Vijim..!
20 prill 2010
Isha duke bërë punët e shtëpisë dhe duke parë televizor, kur papritur, ra zilja e telefonit. Ishte nje zë burri, i trashë, serioz, por shumë i sjellshëm:
– Mirëdita zonjushe. Më falni që po ju shqetësojme. Ju telefonojme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Athinës. Deshëm ndihmën tuaj për një problem që na ka dalë. Mund të flasim pak?
– Patjetër, – thashë dhe zemra filloi të më rrihte fort. Përse më donin vallë? Ç’kisha bërë? Gjithnjë i kam pasur frikë policët, edhe pse kurrë, veç punës që bëj, nuk kam bërë gjë në kundërshtim me ligjin.
– E njihni L.P? – më pyeti ai.
Një moment heshta. Nuk dija ç’përgjigje t’i jepja. Të gënjeja? Ata duhet të dinin diçka, prandaj më pyesnin…
– Po, – thashë, – kemi qenë në një shkollë në Shqipëri.
– A mund të vini te ne, ju lutem? Duam t’ju bëjmë disa pyetje për të.
– Dakord, – thashë. – Kur duhet të vij?
– Sa më shpejt, aq më mirë! – tha ai prerë. – Mundeni tani? Ju banoni këtu në Athinë?
– Po, këtu në qendër, mund të vij tani…
– Në rregull – më tha ai. – Po ju pres. Kur të vini te dera kryesore, kërkoni zotin Kokalis.
U vesha, mora nje taksi dhe pas pak isha atje, te policia e madhe, në rrugën Aleksandras. U ngjita në katin e shtatë. Zoti Kokalis ishte një burrë i gjatë rreth te dyzetave, me flokë të rënë dhe me uniformë të rregullt e shumë të pastër. Bashkë me të ishte edhe nje polic fare i ri, ndofta student stazhier ose që sapo i kishte përfunduar studimet.
Sa u futa në zyrë, ai më dha dorën dhe më kërkoi të falur për shqetësimin. Më habiti kjo sjellje. Nuk e kisha harruar e as besoj ta harroj ndonjëhere se si ishin sjellë me mua kur më kishin kapur ne hotel.
– Mund të më thoni, ju lutem, si quheni? – tha ai. – Unë nuk jua di emrin, di vetëm numrin tuaj të telefonit që e kemi gjetur në celularin e L.P…
Zemra më rrahu fort, më fort se kur ai më mori në telefon në mëngjes. Diçka i kishte ndodhur L. Ai më lexoi në fytyrë dhe, duke më parë drejt në sy, më tha duke folur me zë të shtruar e qetesisht:
– Shoqja juaj u vetëvra sot në mëngjes.
– Si?! – bërtita dhe sytë m’u mbushën me lot. – Si ndodhi?
– Kishte shkuar për të bërë analizat dhe, duke dale nga dhoma e analizave, u hodh në hapësirën mes shkallëve nga kati i shtatë. Vdiq menjëherë. Duam të lajmërojmë familjen e saj, por nuk kemi asnjë adresë. Provuam disa numra telefoni nga ata me të cilët ajo kishte komunikuar nga telefoni i burgut, por nuk mundëm. Kështu, arritëm te telefoni juaj…
– Ajo është e fejuar, – thashë, – bile edhe e martuar zyrtarisht. Te fejuarin e ka në burg. Mund të lidheni me të…
– Duhet të jetë ai tipi që folëm në telefon… – foli tjetri që deri tani kishte heshtur.
– Ai pranoi që e njeh, por tha që nuk do t’ia dijë më për të dhe na tha të mos e shqetesojmë më. Ishte një tip shumë i vështirë, nga ata që ne i quajmë të pandreqshëm. – foli zoti Kokalis.
– Mund të më jepni telefonin e saj?! Do mundohem të gjej ndonjë të afërm të saj këtu ose ne Shqipëri! – u thashë atyre.
– Ndonjë të afërm këtu do të na interesonte, – tha oficeri, – sepse njoftuam edhe ambasadën shqiptare këtu dhe ata do të lidhen me policinë shqiptare. Mund të telefononi nga telefoni i zyrës sonë numrat që dëshironi… – shtoi ai pas një heshtjeje, ndërsa unë isha duke kërkuar librin e telefonave të celularit të L-së.
Fillova të formoja numrat e telefonave që L. kishte regjistruar në celular. As vetë s’e di se si gjeta forcë të flisja me të afërmit e saj dhe t’ua thosha lajmin e hidhur. Ishte hera e parë që jepja lajme të tilla…
– Do një kafe? – më pyeti oficeri kur mbarova punë.
– Jo, faleminderit, më duhet të iki të marr djalin në shkollë! – i thashë dhe u ngrita, se desha të dilja një sahat e parë nga ajo zyrë. Ai më dha dorën dhe më falënderoi me shumë mirësjellje.
Gjithë ditën sot nuk më është hequr mendja nga L. Si i shkoi jeta kështu të shkretës! Po se mos mua më ka shkuar më mirë, mendova. Vrisja mendjen të gjeja ndonjë ditë të lumtur të jetës sime, por ishte e pamundur. Nuk gjeta asnjë…
Kjo gjendje e keqe shpirtërore m’u thellua më shumë gjatë punës. Më shkoi shumë ters. Klienti i parë më qëlloi një njeri i shpifur që donte te bënte seks me mua, por nuk mundej. U lodha, u këputa duke u munduar ta eksitoja, por ishte e pamundur. Ngulte këmbë të rrija me të patjetër një orë dhe të përpiqesha ta sillja në qejf. U përpoqa me të gjitha mënyrat, por qe e pamundur. Unë e di se si e shtyva derisa vajti ora. Kur po prisja në rrugë Ilian dhe pashë orën, u kujtova se sot ishte e martë dhe kjo e martë nuk bënte përjashtim nga të martat terse që kisha kaluar…
21 prill 2010
Surpriza e ditës: Nadia ka rënë në dashuri me një djalë shqiptar. Ma tha sot në telefon. Ishin njohur ditën e Pashkëve, që e kishin festuar në një shoqëri të përbashkët. Më tha që ishte djalë shumë i mirë dhe punëtor, merrej me punimin e gurit dhe kishte një ndërmarrje të vetën. Kishte dalë disa herë me të dhe e kishin pëlqyer njëri-tjetrin. “Eshtë djalë i mrekullueshem dhe mua më do si i çmendur, tha ajo. Kam vendosur të lë punën… Bile, kam ditë që nuk shkoj”.
– E di ai ç’punë bën? – e pyeta.
– Jo, – më tha, – i kam thënë që punoj në një lokal nate ilegal, ku grekët e pasur luajnë bixhoz.
– Po për vajzën, i ke thënë?
– Po, i kam thënë dhe ai nuk e ka problem. Të thashë zemër që më do si i çmendur, por e keqja është se edhe unë e dua shumë. Sa e pashë, seç më ngacmoi në zemër. U afruam si padashur me njeri-tjetrin dhe filluam të bisedojmë. Ndenjëm bashkë gjatë gjithë drekës e derisa ikëm… Po të duash, te prezantoj edhe ty me të. Takohemi para pune? I them që punojmë bashkë…
Vijon..!