Vijim..!
Melisa më tregoi që kishte qenë në diskotekë dhe një shok nga shoqëria e motrës kishte filluar t’i afrohej. Gjithashtu, më tregoi që kishte parë vajza kubiste që kërcenin nëpër kafaze, të veshura vetëm me të brendshme…
– Këtu është krejt ndryshe, – po më thoshte, – njerëzit puthen nëpër rrugë dhe nuk pyesin fare, as që t’i hedhin sytë. Më pëlqeu Roma, vetëm gjëra të vjetra ka, por janë shumë të bukura…
Më tregoi se kishte qenë te Fontana di Trevi dhe kishte hedhur monedha. Më tregoi që kishte hedhur edhe një monedhë për mua, që gjithë dëshirat e mia të realizoheshin. Sa do të doja të isha me të aty, të harroja se çfarë më kishte ndodhur, të realizoheshin dëshirat e mia, që koha të fluturonte, unë të gjendesha përnjëherë e rritur e të largohesha nga gjithçka. Edhe në faqen time time në Facebook më kishin ardhur mesazhe të pisëta, sigurisht nga Mariusi dhe shokët e tij. Jeta ime po bëhej një ferr i vërtetë. Mamaja as që po e vinte re se sa po vuaja, sa e ndjeja nevojën për të folur me dikë, të më këshillonte, të më jepte zemër se e gjitha kjo do të kalonte shumë shpejt…
E Enjte
Sot ndeza një cigare në banjo. Një mesazh më erdhi në telefon dhe u ndjeva keq. Më pas i hodha aromatizues banjos, por kjo nuk mjaftoi. Mami, kur erdhi në shtëpi, po më thoshte pse vjen erë banja dhe nisi të më pyeste me të bërtitura nëse kisha pirë duhan. Unë e mohoja, por nuk qeshë edhe aq bindëse, e di që nuk më besoi. Debatuam gjatë, por ajo nuk u preokupua se çfarë më shtyu ta bëja këtë, pse kisha pirë duhan. Kur erdhi babi në shtëpi, mendova se kishte për t’ia treguar këtë gjë, por ajo e la në heshtje, nuk ia rrëfeu. Shumicën e kohës e kalova në dhomë, e nxehur nga problemet e mia, por edhe me mamin. Doja të hakmerresha ndaj saj. Nesër kam ndërmend të lyhem jo në shkollë, por nga inati i mamit, këtu në shtëpi, që ta shikojë edhe ajo. Pse duhet të jem ndryshe nga të tjerët? Kjo ndryshe më solli gjithë këto probleme. Pse më ndodhi mua e gjitha kjo? Më mirë të kisha shkuar me Mariusin dhe nuk do të kisha gjithë këto shqetësime. Jeta më është bërë ferr, celularin më shumë e mbaj mbyllur sesa hapur. Më vijnë lloj-lloj mesazhesh, nga më të ndyrat. Me siguri, ai ia ka dhënë numrin tim edhe shokëve. Më mirë do të kishte qenë ta kisha pirë atë gotë uiski dhe të isha braktisur në krahët e tij. E di që ai po shfryhet ndaj meje që e refuzova, e di që i rrëzova krenarinë, megjithëse unë akoma e dua. Sa e padrejtë të duash dikë që ma ka kthyer jetën në ferr! Si mund ta dua?! Zemra nuk komandohet, unë jam e mërzitur, e trishtuar, e nxehur. Është vonë, gjumi nuk po më zë. Mora një gotë, e mbusha me uiski (është uiski që i dha tezja mamit, i cili teproi nga fejesa e vajzës). Hyra në banjo. Dua ta provoj si do të ishte të pije ashtu si nëpër filma, kur duan të harrojnë hallet dhe e kthejnë nga një gotë. E ktheva menjëherë gllënjkën e parë dhe sytë m’u mbushën me lot. E pi për virgjërinë që të gjithë ma mohojnë. Kur më ra në stomak, filloi të më digjte. I ktheva dhe gllënjkat e tjera me shpejtësi që të mos pendohesha dhe ta lija atë që kisha nisur përgjysëm. Më pas ndjeva që trupi po më braktiste, lotët më rrëshqisnin si burim. U çova me frikën se mos mbetesha aty dhe lava gotën që të mos merrej vesh asgjë. Ndjeja që gjithçka po më rrotullohej, fillova të mos ndihesha mirë, mezi po prisja të futesha në krevat. Ishte ora dymbëdhjetë e natës, nuk po ndihesha mirë, u shtriva në krevat, tavani po më rrotullohej, mundohesha t’i mbaja sytë mbyllur e të më ikte kjo ndjesi, por ajo sikur shtohej shumë e më shumë.
E premte
U zgjova me një dhimbje të tmerrshme të kokës, por ndjenja e inatit nuk më kishte ikur. U leva ashtu siç i kisha premtuar vetes, rëndë. Vesha vetëm të zeza (kjo është ngjyra ime e preferuar) dhe shkova në shkollë, ku u ndesha me shikimin e Mariusit. Më dhembi kur e pashë. E urrej veten që nuk arrij ta urrej atë. Edhe ai ndenji pak momente aty te shkallët duke më parë. Ndryshimin tim e vunë re edhe mësuesit, që më krahasuan me një nga vajzat e klasës, që ngre këmbën mbi tavolinë dhe ua kthen mësuesve çfarë të përmbajë fjalori, por të them të drejtën, nuk u shqetësova fare për këtë gjë. Me shoqet lamë orët e mësimit dhe shkuam te një lokal tjetër. Në tavolinën ngjitur nesh ishin dy djem më të mëdhenj, që filluan të na ngacmonin. Njërin prej tyre fillova ta shikoja dhe më lindi dëshira të flirtoja me të.
Ashtu bëra. E shikoja drejt në sy dhe fillova të luaja me pipën, duke e lëvizur sa nga njëra anë e gojës në tjetrën, duke e tërhequr mes buzëve sikur e puthja dhe e thithja. Ai gjithashtu filloi të lëpinte buzët, sikur diçka e ëmbël t’i kishte mbetur në to dhe po e shijonte. Ndjenja e kënaqësisë lexohej në sytë e tij. Pas pak minutash, u çova dhe shkova në banjo. Ai erdhi pas meje. Aty, në të ndarën e dy banjove për vajza e djem, ai më ndaloi dhe po më pyeste për emrin. Nuk ia tregova të vërtetën, nuk di pse. Dëshira më tërhiqte si një magnet, por unë druhesha; një instikt më frenonte dhe më pas, ndjenja e zhgënjimit dhe ajo e hakmarrjes. Unë doja të hakmerresha ndaj çdo mashkullli. Dua t’i trajtoj ashtu siç më trajtuan mua. Megjithëse më takimin e duarve ndjeva një ngrohtësi që të premtonte besim, ai nuk po ma lëshonte dorën. Po a mund t’i besoja një të panjohuri, kur me dikë që njihja pësova një zhgënjim të tilllë? Sa e çuditshme! Një flirt me një të panjohur që nesër mund të bëhet i dashuri yt a ndoshta më shumë. Më kërkoi numrin, por nuk e pashë të arsyeshme t’ia jepja dhe i kërkova numrin e tij. Kur u ktheva në tavolinë, shoqet po më pyesnin se çfarë ndodhi. Sigurisht që u tregova, por shumë pak sepse e dija që s’mund të kisha besim. E gjitha kjo përfundoi edhe me pagimin e pijeve tona prej tyre. Mendoj se kjo sjellja nuk qenka keq, paska edhe avantazhet e veta. Po filloj të mendoj që ekzistojnë edhe të tjerët. Sa jam preokupuar kot gjithë kësaj kohe?
Kur u ktheva në shtëpi, mami kishte ardhur para meje dhe më pa për herë të parë të lyer, madje në formën më ekstreme; të lyer rëndë. Fytyra e saj shprehu habi, inat dhe një përzierje të shumë ndjenjave njëkohësisht. E dinte që nëse do debatonim, nuk kishim për të dalë asgjëkundi dhe u mjaftua me shprehjen: “Je bërë si sorrë!”…
Vijon..!