Izota Rexha Harunaj është një autore shqiptare e cila jeton në Itali. Dëshira e zjarrtë e artit të fjalës dhe shpirti i saj i ndjeshëm dallohen lehtë në vargjet e sajZbathur të ndjej
Këpucët plotë hapa shtërngoj mes gishtash
Zbathur mbi frymëmarjen tënde rëndoj.
Puthjet e tua nën këmbë më gudulisin
Ti njohë shushërimat, ankimet me mall përzier,
tek më thua: Përse kaq shumë u vonove?
Hapat ndërroj ngadalë, të ndjej më shumë pritjen tënde
Aroma e barit të shkelur më ndjell
Me krahë të pushtoj të gjithën në një përqafim
Të shtrihem mbi ty të rrokullisem
Me Savin dhe Herën të lodroj
Toka ime, sa të dua, ta dish
Për ty më dhemb shpirti
Sa herë mbytem në lot e mahisem!
Këpucet plotë hapa,
i hoqa se dua të ndjej deri me vibrim…
Vlaga jote, lëkurës etjen t’i shuaj,
të ndjesh edhe ti mallin tim.
Vetëm një çast
Të të kem vetëm një çast
Dua vetëm një çast të kem pranë meje,
vetëm një çast, pak.
Aq sa të më vësh në funksion zemrën.
Aq sa gjaku të marr rrjedhën,
e fryma të mbajë aromën tënde.
Vetëm një dekik…
Sa të mbaj frymën dhe aroma jote të bulëzojë në zemër!
Pastaj ik…
Ik ashtu boshe
Pa e kthyer kokën pas
Ik…
Pasi të kesh mbetur brenda meje.
Përjetësisht një çast
E veçanta jote
Të veçantën tënde e shihja çdo ditë
Në fjalët që thoshe, në mendimet që shprehje.
Tingulli i zërit buronte nga pjesa me e thellë e shpirtit
Kur të dëgjoja, çdo qelizë harrohej në dehje!
Më flisje me fjalë të lindura nga gërma për mua zgjedhur
Më krahasoje me Engjëjt, në piedestal më ngrije me modesti.
Mos vallë parajsës për mua i ishe përvjedhur?
A ndoshta të mijat lutje i dëgjoi ndonjë perëndi?
Dije të doje ashtu siç qielli do erën,
Ndjerë vetëm dridhjet, dihatjet pa ia prekur.
Si vala që nuk rresht së renduri e përgjëruar bregut
Bërë shkumë, shkrihet në puthje e heshtur!
Ishin për mua serenatat bregut të detit
Edhe zjarri që me gjuhëflakët qiellin sfidonte.
Të dy prushëruar mbështilleshim brenda bluzës tënde
Garonim kush më shumë yje numëronte.
Sa herë mbaroja së numëruari, me puthje shënoje
Brenda syve të mi gjithë galaktikën e zbrisje.
Për të numëruar yjet, mos i mbyll sytë, më urdhëroje
Humbisje brenda tyre e frymës digjeshe.
Lule gjak
Pash një lule n’ fill pranvere
Ishte ftohtë e binte borë.
Një të vetme pash, mes ferre
Ta këpusja zgjata dorë…
Bëj ta këpus dora s’më bëri
Dridhej lulja fillikat.
S’di nga erdhi një fill zëri
“Po më k’pute bën mëkat”!
S’pata kohë të hiqja dorën
Gjembi i ferrës mori hak.
Ah, më doli një rënkim
Mbi borë çeli lule-gjak!
Gjethe-shkruarat
Sa shumë shkruajta në pranverë
Letër-mbaruar, shkruaja mbi gjethe pemësh.
Të gjitha mesazhet, mendimet
Ato që nuk doja ti thosha,
që më gricnin shpirtin…
Të gjitha pse-të, dyshimet,
të gjitha shpresat!
Sa herë kërkoja të thosha, se shumë malli më ka marr
Sa herë doja të thosha, sa shumë të dua.
Sa herë zëmërohesha, e nuk të flisja kurrë e para
Mbi gjethet e pemës të shkruaja.
Të gjitha dëshirat i përkëdhelte flladi
Të gjitha ëndërrat ushqeheshin me ves.
Natën i shkruaja, dëshmitare më është drita e hënës
Në të gjitha gjethet, nga njëra anë lexohej: Të pres…
Sa shumë shkruajta nëpër gjethe pemësh
Me shpresë që era të dërgonte ndonjërën përtej.
E lehtë të ishte, pa zëmërim e shkruar në ngutje
T’i sillte të mbushura me ndjenjë.
Era nuk e mundi dot peshën e gërmave
Çdo gjethe me kripëloti rënduar.
Dëgjoje të tha, kur zogjtë ia marrin këngës
Lexojne çfarë mbi gjethe është shkuar!
Veç vjeshta ia zbehu ngyrën tapirit
Gërmëndryshkurat e humbën kuptimin.
Mbuluar kanë ngelur nën tapetin e artë të gjetheve
Të mbrojnë ndjenjën, mos të ngrijë dimrit!