U martova 22 vjeçe sepse mbeta shtatzënë.
Isha në vit të dytë të Fakultetit Ekonomik.
Gjatë studimeve, u njoha me Albin, asistent pedagogun që kishte ardhur në fakultetin tim.
Ai ishte 10 vjet më i madh se unë, por ne flisnim dhe kuptoheshim në mënyrë perfekte me njëri-tjetrin. Pavarësisht kësaj, lidhja jonë do të kishte marrë fund, nëse nga pakujdesia e një nate plazhi, unë nuk do të kisha mbetur shtatzënë. Edhe pse kuptoheshim dhe pëlqeheshim shumë, ndodhte që diferenca në moshë të na vinte në dukje gjithnjë e më shumë preferencat dhe pikëvështrimet e ndryshme që kishim, por Albi ishte me të vjetrën dhe plot principe morale, ndaj mori të gjitha përgjegjësitë për fëmijën që do të lindja. Bashkë kishim kaluar vetëm një periudhë të shkurtër të bukur, sepse më pas gjërat filluan të bëheshin tepër monotone, për të mos thënë, zhgënjyese.
Në vend që të më linte në hallin që më kishte zënë, sikurse do kishin bërë të tjerët në vendin e tij, Albi më bindi që, për të mirën e fëmijës, të martoheshim. Unë nuk doja, por duke parë situatën në të cilën ndodhesha, nuk kisha zgjidhje më të mirë. Nuk pata forcë të ndiqja zemrën time dhe vendosa për martesë, kundër vullnetit tim. Kështu, brenda pak kohësh, unë, nga një studente e thjeshtë, u shndërrova në një bashkëshorte dhe, së shpejti, do të bëhesha mama. Nuk e di nëse Albi ndjente dashuri për mua, por unë për të, fare!
– Nuk më dukesh fare entuziaste që do të bëhesh mama për herë të parë… – më tha një natë, ai.
– Kjo është përshtypja jote! – ia ktheva menjëherë. E dija që ai nuk kishte asnjë faj për këtë martesë e cila ishte një zgjedhje e detyruar nga nevoja, madje duhet ta falënderoja për vendimin që kishte marrë, edhe pse për hir të fëmijës, por isha shumë e trishtuar që po jetoja një martesë pa dashuri. Për këtë të fundit, kisha thurur ëndrra të bukura dhe mendoja se një ditë do të dashurohesha e do të jetoja e lumtur, por kisha fatin që Albi ishte një njeri i përgjegjshëm dhe mori të gjitha përgjegjësitë e tij, sepse në vend të tij mund të ishte një tjetë, i cili as që do t’ia dinte se prisja një fëmijë dhe do të më kishte braktisur, duke më lënë në mëshirë të fatit. Mëmësia mbërriti në jetën time si një uragan sepse erdhi shumë papritur.
– Albi, mundohu të më kuptosh, kjo gjendje nuk është e lehtë për mua… – thoja sa herë që acarohesha dhe i ngrija zërin, por ai mundohej të më qetësonte, duke më thënë se më kuptonte. Mënyra se si më jepte zemër dhe sa i butë ishte me mua, më bënte të mendoja se Albi, atë vendim nuk e kishte marrë i detyruar, por se ndjente për mua, ndërsa për veten, zbulova se isha një mama e kujdesshme dhe e përkushtuar.
Ishte e enjte kur lindi Mateoja im! Mes shumë përpjekjesh dhe dhimbjesh, arrita ta sjell në jetë. Në momentin e parë që e mbajta në krahë, ndjeva të më rrihte zemra fort. Ishte fëmija im, nuk kishte ndjenjë më të bukur se kjo! Përshtatesha shkëlqyeshëm me ritmet e të ushqyerit dhe ndërrimin e foshnjes. Edhe pse ai nuk ishte frut i një dashurie, mes nesh u krijua në moment, një lidhje shumë e fortë. Edhe pse Albi ishte i ati dhe ai nuk pati aspak vështirësi për ta bërë për vete atë, unë, me egoizëm, doja ta përjashtoja. E ndjeja si element shqetësues në harmoninë mes meje dhe djalit tim. Ai e vuri re këtë dhe më tha se nuk e kuptonte pse i isha larguar aq shumë qëkur kishte lindur Mateoja.
– As tim bir nuk po e shoh aq sa duhet, se ti nuk më lë asnjë moment vetëm për vetëm me të! – më tha një natë ai, pasi ishte kthyer nga puna.
– Si mund të flasësh kështu dhe të më akuzosh për gjëra të kota? Jam e ëma dhe, sigurisht që do të kujdesem gjatë gjithë kohës për tim bir. Ti kujdesu për gjërat që të takojnë…
I thoja kështu, ndërkohë që për jetën e tij profesionale interesohesha shumë pak. Kush ishte në të vërtetë njeriu me të cilin isha martuar, cilat ishin dëshirat dhe pasionet e tij? Këto të gjitha ishin një mister dhe unë nuk kisha asnjë dëshirë për t’i zbuluar. Marrëdhënia jonë mund të cilësohej si frikë e ftohtësi dhe kjo më tepër nga ana ime. Ne flisnim pak dhe vetëm për gjërat e përditshme. Raporti mes nesh ishte i sjellshëm, por shumë i ftohtë. Albi ishte i aftë ta menaxhonte shumë mirë edhe situatën më të rëndomtë mes nesh, madje nuk e di se si arrinte ta ruante qetësinë edhe atëhere kur unë e kërkoja vetë sherrin. Ai më thoshte se ne më shumë kuptoheshim kur sapo u njohëm sesa tani, pasi mua më mjaftonte edhe një arsye koti që të zihesha me të. Sinqerisht, më interesonte vetëm që ai të bënte të mos na mungonte asgjë mua e djalit dhe duhet ta pranoj që kujdesi i tij ndaj nesh shkonte përtej dëshirës. Unë isha me fat që kisha pranë një person të tillë, por nuk e kisha kuptuar ende. Albi na përkëdhelte me dhurata të shtrenjta, por unë për të provoja thjesht një mirënjohje të arsyeshme. Edhe dashuri bënim rrallë, sa për të kujtuar që ishim burrë e grua. “Mund të më qëllonte më keq, pasi Albi është njeri i ndershëm dhe i lidhur me familjen, bujar dhe punëtor i madh”, mendoja, për t’u ngushëlluar, por edhe pse shpesh ngushëlloja veten me mendime të tilla, ndihesha keq që po jetoja një martesë të shtirur. Një jetë e tillë po ma zinte frymën, prandaj një ditë i thashë Albit se kërkoja divorcin.
– Nuk mund ta shtyj më kështu. Jam munduar shumë që kjo martesë të shkojë si duhet, por është e pamundur. Ti je njeri shumë i mirë dhe, nëse do të të dashuroja, do të isha njeriu më i lumtur, por ja që nuk është kështu. Nuk e komandoj dot zemrën…
Ia thashë të gjitha këto dhe ai, ç’bëri?! Nuk foli fare, më pa me zhgënjim dhe doli nga shtëpia. Si mund të tregohej indiferent për diçka kaq serioze? Prisja që ai të kthehej në shtëpi për ta vazhduar bisedën aty ku e kishim lënë, por Albi po vonohej, ndaj nisa të merresha me Mateon. Ai ishte si frymëmarrje për mua, shkaku i vetëm i buzëqeshjeve të mia. Albi nuk erdhi fare atë natë në shtëpi dhe as lajmëroi që nuk do të vinte. Duke vënë Mateon në gjumë, më kishte zënë gjumi edhe mua dhe vetëm në mëngjes e pashë Albin. Ai po hante mëngjes vetëm dhe nuk më foli fare, as kur më pa.
– Mirëmëngjes. Kur ke ardhur?
– Mirëmëngjes. Erdha vonë dhe nuk doja të të zgjoja…
– Je menduar për atë që të thashë?
– Nuk kam pse të mendohem.
– Do divorcohemi? – e pyeta.
– Jo! – më tha i prerë.
U mundova ta ruaja qetësinë dhe i thashë që martesa jonë nuk kishte më kuptim, se ne nuk ndjenim më dashuri për njëri-tjetrin.
– Fol për veten! Nuk mund të flasësh për ndjenjën time… – më ndërpreu ai. Dukej shumë i lënduar, por mua nuk më bënte shumë përshtypje se si ndihej ai.
– Ti më do, ndërsa unë jo, prandaj do të divorcohemi dhe pikë! – i thashë e nervozuar dhe dola nga kuzhina.
Që të nesërmen, unë fillova të dilja më shpesh, takoja shoqet e fakultetit dhe kaloja jo pak kohë me to. Kjo solli edhe më tepër diskutime mes nesh dhe unë këtë doja, që të grindeshim dhe ai të bindej se duhet të ndaheshim sa më parë. Për Albin, familja ishte e shenjtë dhe do të sakrifikonte gjithçka për ta mbrojtur atë, ndërsa unë tashmë kisha njohur dikë tjetër për të cilin Albi, sigurisht, nuk ishte në dijeni. Ai quhej Bledi dhe ishte pesë vjet më i vogël se Albi. Sa herë qëndroja me të apo më komplimentonte, më dukej sikur po jetoja edhe njëherë periudhën e fakultetit. Te Bledi gjeta gjithë pasionin e munguar për kaq shumë kohë. Ai më bënte të ndihesha e dëshiruar, të përjetoja edhe njëherë atë që e kishte përjetuar çdo moshatare e imja.
Në këtë kohë, Bledi nisi të më thoshte se kisha filluar ta lija pas dore djalin, por unë e kisha përgjigjen në majë të gjuhës:
– Edhe ti je prindi i tij! Kujdesu për të. Nuk do t’i bëj të gjitha unë!
Ndërkohë, unë vazhdoja aventurën time me Bledin. Ngjasoja me një 18 vjeçare të papërgjegjshme, e cila mendonte vetëm të argëtohej gjatë gjithë kohës. Edhe për tim bir kisha nisur të kujdesesha pak ose aspak. Nëse nuk do të ishte Albi, nuk e di çfarë do të kishte ndodhur. Unë e tradhtoja, ndërsa ai kujdesej për djalin dhe për mua. Mateos nuk i mungonte asgjë e aq më pak, dashuria e tij. Gjatë gjithë kohës kam qenë unë shkaktare që familja të copëtohej. Nuk doja që atë jetë që kisha, ta jetoja me zor dhe meqë Albi nuk pranonte që ne të divorcoheshim, po e shijoja çdo moment në maksimum. Pastaj, edhe ai mund të më kishte tradhtuar mua sa herë të donte dhe unë nuk dija asgjë, por sapo çova ndërmend mundësinë e tradhtisë së tij, nuk u ndjeva mirë. Edhe pse nuk e doja, nuk do të më vinte aspak mirë po të merrja vesh se Albi më tradhtonte.
“Ti nuk e do, pse të intereson se ç’bën ai me jetën e tij? Vazhdo jetën tënde”, i mbushja mendjen vetes. Bledi tani po kërkonte t’i kushtoja më tepër kohë. E kuptova që donte vetëm të kalonte kohën me mua dhe asgjë tjetër, por shumë vonë, pasi ai më la.
– Je bërë shumë e mërzitshme kohët e fundit, ne po ia kalonim bukur bashkë… – më tha ai në momentin që u ndamë. Më zhgënjeu plotësisht, pikërisht atëhere kur mendoja se kisha gjetur lumturinë me të. Aty fillova të kuptoja se sa me fat isha që isha ende me Albin, i cili përveç të tjerash, edhe më dashuronte. Mateon e kisha lënë shumë pas dore, ndërsa me Albin kisha bërë gjithnjë kështu. Kur pashë se si u soll Bledi me mua, u kujtova se sa i mrekullueshëm ishte Albi, që më kishte duruar edhe në momentet e mia më të këqija. Në atë moment, vendosa të bëja gjithçka që të afrohesha me burrin tim. Ai e meritonte!
– Do dalim të tre sonte? – i thashë Albit një mbrëmje.
Ai shqeu sytë!
– Do vërtet që të dalim? – më pyeti.
– Po! – pohova unë me kokë, duke buzëqeshur. Sa bukur ishte të kishe një familje dhe një bashkëshort që të adhuron! Këtë e kuptova vetëm atë natë, teksa ndjeva për herë të parë lumturinë pranë Albit, por atëherë kur dukej se gjithçka po shkonte shumë mirë, ndodhi ajo të cilës kohët e fundit i druhesha shumë që të mos ndodhte. Ai mësoi se e kisha tradhtuar. Nuk e di se si di ndodhi kjo e nga e mori vesh, por të nesërmen ai erdhi si i xhindosur në shtëpi.
– E dija qëkur u martove me mua se nuk më dashuroje dhe nuk më dashuron ende, por që të tradhtoje në këtë mënyrë… Do të doja shumë të mos e kisha mësuar kurrë këtë! – tha.
Ndërsa ai me të drejtë, bërtiste, mua më rridhnin lot në faqe. E kisha lënduar vërtet dhe tani nuk e dija nëse do të më falte. U mundova të gjeja një arsye të vlefshme për t’ia thënë, por gjuha sikur më ishte lidhur. Ajo që kisha bërë, nuk meritonte falje. Albi u largua atë ditë nga shtëpia dhe pas ikjes së tij, unë u ndjeva totalisht e braktisur, por këtë ia kisha bërë vetes. Albi i kishte të gjitha të drejtat të vepronte edhe më keq, por unë fillova ta ndjeja gjithnjë e më shumë mungesën e tij dhe nuk e di nëse ky ishte fillimi i një dashurie për të.
U mundova shumë të rikthehesha me të, por ai ishte shumë i zemëruar me mua dhe unë nuk dija ç’të bëja. Një natë, më në fund, ai ma hapi telefonin.
– Alo, Albi… Më fal… – i thashë. – E di që kam bërë shumë faje, por jam penduar aq sa ti nuk e imagjinon dot. Të lutem, kthehu të nisim një jetë të re bashkë me djalin dhe t’i lëmë pas gabimet. Mateo ka nevojë edhe për babain, që i mungon shumë… E di?
– Unë gjithmonë kam dashur të jemi një familje e lumtur, por ti nuk doje…- tha dhe nga zëri, kuptova se po qante.
Atë natë folëm gjatë dhe, për fat të mirë, Albi vendosi të mos na braktiste, u kthye në shtëpi. E përqafova dhe e putha fort. Ajo që po ndjeja për të, ishte vërtet dashuri. Tani, unë jam shumë e lumtur pranë tij. Së bashku, kemi projekte të mëdha dhe dëshirën për t’i dhuruar Mateos një motër, këtë herë, me ndërgjegjen e plotë të të dyve. Pritja e fëmijës na bën të ndihemi më të bashkuar, na mbush me optimizëm dhe entuziazëm. Arrita ta shpëtoja martesën time dhe tani besoj se nuk gënjej veten kur them që jemi një çift më se i lumtur.