Pse ta bëjë vallë këtë gjë ajo për mua?”. Kur ia tregova mamit tim këtë histori, ajo më tha se duhet ta ndryshoja menjëherë numrin e telefonit dhe nuk duhet të takohesha më me të, pasi me siguri, do të kisha pasoja. Ajo mendonte se ajo mund të ishte e lidhur me ndonjë kontrabandist ose i fitonte lekët në mënyrë të paligjshme dhe mund të më kushtonte shumë mua. Të gjitha këto më frikësonin, por tashmë nuk mund të ndahesha prej saj. Ajo ishte sjellë shumë mirë me mua dhe më dukej njeri i ndershëm. Ajo më kishte ndihmuar shumë, më kishte ofruar edhe punë në dyqanet e saj dhe nuk ma lejonte ndërgjegjja që ta braktisja kështu, pa asnjë arsye. Për festën e 8 Marsit, Vjollca më ftoi në shtëpinë e saj. Ajo kishte një shtëpi shumë të madhe dhe të mobiluar sipas kohës. Do shkonim për darkë me shoqërinë e saj dhe ajo më kishte blerë një fustan të kuq, shumë të bukur. Po kështu, më kishte blerë edhe të brendshme, që shkonin me fustanin. Të gjitha këto më habitën. I provova dhe fustani më shkonte shumë, ai më rrinte fiks me trupin, duke më treguar linjat dhe belin tim të hollë. Kurrizi ishte gati i gjithi i hapur dhe mua nuk më pëlqente kjo, por sipas Vjollcës, ai fustan ishte i përshtatshëm për darkën në të cilën do të shkonim. Në një moment, ajo më tha:

– Prit, surprizat nuk kanë mbaruar akoma! – dhe nxori nga çanta një kuti të vogël ku ishte një varëse shumë e bukur me një gur të kuq. E gjithë kjo situatë po më trembte, më dukej vetja si në ata filmat kur një burrë i bën surpriza të dashurës së tij për ta bërë për vete, por në rastin tim, surprizat vinin nga një grua dhe kjo gjë nuk po më pëlqente, më dukej diçka e tepruar. Pasi u bëmë gati, ajo më kapi nga krahët dhe më tha: – Je bërë shumë e bukur! Asnjë nuk ka për të ta kaluar në atë mbrëmje… – më shtrëngoi në kraharor dhe më puthi në faqe.

Kur mbërritëm në lokal, më dukej vetja si e huaj. Mikeshat e Vjollcës pyesnin se kush isha unë. Ato ishin gra në moshë të madhe, nga pesëdhjetë deri në gjashtëdhjetë vjeçe dhe unë, në atë mbrëmje, ndihesha e tepërt. Shikoja që Vjollca po kënaqej shumë me mikeshat e saj. Ato filluan të pinin verë dhe kjo gjë nuk po më pëlqente. Vjollcën kishte filluar ta zinte vera dhe unë i lutesha që të mos pinte shumë, por ajo më thoshte:

– Duhet të pish edhe ti pak, bukuroshja ime, se të bën mirë… – pastaj ajo më puthte në faqe dhe më bezdiste, por nuk dija çfarë të bëja. Nuk mund të ikja. Ishte mesi i natës dhe nuk mund të shkoja vetëm e ta lija atë. Pas shumë lutjesh, ne vendosëm të shkonim në shtëpi ku na shoqëroi një mikja e saj me makinë sepse Vjollca nuk mund të ngiste dot, pasi ishte dehur. E mbaja për krahu dhe u drejtuam në dhomën e gjumit. Doja që ajo të shtrihej të flinte, por ajo më kapi nga beli dhe me tha:

– Të lutem, më fal që piva sot… Ti je princesha ime dhe kjo mbrëmje duhet të ishte vetëm për ty!  – Dora e saj në belin tim filloi të më bezdiste, doja të shkëputesha prej saj, por ajo nuk më lëshonte… – Të lutem, më dëgjo. Qëkur të kam parë, më ke pëlqyer shumë. Është një ndjenjë që nuk e kisha ndjerë asnjëherë më parë. – Pa mbaruar fjalën, ajo më puthi te cepi i buzës. Fillova ta shtyja me gjithë forcën time, por ajo nuk më lëshonte. Dukej sikur pija i jepte më shumë forcë. E shtyva dhe në një moment, ajo u shtri mbi krevat. Dukej që nuk kishte fuqi të ngrihej më. Ajo vazhdonte të fliste pa pushim duke më thënë se në ditët e sotme nuk ia vlen të jetosh me një mashkull, por unë e kyça derën e dhomës së saj dhe fjeta në dhomën përballë.

Në mëngjes, ajo nuk mbante mend ose bënte sikur, kurse unë i tregova gjithçka që kishte ndodhur një ditë më parë. Ajo filloi të më kërkonte të falur, por ishte e kotë. E dija që kjo histori fshihte diçka, por nuk e kisha menduar të ishte një gjë kaq poshtëruese për mua. Ajo ishte dita e fundit kur u takova me Vjollcën. Më pas, ndryshova numrin e telefonit dhe ajo nuk u bë më e gjallë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Astrologia shpjegon...!

Next Post

9 ide të gabuara në lidhje me alkoolin

Advertisement